“Ditë të zeza” për Sali Berishën, DASH shuan ëndrrat e kreut të PD, rasti i “Dodik” paralajmëron ndëshkimin ndaj të…

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dërguar një mesazh të qartë dhe të prerë, duke i dhënë një shuplakë të fortë gjithë atyre që ëndërronin ndryshimin e politikës amerikane ndaj të shpallurve “non-grata”. Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka drithëruar të gjithë ata që menduan se ardhja e presidentit Donald Trump do të sillte falje për të korruptuarit. Në Ballkan, dy persona ishin të entuziazmuar pas triumfit të Donald Trump: Milorad Dodik dhe Sali Berisha. Të dy të shpallur “non-grata” nga SHBA, të dy nën hetim dhe të dy me shpresa të mëdha për të shpëtuar nga ndëshkimi. Dodik, lideri serb i Republikës Srpska, e festoi hapur fitoren e Trump, duke ironizuar Ambasadën Amerikane në Sarajevë. Po ashtu, edhe në Tiranë shampanja u hap, me Berishën që e shpalli veten si fitues të madh nga rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.

Advertisements

Goditja

Advertisements

Por sot, buzëqeshjet janë rrudhur. Zoti Rubio ka dhënë një sinjal të fortë që për Berishën dhe të gjithë të shpallurit “non-grata” nga DASH, nuk ka kthim pas. Në një mesazh të drejtpërdrejtë, Rubio ka paralajmëruar liderin serb të Bosnjës, Milorad Dodik, për destabilizimin që po shkakton në rajon, duke e cilësuar si një kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje-Hercegovinës. Ky qëndrim tregon se administrata e re në SHBA nuk ka ndërmend të tolerojë politikanë të korruptuar, edhe nëse ata janë mbështetës të Trump. “Qeveria jonë u bën thirrje liderëve politikë në Bosnje e Hercegovinë për t’u angazhuar në dialog konstruktiv dhe të përgjegjshëm. Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë në rajon të bashkohen me ne për ta kundërshtuar këtë sjellje të rrezikshme dhe përshkallëzuese”, deklaroi Rubio.

Por ky mesazh e tronditi Dodikun, i cili u hodh në sulm ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit, duke thënë: “Ai gabon kur e thotë këtë. Do të ishte mirë të lexonte se çfarë po ndodh këtu dhe jo thjesht të pranojë narrativat e rreme të krijuara nga administrata e Biden”. Mirëpo kjo deklaratë tregoi qartë zhgënjimin dhe frikën që ka kapluar liderin serb të Bosnjës. Dhe pyetja e madhe tani është: a do të ndodhë e njëjta gjë me Berishën? Do ta sulmojë edhe ai administratën amerikane nëse nuk i plotëson dëshirat? Sepse, ashtu si Dodik, edhe Berisha kishte shpresuar se Trump do ta shpëtonte nga vendimi i shpalljes “non-grata”.

Mesazhi

Prej muajsh, ai dhe njerëzit pranë tij kanë deklaruar se kjo masë do të hiqej, duke u bazuar në ndryshimet politike në SHBA. Por reagimi i Rubios e rrëzon këtë teori dhe tregon se lufta kundër korrupsionit mbetet një prioritet i palëkundur i SHBA-së. Rasti i Berishës është edhe më i rëndë, sepse ai nuk është vetëm një politikan i shpallur “non-grata”, por një figurë që ka sfiduar hapur Shtetet e Bashkuara. Ai madje kishte kërcënuar me padi ndaj ish-Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, në një gjykatë në Paris, por sot asnjë veprim nuk është ndërmarrë në këtë drejtim. Megjithatë paralajmërimi i Rubios nuk është një rast i izoluar.

Disa ditë më parë, një gjykatë në New York refuzoi kërkesën e një politikani afrikan, Margibi J. Emmanuel Nuquay, për të hyrë në SHBA, pasi ai ishte shpallur “non-grata” për korrupsion. Ky precedent tregon se, pavarësisht kush është në Shtëpinë e Bardhë, lufta ndaj politikanëve të korruptuar nuk do të ndalet. Në shpalljen e sanksioneve ndaj familjes Berisha, Departamenti Amerikan i Shtetit ishte i qartë: “Përveç Sali Berishës, unë po caktoj publikisht bashkëshorten e tij, Liri Berisha, djalin e tij, Shkëlzen Berisha dhe vajzën e tij, Argita Berisha Malltezi. Këta individë nuk kanë të drejtë të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara”.

Kjo situatë lë Berishën në një pozicion të vështirë, teksa të gjitha përpjekjet e tij për të fituar mëshirën e administratës së re amerikane duket se janë të kota. Pra mesazhi është i qartë se, politika e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk drejtohet nga emocionet apo lidhjet personale, por nga interesat strategjike dhe parimet e forta kundër korrupsionit. Dhe ky mesazh duhet ta ulë Berishën me këmbë në tokë, sepse duket se nga shiu po kalon në breshër.

Rigels Seliman