Gara sapo ka nisur dhe sinjalet janë shqetësuese. Kryeministri polak, Donald Tusk, ka deklaruar se vendi i tij synon të krijojë një ushtri me 500 mijë trupa aktive dhe të marrë akses në arsenalin bërthamor.
Advertisements
“Ne duhet të vetëdijësohemi se Polonia duhet të synojë për kapacitetet më modern, gjithashtu lidhur me armët bërthamore dhe armët moderne jokonvencionale. Kjo është një garë për sigurinë, jo për luftën”, është shprehur Tusk në parlamentin polak.
Advertisements
Sipas tij, shembulli i Ukrainës, një vend që hoqi dorë nga arsenali bërthamor dhe mandej u sulmua nga Rusia ilustron sesa të nevojshme janë masat që duhen marrë. Ideja që qëndron pas kësaj politike është mobilizimi.
Tusk tha se Polonia aktualisht ka 200 mijë trupa aktive, që e bën atë ushtrinë e tretë më të madhe të NATO-s, pas SHBA dhe Turqisë. Ukraina ka 800 mijë trupa, kurse Rusia, 1.3 milionë trupa.
“Çdo mashkull i shëndetshëm duhet të stërvitet që të jetë i aftë të mbrojë vendin në rast nevoje. Ne do të përgatitemi në një mënyrë të tillë që të mos jetë barrë për popullin”, shtoi Tusk.
Tusk tha se gratë gjithashtu mund t’i nënshtrohen trajnimit ushtarak, por “lufta është ende në një masë më të madhe domeni i burrave”.
Kryeministri tha se qeveria e tij po “shqyrtonte me kujdes” propozimin e Francës për të përfshirë Europën nën ombrellën e saj bërthamore.
“Do të doja të dija para së gjithash në detaje se çfarë do të thotë kjo për sa i përket autoritetit mbi këto armë”, tha ai.
Tusk vuri në dukje se Ukraina u pushtua pasi hoqi qafe arsenalin e saj bërthamor, duke shtuar se Varshava do të donte të merrte armët e veta bërthamore, sado e largët të jetë kjo mundësi.
“Sot, është e qartë se ne do të ishim më të sigurt nëse do të kishim arsenalin tonë bërthamor, kjo është pa dyshim. Në çdo rast, rruga drejt kësaj do të ishte shumë e gjatë dhe gjithashtu do të duhej të kishte një konsensus,” tha ai.
Polonia tashmë po planifikon të shpenzojë 4.7% të prodhimit të saj ekonomik për mbrojtjen këtë vit, përqindja më e lartë në aleancën e NATO-s.