Liqeni i ngrirë i Kallabakut atraksion i rrallë në Kukës, vendasit kërkojnë ta kthejnë në pistë patinazhi (VIDEO)

Një ndër vendet më të veçanta për t’u vizituar në dimër është liqeni i Kallabakut në Kukës, i cili ka ngrirë plotësisht dhe mund të kthehet në pistë patinazhi.

Advertisements

Advertisements

Liqeni i ngrirë i Kallabakut, i vetmi në vend, është monument i natyrës. Me kamerën e Report Tv iu sjellin pamjet mahnitëse të pllajave, lëndinave dhe alpet përreth, veshur me petkun e bardhë. Jemi në Novosej të Kukësit, aty ku natyra ka bërë mrekulli. Sipërfaqja e liqenit të Kallabakut është krejtësisht e mbuluar nga akulli përgjatë 3 muajve të dimrit.

Vizitorët në këto anë janë të paktë në dimër, për disa arsye; si mungesa e promovimit, rruga e vështirë në disa segmente dhe mungesa e strukturave akomoduese. Udhërrëfyesi, Alban Xhaferri që shoqëron turistët në këto anë thotë se liqeni mund të kthehet në pistë patinazhi, nëse do të kishte vullnet nga qeveria e bashkia.

“Jemi në mesin e liqenit të Kallabakut, i cili në tre muajt e dimrit është i ngrirë. Thellësia 16 metra, sipërfaqja 6-7 ha. Mund të bëhet sporti i patinazhit, por duhet bërë ekspertiza nëse mund të kthehet në pistë patinazhi”, tha Xhaferri, ndërsa shton se “çdo stinë ka turistë, por më pak ka në dimër dhe më shumë në verë”.
Për të mbërritur tek liqeni i Kallabakut, udhëtojmë nga Tirana në Kukës në Rrugën së Kombit, 1 orë e 30 minuta. E mandej nga Kukësit drejt Novosejt për 45 minuta, në një rrugë krejtësisht të asfaltuar. Por për të mbërritur në destinacion, duhet të përshkojmë në këmbë shtegun malor nga stanet e Novosejt deri tek Liqeni që zgjat dhe 45 minuta të tjera. Ndërsa për alpinistët udhëtimi nuk mbaron këtu, ata vazhdojnë ngjitjen në parkun kombëtar Korab- Koretnik, te Shtegu i Ngjyrave.

Autoritetet kanë menduar të shfrytëzojnë këtë bukuri magjepsëse. Pjesa e mbetur e rregulluar e rrugës, nga Novosej deri të liqeni pritet të asfaltohet, duke krijuar mundësinë e investimeve.