Nga shpenzimet për shtatzëninë, tek mirëqenia e foshnjës pas ardhjes në jetë, sa janë kostot e prindërve për rritjen e një bebeje në vitin e parë tyre të jetës

“Sa kushton një fëmijë?” është një pyetje e rëndësishme për çdo prind të ri, sidomos në një kohë kur kostot e jetesës janë në rritje. Shpenzimet e lidhura me shtatzëninë dhe rritjen e një fëmije përfshijnë një gamë të gjerë faktorësh, nga kujdesi prenatal dhe lindja, deri te nevojat e përditshme pas lindjes. Në total, këto shpenzime mund të arrijnë mesatarisht 450 mijë lekë, vetëm gjatë vitit të parë të jetës së fëmijës…

Advertisements

Të rritësh një fëmijë sot është bërë më e kushtueshme se kurrë. Çmimet në rritje për mallrat dhe shërbimet po krijojnë sfida të reja për familjet, duke filluar nga nevojat bazë si ushqimi për fëmijë dhe pelenat, e deri te faturat e spitalit, që shpesh mbeten një barrë e rëndë financiare.

Advertisements

Për këtë arsye, është thelbësore që prindërit e ardhshëm të kenë një pasqyrë realiste të shpenzimeve që i presin.

Lajmi i mirë? Foshnjat nuk kanë nevojë për shumë gjëra luksi. Artikujt thelbësorë, si një karrocë për të lëvizur apo një krevat i përshtatshëm, janë të domosdoshëm, por lista nuk është aq e gjatë sa mund të mendohet.

Megjithatë, kostot e përsëritura si kujdesi për fëmijën mund të ndryshojnë ndjeshëm, në varësi të vendndodhjes dhe nevojave specifike të familjes.

Rritja e një të vogli nuk përfshin vetëm emocionet e bukura dhe kujtimet e paharrueshme, por edhe një ndikim të ndjeshëm në buxhetin familjar. Ky realitet kërkon planifikim të kujdesshëm financiar për të përballuar koston e artikujve bazë, por gjithashtu për të bërë zgjedhje të mençura ekonomike.

Gjatë pesë viteve të fundit, çmimet për produktet e fëmijëve janë rritur ndjeshëm. Nga pelenat dhe ushqimet e deri te produktet kozmetike apo veshjet, zgjedhjet janë bërë më të shumta, por edhe më të shtrenjta.

Produktet që blejmë për bebet janë thuajse të gjitha produkte importi. Por edhe për fëmijët në parashkollor apo ata që ndjekin arsimin 9-vjeçar, produktet bazë për ta: veshjet, ushqimet, këpucët janë produkte të importuara dhe prodhime vendase.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2024, inflacioni arriti në 2.2%, por shumica e grupeve të shportës së mallrave u rritën mbi këtë nivel. Rritjen më të lartë të çmimeve në vitin 2024 e kishin zarzavatet (6.2%), kondicionerët (5.4%), akomodimi në hotele (5.2%).

Gjithashtu, rritje mbi mesataren kishin edhe veshjet për fëmijë (5.1%), mallra dhe shërbime shtëpie (4.8%). Të dhëna të detajuara tregojnë se rritje mbi inflacionin mesatar kanë shënuar kryesisht ushqimet dhe mallrat për shtëpinë. Të gjitha mallrat dhe shërbimet që kanë lidhje me shtëpinë, të tilla si elektroshtëpiake, tapiceri, mobilie janë rritur mbi 2.5 deri në 4%.

Kostot variojnë nga disa faktorë:

Si arrihet shtatzënia:
Procesi i ngjizjes është hapi i parë drejt shtatzënisë dhe mund të ndikojë dukshëm në kostot totale, në varësi të metodës së zgjedhur ose e nevojshme për çiftin.

-Ngjizja natyrale:

Ngjizja natyrale është procesi më i zakonshëm dhe shpesh nuk shoqërohet me kosto financiare direkte. Megjithatë, kërkon shëndet të mirë riprodhues të çiftit dhe kohë për të arritur shtatzëninë.

Për shumë çifte, mund të jetë një proces i shpejtë, por për disa të tjerë, mund të zgjasë më shumë se sa pritej, duke sjellë shqetësime dhe nevojën për konsulta mjekësore. Konsultimet fillestare për kontrollin e fertilitetit, edhe pse minimale në krahasim me opsionet e tjera, mund të shtojnë shpenzime të paparashikuara për testime për të dyja gjinitë.

-Fekondimi In Vitro (IVF):

IVF është një nga metodat më të njohura dhe më të përdorura për çiftet që hasin vështirësi. Ky proces është kompleks dhe përfshin disa hapa mjekësorë.

Në Shqipëri, kostoja mesatare për një cikël IVF është rreth 2000 euro, por kjo shumë mund të rritet ndjeshëm nëse nevojiten trajtime shtesë, si përdorimi i donatorëve, analizat gjenetike të embrioneve përpara implantimit, apo trajtime të tjera ndihmëse për të përmirësuar suksesin e procesit.

Në praktikë, në spitalet shtetërore ende nuk ka nisur praktikimi falas i IVF-ve, një projekt i nisur më herët.

Faktorët që ndikojnë në koston e IVF:
-Mosha e gruas: Gratë mbi moshën 35 vjeç shpesh kërkojnë më shumë medikamente ose cikle të përsëritura, duke rritur ndjeshëm koston.

-Gjendja e përgjithshme shëndetësore: Probleme si sindroma e vezoreve policistike (PCOS), endometrioza, apo sëmundje të tjera mund të kërkojnë trajtime paraprake për të përmirësuar shanset e suksesit.

-Numri i cikleve: Mesatarisht, një grua mund të ketë nevojë për më shumë se një cikël IVF për të arritur një shtatzëni të suksesshme, duke shumëfishuar shpenzimet totale.

Ndërkohë, përveç kostove mjekësore, çiftet shpesh përballen me ndikime emocionale dhe stres, të cilat mund të ndikojnë jo vetëm në shëndetin e tyre, por edhe në vendimet e mëtejshme mbi trajtimet.

Kjo bën që ngjizja, natyrale apo artificiale, të jetë një proces që kërkon jo vetëm burime financiare, por edhe mbështetje të plotë psikologjike dhe emocionale.

Femije-bebe-foshnja-lindje-4-1167

Kujdesi Prenatal:
Kujdesi prenatal është një element thelbësor për të siguruar një shtatzëni të shëndetshme, si për nënën, edhe për foshnjën. Ky proces përfshin një seri vizitash, analizash dhe ndërhyrjesh mjekësore që monitorojnë mirëqenien fizike dhe emocionale të nënës dhe zhvillimin e foshnjës.

-Rëndësia e kujdesit prenatal:

Sa më e shëndetshme të jetë nëna gjatë shtatzënisë, aq më të mëdha janë shanset për një shtatzëni të mbarë dhe një lindje të suksesshme.

Kontrolli i rregullt i shtatzënisë ndihmon në zbulimin e hershëm të çdo problemi potencial, si tensioni i lartë, diabeti gestacional, apo infeksionet që mund të ndikojnë në zhvillimin e foshnjës.

-Vizitat dhe analizat rutinë:

Në rastet e një shtatzënie normale, nënat pritet të kryejnë të paktën 8-10 vizita te gjinekologu gjatë gjithë periudhës. Secila vizitë zakonisht përfshin matjen e peshës, tensionit të gjakut, kontrollin e barkut dhe ultratinguj për të monitoruar rritjen e foshnjës.

Gjithashtu, analizat laboratorike rutinë përfshijnë testimin e gjakut dhe urinës për të vlerësuar nivelet e hekurit, glukozës dhe praninë e infeksioneve. Këto vizita dhe analiza bazë mund të kushtojnë rreth 500-700 euro gjatë gjithë periudhës së shtatzënisë.

Kjo pa përfshirë kosto të analizave shtesë si NIFT apo të tjera që dyfishon kostot.

-Komplikacionet dhe kostot shtesë:

Një shtatzëni që has probleme shëndetësore ose komplikacione kërkon trajtim dhe monitorim më të shpeshtë dhe të specializuar. Komplikacione si placenta previa, pre-eklampsia, diabeti gestacional ose lindja e parakohshme janë disa nga problemet më të zakonshme që kërkojnë ndërhyrje shtesë. Në këto raste:

Vizitat te specialistët, si endokrinologët apo kardiologët, mund të shtojnë shpenzime deri në 100-200 euro për çdo vizitë shtesë.
Trajtimet me medikamente të veçanta ose përdorimi i pajisjeve diagnostike më të avancuara, si testet e ADN-së fetale ose ekografi 3D/4D, mund të shtojnë faturën me 1000 euro për rastet e komplikuara.
Në raste ekstreme, si një shtrim i papritur në spital për shkak të komplikacioneve, një ditë në repartin e kujdesit intensiv për nënën mund të kushtojë rreth 200 euro në spitale jopublike.
-Faktorët që ndikojnë në shëndetin e shtatzënisë:

Mosha e nënës: Gratë mbi 35 vjeç kanë më shumë gjasa të përballen me rreziqe gjatë shtatzënisë, duke përfshirë komplikacione kromozomale ose shëndetësore.

Stili i jetesës: Faktorë si ushqyerja e shëndetshme, aktiviteti fizik dhe shmangia e substancave të dëmshme ndikojnë ndjeshëm në rrjedhën e shtatzënisë.

Historia mjekësore: Problemet shëndetësore të mëparshme, si diabeti ose hipertensioni, mund të kërkojnë monitorim më të shpeshtë dhe trajtime të veçanta.

-Mbështetja psikologjike:
Shtatzënia, veçanërisht kur ka komplikacione, mund të jetë stresuese për nënën dhe familjen e saj. Shumë spitale dhe klinika private ofrojnë shërbime të mbështetjes emocionale dhe psikologjike për të përballuar sfidat që vijnë me një shtatzëni të komplikuar, duke shtuar gjithashtu një kosto shtesë.

Lloji i lindjes
Zgjedhja ose nevoja për një lloj të caktuar lindjeje, natyrale ose me operacion cezarian, ndikon ndjeshëm në koston totale të procesit të lindjes. Kjo diferencë nuk është vetëm një çështje financiare, por edhe e natyrës së procedurës, komplikimeve të mundshme dhe kujdesit pas lindjes.

-Lindja natyrale:

Lindja natyrale është procesi biologjik që zakonisht kërkon më pak ndërhyrje mjekësore. Në teorinë e kujdesit publik, kjo lloj lindjeje ka një kosto minimale ose është falas për nënat që kanë sigurime shëndetësore.

Megjithatë, në praktikë, shpesh hasen kosto të tjera “të fshehura”, si pagesa për kujdes shtesë nga mjekët, infermierët apo stafi tjetër, që në spitale publike zakonisht variojnë nga 30,000 deri në 60,000 lekë.

Në sektorin privat, lindja natyrale kushton mesatarisht 1000 euro, duke përfshirë shërbime si dhomat private, mbikëqyrjen e vazhdueshme dhe kujdesin post-lindje.

-Lindja me cezarian:

Operacioni cezarian është një procedurë kirurgjikale që kryhet kur lindja natyrale është e pamundur ose e rrezikshme për nënën ose foshnjën. Për shkak të natyrës më komplekse të këtij operacioni, kostoja e tij është më e lartë.

Në spitale private: Çmimet për një lindje cezariane zakonisht kushtojnë 1300 euro, në varësi të spitalit dhe paketës së shërbimeve të përfshira. Paketat shpesh përfshijnë kujdesin pas operacionit, dhomat private dhe mbikëqyrjen nga specialistët.
Në spitale publike: Megjithëse teorikisht shërbimi duhet të jetë falas për nënat me sigurime shëndetësore, në praktikë prindërit shpesh përballen me kosto shtesë për ilaçe, pajisje kirurgjikale apo kujdes të personalizuar nga stafi mjekësor. Shpenzimet në këto raste zakonisht arrijnë mesatarisht në 50 mijë lekë.
-Faktorë që ndikojnë në zgjedhjen e llojit të lindjes:

Gjendja shëndetësore e nënës dhe foshnjës: Komplikacionet gjatë shtatzënisë, si placenta previa, hipertensioni ose pozicioni jo i duhur i foshnjës, shpesh kërkojnë një lindje cezariane.
Preferencat personale: Disa gra zgjedhin cezarianin për arsye personale, si shmangia e dhimbjes së lindjes natyrale, por kjo shpesh shoqërohet me kosto më të lartë në sektorin privat.
Ndikimet kulturore dhe sociale: Në disa raste, rekomandimet e mjekëve ose dëshira për një kujdes më të mirë shtyjnë shumë familje të zgjedhin spitalet private, pavarësisht kostove më të larta.
-Shërbimet shtesë dhe kujdesi pas lindjes:

Në të dyja rastet, lindja kërkon kujdes të vazhdueshëm për nënën dhe foshnjën pas procesit. Këto shërbime përfshijnë kujdesin nga mami, medikamente për qetësimin e dhimbjeve dhe trajtimet për komplikacionet e mundshme. Në rastin e lindjeve cezariane, periudha e rikuperimit është më e gjatë dhe shpesh kërkon shpenzime shtesë për barnat dhe kontrollet post-operacionale.

-Kostot “e fshehura”:

Në spitale publike, edhe pse shërbimi teorikisht është falas, shumë familje përballen me kosto të tjera të papritura. Këto përfshijnë blerjen e materialeve mjekësore, pagesat për mjekët ose mamitë dhe shpesh dhurata simbolike për stafin, të cilat shtojnë barrën financiare për familjen. Gjithashtu, kostot për ushqimin e nënës apo qumështin e bebes etj.

Mjekime shtesë pas lindjes ose hospitalizim të nënës ose fëmijësPas lindjes, situatat e paparashikuara mund të kërkojnë trajtim shtesë për nënën, foshnjën, ose të dyja. Këto mjekime dhe shërbime shtesë mund të ndikojnë ndjeshëm në koston totale të kujdesit shëndetësor, duke e rritur faturën përtej asaj që mund të ishte planifikuar fillimisht.
-Komplikacionet e nënës pas lindjes:

Nëna mund të përballet me komplikacione pas lindjes, si hemorragji, infeksione ose vështirësi të tjera që kërkojnë trajtim të specializuar. Këto situata shpesh kërkojnë mjekim shtesë, transfuzione gjaku, operacione shtesë ose trajtime më të gjata në spital.

Në spitale private, trajtimi për një komplikacion të tillë mund të kushtojë disa qindra deri në mijëra euro, në varësi të gjendjes dhe nevojave specifike.

-Trajtimi për foshnjën e sapolindur:

Në rastet kur foshnja lind para kohe, me peshë të ulët, ose me probleme të tjera shëndetësore, mund të jetë e nevojshme vendosja në inkubator ose trajtime të tjera intensive. Inkubatorët, të cilët ofrojnë një mjedis të kontrolluar për foshnjat e parakohshme ose të dobëta, janë një shërbim jetik, por me kosto të lartë.

Çmimi për një natë në inkubator varion nga 150 deri në 200 euro në spitale private dhe për një qëndrim të zgjatur, kostoja mund të arrijë në mijëra euro.

Në rastet kur foshnja ka nevojë për reanimim intensiv, si ventilim mekanik ose mbikëqyrje nga një ekip specialistësh, çmimi rritet ndjeshëm.

Një natë në reanimacion neonatal kushton mesatarisht 200 euro dhe në rast të komplikacioneve të mëdha, kjo shumë mund të rritet në varësi të trajtimit.

-Rastet e rënduara:

Në disa raste, mund të lindë nevoja për ndërhyrje kirurgjikale emergjente te foshnja ose për një qëndrim të gjatë në repartin e kujdesit intensiv. Këto trajtime janë të domosdoshme për të siguruar mbijetesën dhe shëndetin afatgjatë të foshnjës, por ato përfshijnë një sërë shpenzimesh shtesë për mjekime, analiza dhe ndihmë mjekësore të specializuar.

-Faktorët që ndikojnë në koston e trajtimeve shtesë:

Lloji i spitalit: Në sektorin publik, teorikisht këto trajtime janë të mbuluara nga shteti për nënat që kanë sigurime shëndetësore, por në praktikë, familjet shpesh përballen me kosto shtesë për barnat, pajisjet mjekësore ose mbështetjen nga stafi. Në sektorin privat, këto shërbime paguhen plotësisht nga familja, me çmime që variojnë ndjeshëm.
Gjatësia e qëndrimit në spital: Për çdo ditë shtesë që nëna ose foshnja qëndron në kujdes intensiv, kostot rriten proporcionalisht. Në disa raste, qëndrimet e zgjatura për komplikacione serioze mund të arrijnë deri në disa mijëra euro.
Mbulimi nga sigurimet shëndetësore: Niveli i mbulimit të sigurimeve shëndetësore ndikon gjithashtu në barrën financiare. Sigurimet private zakonisht ofrojnë mbulim më të gjerë për këto situata, ndërsa sigurimet publike shpesh mbulojnë vetëm shpenzimet bazë.
5.Përkujdesja e bebit të sapolindur:

Një nga aspektet më të rëndësishme të rritjes së një fëmije është përkujdesja që ai ka nevojë menjëherë pas lindjes.

Gjatë muajve të parë të jetës, foshnjat janë veçanërisht të ndjeshme dhe kërkojnë vëmendje të vazhdueshme nga prindërit dhe mjekët.

Shpenzimet për kujdesin e bebit të sapolindur mund të jenë të ndryshme, në varësi të shëndetit të tij dhe nevojave speciale që mund të lindin.

-Nevoja për kujdes të veçantë dhe ndihmë mjekësore:

Një fëmijë i sapolindur mund të ketë nevoja të ndryshme, si ndihmë për të ushqyer, për të pastruar apo për të ngrohur, por ka edhe raste kur kërkohen trajtime më të thelluara.

Për shembull, foshnjat që lindin para kohe ose me probleme shëndetësore mund të kërkojnë mbikëqyrje më të specializuar, si monitorim të rregullt të temperaturës, niveleve të oksigjenit dhe peshës trupore dhe mund të kenë nevojë për inkubim ose terapi për zhvillimin e mushkërive dhe organeve të tjera të rëndësishme.

Këto trajtime, që mund të zgjasin disa javë ose muaj, shoqërohen me kosto shtesë të konsiderueshme.

Nëse fëmija ka nevojë për qëndrim në një repart të veçantë mjekësor për ndihmë intensive, shpenzimet për një qëndrim në inkubator mund të jenë shumë të larta, ndonjëherë duke shkuar deri në 1000-2000 euro në muaj.

-Vizitat rutinë të pediatrit:

Për shumicën e fëmijëve, përkujdesja e zakonshme pas lindjes është e kufizuar në vizita të rregullta të pediatrit.

Në këto vizita kontrollohet zhvillimi i përgjithshëm i fëmijës, rritja e tij dhe sigurohet që të mos ketë asnjë shenjë të problemeve të mundshme shëndetësore.

Këto kontrolle janë thelbësore për të siguruar që fëmija zhvillohet si duhet dhe për të zbuluar çdo problem të mundshëm në fazat e hershme. Shpenzimet për këto vizita janë zakonisht më të ulëta, por përsëri mund të krijojnë një ngarkesë financiare, veçanërisht për familjet që vizitojnë mjekun me frekuencë të lartë.

Çmimi për një vizitë të zakonshme pediatrike varion në Shqipëri, por mesatarisht është rreth 2500 – 3500 lekë për vizitë. Kjo tarifë mund të jetë më e lartë në raste kur kërkohen analiza shtesë ose ndihmë për trajtimin e ndonjë sëmundjeje të vogël, pas lindjes.

-Nevoja për barna dhe shtesa të tjera:

Përkujdesja e bebit gjithashtu përfshin sigurimin e barnave dhe produkteve të nevojshme për zhvillimin e tij të shëndetshëm. Këtu përfshihen qumështi formulë, vitaminat dhe minerale që mund të kërkohen për mbështetje të shëndetit të foshnjës, si dhe kremrat dhe produkte të tjera për kujdesin e lëkurës delikate të bebit.

Për foshnjat që lindin para kohe, ndihma mjekësore shtesë dhe ilaçet për mbështetje të sistemit të tyre imunitar mund të kenë kosto të larta.

Po ashtu, çdo lloj trajtimi i caktuar për ndonjë problem të mundshëm shëndetësor, që mund të zhvillohet në këtë periudhë, mund të kërkojë barna të shtrenjta, të cilat mund të shkojnë deri në 5000 – 10000 lekë në muaj, në varësi të nevojave.

