Për të kryer vrasjen e Fatbardh Licit, Safet e Behar Bajri dhe Astmer Bilali, në shoqërinë e të dashurës së Safetit, Eria Aga, udhëtuan që në orët e parë të mëngjesit të 10 gushtit 2018 nga Tirana për në Shkodër.
Advertisements
Njëri prej mjeteve “Mercedes Benz CL”, i bardhë dhe me targë “AA989TE” është drejtuar nga Eria, e cila sipas SPAK, konfirmohet përmes komunikimeve që ajo ka pasur me Astmer Bilalin. Me këtë makinë, Eria Aga ka udhëtuar nga Tiranë në drejtim të Shkodrës bashkë me Astmer Bilalin, te makina e së cilës Astmeri ka harruar xhupin, që dyshohet se është qitësi në vrasjen e Fatbadh Licit.
Advertisements
PROKURORIA
Sipas hetimeve është mësuar se Astmer Bilali, në makinën e vjedhur “Benz 220” ngjyrë gri ka qenë pasagjer, ndërsa drejtohej nga Safet Bajri. Kjo makinë është filmuar në të gjithë itinerarin që ka vijuar që në ardhje para lokalit ku ishte ulur Fatbardh Lici e deri kur është djegur. Bilali, i veshur me të zeza, për të kryer vrasjen doli nga makina, qëlloi disa herë dhe u larguan me shpejtësi.
Një dëshmitar i tregoi policisë momentin kur është djegur makinën në Dobraç dhe më pas është larguar. Sipas tij, personi ka qenë i maskuar, i gjatë dhe në dukje i ri, ndërsa në maskë kishte njolla të kuqe, me gjasa njolla gjaku. Eria Ago është arrestuar më 26 shkurt nën akuzën përkrahje e autorit të krimit, ndërkohë që më 21 shkurt u arrestua edhe ish-i dashuri i saj Safet Bajri.
SPAK akuzon treshen Safet Bajri, Behar Bajri dhe Astmer Bilali se në bashkëpunim kanë organizuar dhe kanë kryer vrasjen me paramendim në formën e grupit të strukturuar kriminal. Motivi i vrasjes së Licit sipas SPAK, lidhet me dyshimin e Behar Bajrit se Ibrahim Lici kishte vrarë një pjesëtar të grupit të tyre, ish-policin Boran Bërçana më 15 korrik të vitit të 2018, i cili u ekzekutua në makinë bashkë me partneren Silvi Ndoci, ndërsa fëmija 3-vjeçar shpëtoi. Për këtë ngjarje që autoritetet ende nuk e kanë zbardhur, një muaj më pas Bajrët morën hak duke vrarë xhaxhanë e Licit.
DOSJA
Më datë 10 gusht 2018, në orët e para të mëngjesit, Safet Bajri (Rustemi), Astmer Bilali dhe E.A., e dashura e Safet Bajrit janë nisur drejt Shkodrës me dy automjete, njëri i markës “Benz” me targë AA 989 TE, në përdorim të Safet Rustemit dhe tjetri i markës “Volkswagen” me targë AA 383 PN, në përdorim të Denis Brajoviq.
Pasi kanë mbërritur në Shkodër, Safet Bajri dhe Astmer Bilali kanë zbritur nga makinat e tyre dhe kanë përdorur një automjet të vjedhur të markës “Benz” ngjyrë gri, me targa AA 760 FX. Automjet me të cilin janë afruar tek vendi ku ndodhej lokali me qira i shtetasit Sokol Lici, këtu ku pothuajse çdo ditë, në të njëjtën orë shkonte dhe pinte kafen vëllai i tij viktima Fatbardh Lici, që është njëkohësisht edhe xhaxhai i Ibrahim Licit. Pasi kanë parë që viktima ka qenë i ulur jashtë lokalit, automjeti është afruar pranë tij. Këtu nga dera e pasagjerit ka zbritur, dyshohet Astmer Bilali, i cili ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, duke e lënë atë të vdekur.
Pasi kanë kryer vrasjen, po sipas grupit hetues, Astmer Bilali dhe Safet Bajri janë parë të lëvizin me makinën e krimit, drejt zonës ku banon ky i fundit, aty nga ku rezulton se Astmer Bilali ka djegur edhe automjetin. Pasi është kryer krimi, po ky automjet ka lëvizur në drejtim të zonës së Dobraçit. Aty është parë të futet në rrugicën që të çon tek lokali që i përket familjes së Bajrave, nga ku dyshohet se ka zbritur Safet Bajri (Rustemi) dhe më pas Astmeri, i cili ka djegur automjetin, për t’u bashkuar më pas sërish me Safetin. Po sipas grupit hetues, fill pas krimit, Astmer Bilali rezulton se është larguar nga Shkodra për në Tiranë me një automjet tip “Volkswagen”, në pronësi të Denis Brajoviq.
/Gazeta Panorama