Tiranë, 25 shkurt 2025 – Seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, ku po rrëfehet i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, për dosjen e njohur “Plumbi i artë”, ka vijuar me debate dhe tensione. Dumani ka dhënë detaje për marrëdhënien e tij me Talo Çelën, duke pohuar se ky i fundit kishte dashur ta vriste, dhe ka përshkruar miqësinë e vjetër mes tyre dhe sherret që çuan në hakmarrje të përgjakshme, me disa viktima.
Advertisements
Dumani u shpreh për ngjarjet që çuan në hakmarrje: “Unë për vrasjen e vëllait të Talos nuk mora asnjë lek, sepse u përfshiva për hakmarrje, pasi u vra Klevis Kapllani. Lekët për vrasjen e Bujar Çelës i kanë sjellë të nesërmen në Vorë, me një makinë, pagoi Erjon Alibej.”
Advertisements
Gjithashtu, i arrestuari Enver Diva dha dëshmi në seancë, ku përmendi një takim me dy biznesmenë dhe dy deputetë në një lokal. Sipas tij, ata i dhanë foton e Talo Çelës dhe një çantë me para, duke i kërkuar që ta vriste. Diva tha: “Nuredin Dumani takoi 2 biznesmenë dhe 2 deputetë në një lokal, i dhanë foton e Talo Çelës dhe një çantë me lekë dhe i thanë ‘e duam të vrarë’, pse nuk i tregon ky këto…?!”
Megjithatë, Nuredin Dumani reagoi në sallë duke kundërshtuar këto pohime: “Nuk është e vërtetë kjo”, tha ai.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.