Prej një muaji në qeli, sot në Apelin e Posaçëm do të mbahet seanca për ankimin e masës së sigurisë arrest me burg nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Advertisements
Kryebashkiaku do të paraqitet në Gjykatën e Apelit të Posaçëm në orën 10:00 ku do të shqyrtohet edhe ankimi i tij.
Advertisements
Ankimimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, i cili u arrestua më 10 shkurt, do ta shqyrtojë gjyqtari Engert Pëllumbi, i cili njihet si gjyqtari që dënoi me burg ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Në të njëjtën seancë, paraqiten për ankimin e masës edhe katër biznesmenët, Elman Abule që ndodhet në arrest me burg dhe tre të tjerët Shkëlqim Fusha, Gentian Sula dhe Meriman Palushi që ndodhen në detyrim paraqitjeje.
Erion Veliaj akuzohet për veprat penale “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash”, të kryer në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, e cila po hetohet në masë detyrim paraqitje, edhe për mosdeklarim pasurie.
Reagimi i Veliajt
Veliaj në një reagim të radhës në rrjetin social Facebook, shkruan se nesër (sot) do të rikthehet për të mbrojtur veten. Veliaj thotë se shpallja “i dënuar” pa gjyq që në nisje, ndodhte në ditët më të errëta të ferrit komunist, por jo në një demokraci europiane. Veliaj ndalet edhe në akuza ndaj prokurorit Ols Dado, kur thotë se persekutimi i familjes nga noter në konflikt interesi nuk mund të jetë etalon i reformës në drejtësi. Më tej, Veliaj shkruan se vetingu i paligjshëm, për 20 vite jetë, bëhej vetëm në kohën e ‘Sali Enverit’.
Grusht ndaj qytetit e quan lënien e Tiranës pa drejtim, ndërsa thekson se “prezumimi i pafajësisë është detyrim për standard Europian, dhe jo histeri kolektive e banaqeve dhe kundërshtarëve që me votë i mundëm 7 herë në Tiranë, e veç me dhunë mund të na heqin nga fushata”. Përshëndetje miq, pas një muaji izolim, nesër do të rikthehem për të mbrojtur veten, familjen, por edhe çdo shqiptar, që beson se: Letrat anonime janë pjesa më e shëmtuar e regjimit që lamë pas e s’kanë vend në Shqipërinë moderne. Shpallja “i dënuar” pa gjyq që në nisje, ndodhte në ditët më të errëta të ferrit komunist, por jo në një demokraci europiane. Hetimi i biografisë personale apo vetingu i paligjshëm, si ky imi për 20 vjet, ndodhte vetëm në kohën e Sali Enverit, por jo sot në shek. XXI.
Kërkesa për pendesë ende pa akuzë, ngjan me gjyqet popullore histerike në vitet ‘60, por jo në 2025. Persekutimi i familjes nga një noter nga babi, me 5-a, pa meritë e pa ligj, ndërtues në konflikt interesi, nuk mund të jetë etaloni i reformës në drejtësi. Lënia e kryeqytetit pa drejtim nga i votuari i njerëzve me një të rënë të lapsit është, në mos grusht shteti, grusht ndaj qytetit, punëve të tij dhe votuesve të Tiranës. Shteti me “Uacap” në ditë pushimi, nga militantë të zellshëm të Saliut, sot hetues të Olsit, është fyerje ndaj reformës ku besuam të gjithë. Trajtimi i sipërmarrësve si “kulakë” dhe përgjimi i njerëzve të biznesit pa fakte, i përket Shqipërisë së pas luftës, jo të demokracisë.
Presioni ndaj dëshmitarëve, duke iu kujtuar burgun, prindërit e fëmijët, u përket xhelatëve të një regjimi, jo demokracisë. Prezumimi i pafajësisë është detyrim për standard Europian, dhe jo histeri kolektive e banaqeve, portaleve dhe kundërshtarëve që me votë i mundëm 7 herë në Tiranë, e veç me dhunë mund të na heqin nga fushata. Më shumë do të them nesër në seancë! Shpresoj të jeni mirë! Kush po agjëron, e pastë sa më të lehtë, e kush më ka menduar e më ka mbajtur në lutje, Zoti ju bekoftë”, shkruan Veliaj.