Një rast i ri i meningjit akut është regjistruar në Durrës, ku një 14-vjeçar është dërguar me urgjencë në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës. I mituri kishte shfaqur simptoma të menjëhershme të sëmundjes dhe ishte diagnostikuar me meningit pas vizitës në spitalin e Durrësit gjatë fundjavës që kaloi. Aktualisht, ai ndodhet nën kujdesin intensiv të mjekëve në QSUT, ndërkohë që situata është mbajtur e fshehtë nga autoritetet shëndetësore.
Advertisements
Ky rast ka shkaktuar shqetësim te prindërit e nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Kushtrimi i Lirisë”, pasi ata kanë shfaqur ankesat e tyre për mungesën e masave profilaktike. Ata kanë deklaruar për TCH, në një bisedë jashtë mikrofonit, se nuk janë njoftuar për situatën dhe se në shkollë nuk janë marrë masat e nevojshme për parandalimin e përhapjes së meningjitit. Për momentin, nxënësit e kësaj shkolle po vijojnë mësimin në shkollën pritëse “Eftali Koçi”, pasi godina e tyre është në proces rikonstruksioni të plotë.
Advertisements
Ky incident vjen pas një rasti tjetër tragjik që ndodhi në dhjetor të vitit të kaluar, ku një 17-vjeçare humbi jetën nga meningiti akut, pas një përkeqësimi të shpejtë të gjendjes shëndetësore. Ajo kishte shfaqur simptoma të një infeksioni viral të lehtë pas një ekskursioni shkollor në Voskopojë, por pas përkeqësimit të shpejtë të gjendjes, u diagnostikua me meningit akut në QSUT.
Për të parandaluar përhapjen e sëmundjes, personat që ishin të ekspozuar, përfshirë familjarët, nxënësit dhe stafin mjekësor, iu rekomandua të merrnin medikamente profilaktike, ndërsa ambientet e gjimnazit ku ndodhi rasti u dezinfektuan me urgjencë.