Një telefonatë në Policinë e Tiranës ka lajmëruar për një person të pajetë brenda një makine në zonën e Zall Mnerit, zonë që gjendet nën juridiksionin e Bashkisë Kamzë.
Advertisements
Policia e Komisariatit Nr. 5 ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka faktuar se personi i pajetë në mjetin e bërë shoshë me plumba ishte vrarë. Pas identifikimit të viktimës policia kuptoi se Lulzim Visha, 48 vjeç, ishte ekzekutuar në afërsi të banesës së tij, teksa kishte dalë nga shtëpia për të shkuar në punë.
Advertisements
Mjeti me të cilin udhëtonte ishte makina e punës, pasi kishte logon e kompanisë, ndërkohë që saktësisht nuk dihej ora se kur ishte kryer ekzekutimi, në një zonë, në fakt, të populluar, por atentatorët dyshohet se kanë përdorur armë me silenciator për t’i marrë jetën shënjestrës së tyre.
Policia doli me një njoftim mëngjesin e djeshëm, ndërkohë pas pak orësh tha se viktima ishte vëllai i një të dënuari për vrasje dhe se në fokus ishte hakmarrja, apo vrasja për hasmërinë e vjetër. Pas hetimeve, verifikimeve, marrjes së dëshmive të para, disa orë pas ngjarjes, policia gjen edhe mjetin e vrasësve të shkrumbuar, edhe një armë zjarri, por asnjë gjurmë nga autorët e krimit të rëndë.
Makina e vrasësve rezultoi të ishte luksoze dhe me targa të denoncuara të vjedhura në Kamzë para dy vjetësh, ndërsa policia orëve të vona të pasdites ka mësyrë disa banesa në zonat e Kamzës, ku u tha se nuk është bërë e mundur të gjendet asnjë person i dyshuar për t’u çuar në pranga.
NGJARJA
Sipas të dhënave të policisë 48-vjeçari, Lulzim Visha, punonte si postier në një postë private. Ai u gjend i vrarë mëngjesin e djeshëm brenda në makinën e kompanisë, në fshatin Zall Mner, në zonën mes Kamzës dhe Institutit në Tiranë. Sapo Lulzim Visha hipi në automjetin e punës, të cilin e merrte me vete në shtëpi, persona ende të paidentifikuar e qëlluan me pistoletë me silenciator, duke e lënë të pajetë brenda makinës të bërë shoshë nga plumbat, kryesisht në xhamin e përparmë.
Policia saktësoi se: Një banor i zonës që ka telefonuar policinë se në orën 07:40 kishte konstatuar makinën e bërë shoshë nga plumbat brenda së cilës ndodhej i pajetë dhe 48- vjeçari në rrugën “Shën Stefani” në Zall Mner pranë Kamzës. Dyshohet se viktima të ketë rënë në pritë pasi autorët, që dyshohet që kanë qenë me dy makina, e kanë pritur disa metra larg shtëpisë së tij, konkretisht në rrugën që ai duhej të përshkonte për të shkuar në punë. Në makinë dhe në vendin e ngjarjes, policia si gjithnjë, ka mbledhur rreth 12 gëzhoja.
GJETJA E MAKINËS SË AUTORËVE
Autorët, sipas të dhënave u larguan me një automjet luksoz “Porsche”, i cili u pikas nga një kamera larg zonës së ngjarjes, ndërsa u gjet e djegur në fshatin Zgafnor të Zall-Herrit. Brenda saj ishte një armë e zjarri, e cila dyshohet të jetë përdorur në krim. Blutë thonë se targat e mjetit të autorëve rezultojnë të jenë vjedhur në prill të 2023-t, po në zonën e Kamzës.
Policia bastisi zonën duke kontrolluar banesat e personave me precedentë kriminalë të dyshuar që mund të kenë lidhje me vrasjen, ndërsa do të merren në pyetje edhe familjarët e viktimës. Nga bastisjet është gjetur një silenciator, i cili do t’i nënshtrohet ekspertizës për të përcaktuar nëse është përdorur në vrasje apo ngjarje të tjera kriminale.
PISTË HETIMI
Policia dhe grupi hetimor menjëherë pas identifikimit të viktimës kanë nisur të ‘gërmojnë’ në të shkuarën e tij, për të bërë të mundur identifikimin e ndonjë pistë ku të fokusoheshin për gjetjen e vrasësve. Menjëherë u mësua se viktima ishte vëllai i një të dënuari për vrasje, ngjarje e ndodhur 28 vjet më parë, ndërkohë u tha se nga dëshmitë e para është mësuar se vëllezërit Visha kanë pasur edhe një sherr në zonë. Kështu dyshimet e para të hetuesve janë se vrasja mund të jetë për hasmëri të vjetër, pistë për të cilën janë duke u pyetur edhe familjarë të Lulzim Vishës.
Vëllai i tij, Besnik Visha, më 10 prill të vitit famëkeq 1997, ka vrarë efektivin Refik Domi pranë Universitetit Bujqësor, krim për të cilin e ka përfunduar dënimin pas më shumë se 10 viteve në arrati, dhe tashmë jeton larg Shqipërisë, për t’iu shmangur gjakmarrjes. Burime nga policia thonë se po hetohen edhe konflikte të mundshme që mund të ketë pasur së fundi vetë Lulzim Visha.
/Gazeta Panorama