Portugezi Ruben Saraiva i akuzuar për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, në prill të 2023, ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij.
Advertisements
Top Channel ka siguruar së fundmi procesverbalin e marrjes në pyetje të 28-vjeçarit nga prokurorët e Lezhës. Para prokurorëve në fund të muajit dhjetor të vitit që lamë pas, Saraiva ka thënë se akuzat e ngritura ndaj tij: “nuk i pranon”.
Advertisements
Nga deklarata që Top Channel ka siguruar, portugezi ka treguar se ka lindur në Portugali dhe se banonte në Londër ku dhe ushtronte profesionin si trajner futbolli.
Ai ka pranuar se në Angli ka pasur vetëm një dënim në vitin 2013 për shpërndarje të lëndëve narkotike. Më tej ai ka refuzuar që të japë detaje lidhur me familjarët e tij, si qytetin e tij të lindjes në Portugali apo dhe emrin e nënës së tij.
I vendosur përballë provave filmike dhe shkencore Ruben Saraiva është shprehur se : “Unë akuzat i kuptoj. I kam të qarta dhe nuk i pranoj”.
Ruben Saraiva pasi ka mohuar se e njihte britanikun Harry James Simpson prokurorët e kanë pyetur si ai e shpjegonte faktin se në bagazhin e automjetit me targa AA837ZM i përdorur nga Edmond Haxhia, janë gjetur gjurmë (prova biologjike pështymë që i përkisnin atij dhe Harry Simpson, për të cilin prokuroria thotë se luante rolin e vëzhguesit të viktimës).
“Unë nuk e kam një përgjigje për pyetjen”, ka thënë Ruben Saraiva.
Në vijim, prokurorët i kanë vendosur të portugezit nëj foto të nxjerrë nga një kamër sigurie e
datës 19.04.2023 ku është fiksuar momenti i largimit të tij nga Shqipëria.
“A e njihni drejtuesin e mjetit”, mësohet ta kenë pyetur Prokurorët, ndërkohë që Saraiva i është përgjigjur duke i thënë: “Unë nuk e shoh mirë këtë foton. Unë nuk e dalloj se kush është në drejtim të mjetit”.
“Unë nuk e dalloj pra nuk e qartësoj dot”, mësohet të jetë përgjigjur sërish Saraiva, pas insistimit të prokurorëve për të zbuluar ndonjë detaj më tepër.
Më tej portugezi “ka kyçur” gojën pasi prokurorët i treguan një tjetër provë shkencore, një çamçakëz, e cila ishte gjetur në garazhin e banesës së Edmond Haxhisë.
Megjithatë Ruben Saraiva deri diku, zbehtas, përpara prokurorëve ka pranuar njohjen me Edmond Haxhinë kur është pyetur se pamjet filmike e tregojnë duke marrë karburant me automjetin AA837ZM.
“Unë mund te kem qenë duke udhëtuar me Edmondin”, është përgjigjur i akuzuari për vrasje në bashkëpunim Ruben Saraiva.
Kujtojmë se Ruben Saraiva u ekstradua nga Maroku në Shqipëri në 31 dhjetor 2023. Ruben Saraiva u arrestua në muajin maj 2023 në Marok, pak kohë pas vrasjes në Lezhë. Ai kërkohej nga drejtësia shqiptare, pasi dyshohet se në bashkëpunim me tre shtetas britanikë të paguar nga Edmond Haxhia, kanë organizuar vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj.