Blegtorët e jugut në protestë: Shteti të rrisë subvencionet për qumështin

Blegtorët e Gjirokastrës dhe Sarandës kanë zhvilluar një protestë tjetër këtë të shtunë në vendin e njohur si Ura e Kardhiqit, duke kërkuar mbështetje të menjëhershme nga shteti për një sektor të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare.

Advertisements

Ata shprehen të shqetësuar për uljen e ndjeshme të çmimit të grumbullimit të qumështit nga baxhot e bulmetit, që ka sjellë vështirësi të mëdha financiare dhe ka rrezikuar mbijetesën e këtij sektori jetik.

Advertisements

Sipas blegtorëve protestues baxhot e bylmetit kanë ulur ndjeshëm çmimin e grumbullimit të qumështit nga 170 lekë/litër në 130-140 lekë/litër duke i çuar prodhuesit dhe blegtorët drejt falimentimit.

Blegtorët kërkojnë një takim urgjent me përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe kanë parashtruar një sërë kërkesash, përfshirë vendosjen e një çmimi tavan për qumështin, dyfishimin e subvencioneve, transparencë në ndarjen e kullotave dhe ndërtimin e veprave ujore që do të shërbejnë për zhvillimin e blegtorisë.

Një nga protestuesit, ka deklaruar: “Shqetësimi ynë është që punojmë natë e ditë dhe kafshët i kemi lënë brenda, por çmimet po ulin nga ora në orë. Kemi dy muaj që japim qumësht dhe nuk kemi marrë lekët që na takojnë. Na kanë ulur çmimet me 30 lekë që nga viti i kaluar. Përfituesit janë disa dhe mijëra blegtorë po vuajnë. Kërkojmë mbështetje dhe drejtësi, sepse më nuk mund të vazhdojmë kështu.”

“Ne jemi pensionista dhe shkojmë me bagëti sepse nuk kemi mese të blejmë ilaçet, unë jam 76-vjeç vete njeriu me bagëti në këtë moshë, në shi, dëborë dhe të ftohtë, na kanë mashtruar prandaj të merren masa”, thotë një tjetër blegtor.

Protestuesit kanë shprehur një ndjenjë frustrimi dhe dëshpërimi, duke kërkuar që shteti të marrë masa konkrete për të mbrojtur interesat e tyre dhe për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm të blegtorisë.