-Shpenzimet e tjera për kujdesin e bebit:

Përveç vizitave të zakonshme te pediatri dhe mjekimeve të mundshme, prindërit duhet të mbulojnë shpenzime të tjera për furnizimin e fëmijës me pajisje dhe produkte të nevojshme për përkujdesjen e tij.

Këtu përfshihen pelenat, veshjet e foshnjës, produktet për higjienën dhe materiale të tjera të përdorura për sigurinë dhe komfortin e bebit.

Pelenat, për shembull, mund të shkojnë deri në 3000 – 5000 lekë në muaj, dhe ato janë një shpenzim i përsëritur deri në vitin e dytë të jetës.

-Ndikimi i nevojave speciale në shpenzimet familjare:

Nëse foshnja ka nevoja speciale, si përkujdesje për zhvillimin motorik ose ndihmë për trajtimin e ndonjë problemi të shëndetit mendor ose fizik, shpenzimet mund të rriten ndjeshëm.

Për shembull, fëmijët që kanë nevojë për terapi të vazhdueshme, si terapia për zhvillimin e aftësive motorike ose logopedike, kërkojnë vizita të shpeshta, të cilat mund të kushtojnë mesatarisht 1500 lekë për seancë.

Këto shpenzime janë shumë të rëndësishme për të siguruar zhvillimin e duhur të fëmijës dhe mund të shtohen në faturën e përgjithshme përkujdesin e tij.

Grupim-kategoritë e shpenzimeve:

Në procesin e rritjes dhe zhvillimit të një fëmije, shpenzimet mund të ndahen në dy periudha kryesore: paralindja dhe paslindja. Secila periudhë ka nevojat dhe kërkesat e saj të veçanta, të cilat reflektohen në shpenzimet që prindërit duhet të mbulojnë për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm për fëmijën.

1.Paralindje: Shpenzimet gjatë shtatzënisë dhe përgatitjet për lindje

Në periudhën e shtatzënisë, prindërit përballen me një sërë shpenzimesh përgatitore për të siguruar një mjedis të shëndetshëm dhe të përgatitur për lindjen e fëmijës.

Këto shpenzime përfshijnë një sërë kategorish, të cilat janë të domosdoshme për mirëqenien e nënës dhe fëmijës:

-Ndjekja e shtatzënisë: Gjatë gjithë periudhës së shtatzënisë, është e domosdoshme të kryhen kontrolle të rregullta mjekësore për të siguruar që shtatzënia po zhvillohet siç duhet dhe për të zbuluar çdo komplikacion të mundshëm.

Shpenzimet për analiza, ekografi dhe vizita mjekësore, mund të ndryshojnë në varësi të spitalit dhe mjekëve që ndjekin shtatzëninë. Këto shpenzime mund të arrijnë deri në 1,000.000.

-Lindja: Lindja është një moment kulmor dhe kërkon përgatitje të posaçme. Shpenzimet për lindjen përfshijnë tarifën e spitaleve, shpenzimet për mjekimin e nënës dhe ndihmën e stafit mjekësor.

Në spitale private, këto shpenzime mund të variojnë nga 1000 – 1300 euro, ndërsa në spitale publike teorikisht nuk ka kosto, por në praktikë janë të lidhura me kosto shtesë për mjete që nuk janë të përfshira në paketën e sigurimeve shëndetësore.

-Veshje të nënës: Gjatë shtatzënisë, nëna ka nevojë për veshje të posaçme që janë të rehatshme dhe mbështetëse për trupin e saj. Këto përfshijnë veshje për periudhën e shtatzënisë, por edhe veshje për periudhën e paslindjes.

Këto shpenzime mund të variojnë, por mesatarisht mund të arrijnë deri në 30,000 lekë

-Ndryshimi i ushqyerjes së nënës: Në periudhën e shtatzënisë, nëna duhet të konsumojë ushqime të pasura me lëndë ushqyese për të siguruar zhvillimin e shëndetshëm të fëmijës. Shpenzimet për dieta të pasura dhe ushqime speciale mund të rriten, veçanërisht për shtatzëni të veçanta që kërkojnë suplemente ushqimore.

Mesatarisht, për këtë periudhë, mund të jenë të nevojshme kosto ushqimore që arrijnë deri në 10,000 lekë në muaj.

