DOSJA E GJKKO/ Zbardhet një tjetër rast skandaloz, Ajola Xoxa mori 18 mijë dollarë nga ambasada e SHBA për projekte fantazmë

Zbardhet një tjetër rast skandaloz që pasqyrohet në dosjen e zbardhur nga GJKKO dhe gjyqtari Erion Bani, ku tregohet se Ajola Xoxa ka marrë plot 18 mijë dollarë nga ambasada amerikane për projekte që do të realizoheshin në periudhën janar-korrik të vitit 2022.
Por çfarë ka ndodhur?

Advertisements

Në komunikimet e dy bashkëpunëtoreve të Ajola Xoxës, financieres Adela Kondakçiu dhe ish-drejtoreshës së BYLA-s, Ina Goxhaj, rezulton se janë lëshuar fatura fiktive për këto projekte dhe siç theksohet në vendimin e GJKKO-së të paktën deri në maj nuk është kryer asnjë nga aktivitetet për të cilat ambasada e SHBA-së ka financuar.

Advertisements

Në faqen 350 Adela Kondakçiu për herë të parë shfaq shqetësim për realizimin e projektit të financuar nga ambasada amerikane.

KOMUNIKIMET MES ADELA KONDAKÇIUT DHE INA GOXHAJT

Komunikimi i mëposhtëm në të njëjtën faqe tregon që të paktën deri më datë 30.05.2022 nuk është realizuar asnjë aktivitet, duke pasur parasysh që shtrirja në kohë e aktivitetit i përket periudhës janar-korrik 2022.

Adela Kondakçiu thotë: “Por kam një shqetësim që është realizimi i projektit sepse ambasada do dojë disa foto gjëra apo jo?”

Ky komunikim tregon qartë se të paktën deri në këtë datë nuk është bërë asgjë nga projekti i financuar nga ambasada në fjalë.

Kjo duket edhe më qartë në komunikimet që pasojnë.

Adela Kondakçiu në faqen 351 thotë: “Që të bënin edhe ndonjë gjë nga ato që duan ata mos të dalim keq”.

Pra, rezulton se nuk kanë asgjë të paktën deri në fund të muajit maj 2022.

Ina Goxhaj i thotë: “Prandaj dua Ejonën. Që të më sigurojë fotot.”

Adela Kondakçiu vijon: “Se do na lënë pastaj këto dhe do mbesim keq. Se do na lënë zbuluar pastaj, s’ia kemi besën.”

Pra, drejtori ekzekutiv i organizatës kërkon të takojë një person tjetër në mënyrë që të sigurojë fotot e nevojshme që provojnë zhvillimin e projektit të financuar nga ambasada amerikane në Tiranë.

Adela vijon: “Unë do përpiqem të takoj pak Ildën, do t’i shkruaj një nga këto ditë se kur do kalojë në zyrë.”

Ina Goxhaj i përgjigjet: “Se kam hall se në fund do thotë Ejona, plotëso çekun dhe i marrin lekët dhe ne mbetemi pa gjë fare.”

Këto komunikime e tregojnë qartë se ku përfundojnë fondet e ambasadës amerikane në Tiranë, pasi theksohet në vendim që nuk është kryer asnjëri nga aktivitetet për të cilat SHBA ka paguar dhe që janë lëshuar fatura fiktive dhe janë shpërndarë.

Edhe pas të gjitha këtyre fakteve ambasada amerikane nuk ka reaguar ndaj një skandali të tillë, edhe pse ka paguar plot 18 mijë dollarë për OJF-të e Ajola Xoxës./Oranews