Kanabisi nga Tajlanda/ Pakoja e fundit qëndroi 1 javë në postë, trafikantët nuk shkonin për ta tërhequr

Policia e Tiranës ka vënë në pranga 3 persona të cilët dyshohet se trafikonin lëndë narkotike të llojit kanabis nga Tajlanda drejt Shqipërisë, nëpërmjet shërbimit postar. Në pranga kanë rënë Ralf Zoga, Igli Pallosha, Ersi Krymbi të tre 25 vjeç.

Advertisements

Uniformat blu bëjnë me dije se është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasia prej 520 gramësh me përqindje të lartë THC, me vlerë 11 mijë Euro, shuma parash, aparate celulare, sende me vlerë dhe prova të tjera materiale.

Advertisements

Burime për Klan News bëjnë me dije se 3 gramë kanabis tajlandez kushton 100 Euro, për shkak të cilësisë së mirë që ka kjo lloj lënde narkotike. Paraprakisht dyshohet se është kanabis i kultivuar me llampa por që është bimë që bëhet gati për të dalë në treg për 45 ditë.

Të njëjtat burime sqarojnë se informacionin e parë e morën edhe nga ana e Postës Shqiptare, për shkak të dyshimeve që kishte. Lënda narkotike vinte e fshehur në kuti që ishin të mbushura me rroba.

Pakoja e fundit e cila u kap nga ana e uniformave blu ka qëndruar për rreth një jave në postë pasi asnjëri nga 3 të dyshuarit nuk është paraqitur për ta tërhequr. Kjo sipas hetuesive për shkak se 3 të rinjtë dyshonin në lidhje me zbulimin nga ana e autoriteteve të lëndës narkotike.

Në momentin që njëri nga të rinjtë ka shkuar për ta tërhequr, efektivët i kanë vënë prangat pasi ishin duke e mbajtur nën vëzhgim. Më pas kanë zbuluar edhe 2 të dyshuarit e tjerë që ishin të përfshirë në këtë paligjshmëri.

Lënda narkotike, sipas hetuesve, shitej në zonën e bllokut në Tiranë. Po ashtu, sipas grupit hetimor, 3 të rinjtë kanë porositur edhe pako të tjera në Tajlandë, duke ngritur dyshime se ata mund të kenë trafikuar edhe më herët lëndë narkotike.