-Medikamente dhe multivitamina: Për të siguruar shëndetin e nënës dhe fëmijës gjatë shtatzënisë, shumë gra duhet të marrin medikamente shtesë, si multivitamina dhe minerale.

Këto janë të nevojshme për të mbështetur shëndetin e nënës dhe për të parandaluar mungesat ushqyese. Kostoja mesatare për këto shtesa është rreth 2,000 – 4,000 lekë në muaj.

Përllogaritur gjithsej, për periudhën e paralindjes, përfshirë procesin e lindjes, shpenzimet mund të arrijnë mesatarisht 200 mijë lekë në harkun kohor të 9 muajve, duke përfshirë të gjitha kategoritë e mësipërme.

2.Paslindja: Shpenzimet për kujdesin e foshnjës dhe nevojat e tjera

Pasi foshnja lind, shpenzimet vazhdojnë dhe përfshijnë një gamë të gjerë shërbimesh dhe pajisjesh të nevojshme për kujdesjen e tij. Kjo periudhë përfshin:

-Pelenat: Pelenat janë një nga shpenzimet më të larta gjatë muajve të parë të jetës së foshnjës.

Ato janë një nevojë e përditshme dhe të domosdoshme për të mbajtur foshnjën të pastër. Shpenzimet për pelenat mund të arrijnë deri në 3000 – 5000 lekë në muaj, duke e bërë këtë një shpenzim të vazhdueshëm për prindërit.

-Kozmetika e bebit: Foshnjat kërkojnë produkte speciale kozmetike për kujdesin e lëkurës së tyre të ndjeshme.

Kjo përfshin shampo, kremra hidratues, pastrues dhe produkte të tjera për higjienën e trupit të foshnjës. Shpenzimet për këto produkte mund të shkojnë mesatarisht 5,000 lekë në muaj për vitin e parë.

-Rrobat e bebit: Foshnjat kanë nevojë për rroba të veçanta që janë të rehatshme dhe sigurojnë zhvillimin e duhur.

Këto rroba duhet të jenë të përshtatshme për stinën dhe të lehta për t’u veshur. Mesatarisht, shpenzimet për rroba të foshnjës mund të jenë mesatarisht 50,000 lekë gjatë gjashtë muajve të parë.

-Seti i karrocës dhe pajisjet e tjera për fëmijën: Një karrocë e mirë për foshnjën është një investim i nevojshëm dhe mund të kushtojë mesatarisht 50,000 – 100,000 lekë, përveç kostos së aksesorëve të tjerë, si mbulesat e karrocës dhe mbajtësit e foshnjës, tavolina e ndërrimit apo edhe pajisje të tjera që nuk grupohen te domosdoshmëritë.

-Krevati dhe mobiliet për dhomën e bebit: Një krevat i sigurt dhe mobilie të tjera janë të domosdoshme për të siguruar një mjedis të rehatshëm për fëmijën. Kostoja mesatare për këto pajisje është rreth 30,000 lekë.

-Mjete për ushqyerje dhe qumësht formula: Nëse nëna nuk mund të ushqejë fëmijën me gji, qumështi formula është një nevojë e përditshme. Shpenzimet për qumështin formula janë të konsiderueshme dhe mund të arrijnë deri në 15,000 në muaj.

Shpenzimet shtohen pas muajit të gjashtë të bebit në të cilin nis ushqyerja e tyre me ushqimet përkatëse të moshës.

-Aksesorët e tjerë: Këto përfshijnë lodra, tavolina për ngrënie, monitorë për të kontrolluar fëmijën dhe elemente të tjera që sigurojnë rehati dhe siguri. Shpenzimet për aksesorët e tjerë mund të shkojnë deri në 20,000 lekë.

Përllogaritur gjithsej, shpenzimet për periudhën e paslindjes mund të arrijnë rreth 250,000 lekë për vitin e parë të jetës së fëmijës, duke përfshirë të gjitha kategoritë e mësipërme.

Shpenzimet për periudhën e paralindjes dhe paslindjes janë të konsiderueshme dhe kërkojnë një planifikim të mirëfinancuar për të siguruar që çdo nevojë e foshnjës dhe nënës të mbulohet pa stres financiar./Monitor