Shkurti nis me diell dhe ngrica, meteorologia zbulon kur termometri do të shënojë minus 8 gradë

Dita e fundit e janarit ka nisur e kthjellët dhe me reshje të izoluara, por meteorologia e A2 CNN Tanja Porja, parashikon një fillim shkurti të ftohtë dhe me diell. Në studion e Dita Jonë, Porja u shpreh se reshjet e pakta do të jenë sot, kryesisht në veriperëndim dhe perëndim të vendit, ndërsa temperaturat do të shënojnë rritje në mesditë.

Advertisements

“Shira të pakët në pjesën e parë të ditës në veriperëndim dhe perëndim. Pjesa tjetër kthjellime dhe pa reshje. Në mesditë do të ketë më shumë diell, reshjet do të jenë të izoluara. Era do të jetë me shpejtësi mesatare me drejtim veriperëndimor. Temperaturat do të arrijnë deri në 15 gradë celsius në disa qytete të pjesës perëndimore, 0 gradë në verilindje. Kthjellime të shumta, në mbrëmje, pika shiu në veriperëndim në Shkodër e Lezhë. Termometri shënon rritje me 1 deri 2 gradë”.

Advertisements

Por në ditët në vijim, sipas meteorologes së A2 CNN, pritet rënie drastike e temperaturave deri në minus 8 gradë dhe ngrica të theksuara.

“Presim rënie drastike të temperaturave. Diell për disa ditë me radhë, ngrica të theksuar në javën e dytë e shkurtit. Termometri zbret disa gradë nën zero në zonat malore. Termometri pritet të zbresë në minus 8 gradë me gjithë kthjellimet ditë pas dite. Deri më 14 shkurt, kryefjala e motit do të jetë diell dhe temperatura të ulëta”.

Sa i përket rajonit meteorologia e A2 CNN, thotë se do të ketë reshje të izoluara në veri, ndërsa mot i favorshëm do të jetë në Kosovë dhe pjesën më të madhe të Ballkanit.