“Mu errësuan sytë dhe e godita”. Kështu është shprehur 74-vjeçari Hekuran Gjoni në polici pasi u arrestua për vrasjen e djalit të tij.
Advertisements
Tv Klan ka publikuar dëshminë e tij, ku 74-vjeçari tha se djali, Asim Gjoni, 37 vjeç, e tallte prej kohësh. Mbrëmjen e së shtunës, ai ka qenë duke ngrënë darkë bashkë me të birin në shtëpinë e tyre në Kodrën e Priftit në kryeqytet.
Advertisements
Por sipas Gjonit, i biri ka nisur ta tallë sërish. Në atë moment babai është ngritur dhe e ka goditur me shuplakë gjatë debatit. Por djali i është kundërpërgjigjur dhe e ka goditur mbrapsht duke e rrëzuar në tokë.
Hekuran Gjoni thotë se aty ka ndërhyrë vajza e tij duke i bërtitur të vëllait pse e goditi të atin. Por sipas Hekuranit, Asimi në atë moment goditi edhe të motrën. Kjo është pika, sipas tij, që e bëri të merrte thikën dhe ta godiste djalin.
Megjithatë ai është shprehur se situata i doli jashtë kontrollit e nuk donte që ta vriste të birin.
“Asimi më tallte prej shumë kohësh. Mbrëmë në darkë po hanim bukë në tavolinë. Ai filloi sërish të më tallte dhe u acarova, e iu ngrita dhe i gjuajtja me shpullë gjatë debatit. Më pas djali u ngrit edhe ai dhe më goditi, dhe unë u rrëzova pastaj. Më pas ndërhyri vajza ime ku i bërtiti Asimit pse e godiste babain. Asimi më pas goditi dhe të motrën. Në këtë moment m’u errësuan sytë dhe u ngrita, mora thikën dhe e godita djalin. Situata më doli jashtë kontrollit, nuk doja ta vrisja djalin”, tha Hekuran Gjoni.
Policia njoftoi ditën e sotme se Hekuran Gjoni u vu në pranga për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare. Ndërkohë sa i takon Asim Gjonit, ai ishte baba i dy fëmijëve dhe pjesë e Forcave të Armatosura.