Shkaqet e vdekjes së Baba Hekuran Nikollarit mbeten ende mister. Argjiroja.net raportoi e para në mesnatë lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të klerikut bektashi që shërbente në Teqenë e Baba Aliut në Alipostivan të Përmetit. Aktualisht trupi i tij ndodhet në morgun e spitalit të Gjirokastrës, ku po i nënshtrohet ekspertizës së mjekësisë ligjore për të mësuar shkaqet e vdekjes.
Advertisements
Në mesnatë nga Tirana ka udhëtuar drejt Përmetit e Gjirokastrës edhe Baba Mondi, kreu i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve. Kjo e fundit sot doli me një deklaratë zyrtare ku njoftonte lajmin e trishtë, pa dhënë më shumë detaje mbi rrethanat e vdekjes.
Advertisements
Me të mbaruar ekspertiza mjeko-ligjore, trupi i pajetë i Baba Hekuranit do të rikthehet në teqenë e Alipostivanit aty ku ai shërbente. Homazhet publike do të zhvillohen sot dhe nesër ndërsa ceremonia e varrimit do të zhvillohet ditën e enjte më 6 shkurt. Deri më tani s’ka një reagim zyrtar as nga Policia e Shtetit.
Baba Hekuran Nikollari, u lind më 7 shtator 1963, në Seniçan të Përmetit. U rrit përmes halleve, por me dashurinë e madhe të prindërve, të cilët i dhanë ndershmërinë, mirësinë, arsimin, urtësinë dhe dashurinë për Shqipërinë.
Më 04 prill 2002, pasi qëndroi pak kohë, pranë Selisë së Shenjtë në Tiranë, Haxhi Dede Reshat Bardhi, i veshi rrobën e bektashiut dhe u emërua dervish, në teqenë e Ali Horasanit të Alipostivanit, në Përmet. Në vitet 2007-2009, baba Hekurani emërohet dhe punon si dervish në teqenë e Frashërit, të cilën e ringriti, duke ruajtur origjinalitetin e monumentit të historisë dhe kulturës të kësaj teqeje të famshme, e cila sot është një mrekulli e vërtetë.
Disa vite, baba Hekurani, bëri shërbime në teqenë e Kulmakut Tomorr. Hekuran Fejzo Nikollarit, i cili me Dekretin e Shenjtë Nr. 7 datë 29.12.2009 të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, shenjtorit Haxhi Dede Reshat Bardhit, iu dha titulli ‘Baba’ dhe u emërua baba i teqesë së “Baba Nasibiut” të Frashërit, të teqesë së “Baba Aliut” në Alipostivan dhe të teqesë së “Baba Xhaferit” në qytetin e Përmetit.
Baba Hekurani i teqesë së Frashërit, Alipostivanit dhe Përmetit çdo ceremoni e mbyllte me fjalët “Rroftë Shqipëria”!