Nga Tirana jashtë kufijve, PD paralajmëron protesta në ambasadat shqiptare në botë! Si do të organizohen

Opozita pritet të zhvendosë mosbindjen civile të nisur në rrugën e kryeqytetit në çdo ambasadë dhe konsullatë shqiptare në botë.

Advertisements

Lideri demokrat Sali Berisha paralajmëroi dje nisjen e një lëvizjeje të re të mosbindjes civile në botë. Z.Berisha akuzoi kryeministrin Rama, se sipas tij po përdor metoda të dënueshme anti-kushtetuese për të kontrolluar votën e diasporës. Gjatë një konferencë për mediat, kreu i PD-së njoftoi se kanë përgatitur një amendim me të cilin kërkojnë që shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit t’u njihet çdo dokument biometrik i vendit ku banojnë. Sipas Berishës, kryeministri Rama kërkon të dënojë 2/3 e shqiptarëve që ndodhen jashtë vendit për të cilët shprehet se ka frikë prej tyre. Nëse kërkesa e tyre nuk pranohet, kryedemokrati Berisha paralajmëron nisjen e një lëvizje të re të fuqishme të mosbindjes civile.

Advertisements

“Ne kemi përgatitur amendamentin dhe ne kërkojmë me ligj që këtyre t’u njihet çdo dokument biometrik i vendit ku jetojnë. Qoftë letërnjoftim, qoftë pasaportë. Jashtë kësaj kërkese, ne nuk mund të pranojmë kurrë të përjashtojmë dy të tretat e emigrantëve dhe diasporës tonë nga votimi. Ne mendojmë se ky është një akt i pashembullt, një diskriminim që nuk ka asnjë lloj baze. Ka vetëm një kriter themelor që duhet të respektojë çdo qytetar që duhet të ushtrojë të drejtën e votës, shtetësia shqiptare. Të gjitha të tjerat pastaj, duhet përgjigjur, por nuk duhet të jetë kurrë letërnjoftimi shqiptar, më epror se letërnjoftimi amerikan, kanadez, gjerman, belg, etj. Pra, duke paraqitur një pretendim të tillë, Edi Rama dëshmon frikën e tmerrshme që ka nga vota e emigracionit dhe diasporës për shkak të alergjisë që kanë shprehur këta qytetarë ndaj narko-regjimit të Edi Ramës”, deklaroi Berisha.

Në të kundërt paralajmëroi ai mosbindja civile do të zhvendoset jashtë kufijve të Shqipërisë.

“Përndryshe ne do të organizojmë demonstratat më të fuqishme. Do të nisë një lëvizje e re e fuqishme e mosbindjes civile në botë. Nuk mund të pajtohem kurrë me një frikë që tregon regjimi nga vota e emigracionit. Thirrje diasporës të përgatiten për protestat më të fuqishme para selive të ambasadave që përfaqësojnë narko-shtetin që kërkon t’u mohojë të drejtën e votës”, deklaroi lideri demokrat.

Nëse nuk përmbushet kushti demokratëve për votën e diasporës pakti i arritur mes socialistëve e demokratëve për t’i garantuar emigrantëve pagesën nga shtetit të votës me postë edhe në dërgim edhe në kthim dhe prodhimi më shpejt i fletës së votimit duke afruar afatet për dorëzimin e kandidatëve, rrezikon të mos marrë 84 votat në Kuvend. Duke e konsideruar si prioritet amendamentin e propozuar prej ekspertëve demokratë që të lejohen të votojnë në 11 maj dhe emigrantët që nuk kanë asnjë dokument shqiptar të identifikimit, por vetëm ato të shteteve ku jetojnë, ai deklaron se nuk do të pranojnë të votojnë propozimet e KQZ të mbështetura nga socialistët.

“Nuk mund të ketë forcë politike që të pranojë të ndëshkojë 2/3 e shqiptarëve se nuk kanë letërnjoftimet shqiptare apo pasaportat”, tha Berisha. Lideri demokrat u bëri dje thirrje të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit që të votojnë në 11 maj. Berisha u kujtoi atyre se vota e diasporës është e rëndësishme dhe se sipas tij do të ndikojë “që të firmosin rotacionin sepse ne kemi një program të shkëlqyer”. Po dje gjatë një takim me Departamentin ‘Brain Gain dhe Ekselenca’, Berisha u shpreh se PD ka një program të shkëlqyer, siç e konsideroi ai ‘shpëtimtar për Shqipërinë’.

“Është e një rëndësie të jashtëzakonshme që nga 1 milion e 500 mijë shqiptarë jashtë vendit me të drejtë vote, shumica e tyre të mund të votojnë. Të firmosë me votën e tyre ndryshimin, rotacionin se e vërteta është që ‘ata thyhen dhe ne i mundim’ dhe ne kemi një program të shkëlqyer, kemi një program transformues, kemi një program shpëtimtar për Shqipërinë”,-tha Berisha.