Prokuroria e Posaçme, SPAK, ndau zyrtarisht detaje mbi hetimin që çoi në pranga 3 shefa policie dhe shpalli në kërkim një ish-efektiv të Operacionales, të akuzuar si të përfshirë në grupe kriminale të kultivimit e trafikut të kanabisit.
Advertisements
SPAK “zbërtheu” dy grupe kriminale, aktivë në harkun kohor 2019-2021, një nga të cilët dyshohet se drejtohej nga Kristo Qirici, vëllai i Edmond Papës, biznesmenit të ekzekutuar në dhjetor 2022 në Tiranë. Ndonëse SPAK mori dritë jeshile për 10 arrestime nga Gjykata, Policia e Shtetit gjeti dhe prangosi vetëm tre prej tyre, shefin e krimeve në Komisariatin e Himarës, Shkelzen Ruska, shefin e Krimeve në Komisariatin e Lushnjës, Ervis Alisinanaj dhe ish-efektivin e Forcave Operacionale, Erdit Hazizaj.
Advertisements
Ndërsa Ervis Dervishi, me detyrë shef i Policisë Kufitare Sarandë dhe gjashtë të dyshuar të tjerë janë shpallur në kërkim, pas dyshimeve se ndodhen jashtë vendit. Policia e Shtetit njoftoi të dielën pezullimin nga detyra të Ruskës, Alisinanajt dhe Dervishit. Sipas SPAK, punonjësit e policisë, të vënë në pranga, duke shfrytëzuar pozicionin e atëhershëm të Policisë së Shtetit, i kanë ndihmuar drejtuesit e grupit kriminal me këshilla dhe informacione të vazhdueshme për mirëfunksionimin e veprimtarisë kriminale, si edhe duke u krijuar siguri anëtarëve të grupit kriminal.
SPAK ka dokumentuar dy episode të trafikut, që dyshohet se kultivohej në zonën e Sarandës, në ambient të mbyllur dhe në zonën Gjirokastër-Tepelenë, me qëllim trafikimin drejt Greqisë. Më 7 mars 2020 grupi i kryesuar nga Qirici ka kaluar përmes “Qafë Botës” një sasi prej 1.1 ton kanabis, por edhe sasi të vogla kanabisi çokollatë dhe vaj, me një vlerë prej gati 1.7 milionë euro. Sasia në fjalë i është sekuestruar dy italianëve të dënuar në Greqi. Ndërsa grupit tjetër, të drejtuar nga një person me iniciale L. B., më 1 tetor 2020 i është bllokuar pranë fshatit Salari në Tepelenë, një sasi prej 1300 bimë të njomja kanabis, me kërcell degë gjethe e boçe, me peshë në total 1.2 ton, që ndodheshin brenda një furgoni.
Në një episod tjetër në vitin 2020, Ervis Alisinanaj, atë kohë shef i krimeve në Sarandë, ka diktuar që një armë të gjetur në automjetin e një prej aëntarëve të grupit kriminal, ta merrte përsipër një i mitur. Sipas SPAK, punonjësit e policisë të akuzuar, duke kryer apo mos kryer veprime “i kanë sjellë një dëm të konsiderueshëm interesave të ligjshëm të shtetit, duke cënuar sigurimin e veprimtarisë së rregullt ligjore të punonjësve të Policisë së Shtetit, si dhe duke cënuar besueshmërinë e Policisë së Shtetit përpara publikut në lidhje me misionin e saj për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike, garantimin e zbatimit të ligjit”.