“TikTok” ende funksional në Shqipëri, bllokimi zyrtar shtyhet edhe 9 ditë! Fazat e procesit të mbylljes së platformës

Pavarësisht vendimit për mbylljen e TikTok në Shqipëri, platforma vijon të jetë e aksesueshme, megjithëse me vështirësi dhe shenja të qarta të një bllokimi të pjesshëm.

Advertisements

Afati i fundit i vendosur nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), që detyronte kompanitë e internetit të ndalonin plotësisht aksesin deri më 13 mars, është shtyrë për disa ditë.

Advertisements

Sipas burimeve nga AKSK, procesi teknik për bllokimin e plotë do të zgjasë deri në 9 ditë, pasi kërkohen hapa shtesë për ekzekutimin e plotë të masës. Kjo përfshin koordinimin me kompanitë që operojnë shërbimet e internetit dhe zbatimin e procedurave për heqjen e aksesit nga pajisjet mobile

Vendimi për mbylljen e TikTok-ut u propozua nga kryeministri Edi Rama pas një ngjarjeje tragjike, ku një 14-vjeçar humbi jetën pas një sherri të nisur në rrjetet sociale. Pas kësaj, qeveria zhvilloi konsultime me 65 mijë prindër dhe mësues, duke e argumentuar mbylljen si një masë për të mbrojtur fëmijët nga përmbajtjet e dhunshme dhe rreziqet online. Rihapja e mundshme e TikTok-ut do të varet nga angazhimi i kompanisë për të vendosur filtra dhe masa mbrojtëse që do të kufizojnë përmbajtjet e dëmshme për të rinjtë.

VENDIMI DHE REAGIMI I RAMËS

Përmes ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu, qeveria në fillim, të muajit se kishte vendosur mbylljen e përkohshme të platformës TikTok, duke e arsyetuar vendimin si masë e marrë pas vrasjes së një adoleshenti në shkollë disa muaj më herët.

“Kemi analizuar efektet që vijnë nga këto platforma, kur bëhet fjalë për shëndetin e fëmijëve apo me raste të dhunës fizike. Grupi i punës ka pasur në përbërje të gjithë autoritetet përkatëse, duke marrë faktet dhe elementet që kanë pasur rëndësi maksimale, kemi rekomanduar mbylljen apo kufizimin e aksesit në Tik Tok, për një periudhë 12 mujore”,- tha Manastirliu në një deklaratë pas mbledhjes së qeverisë.

Kryeministri në një deklaratë në rrjetin social X këmbënguli se mbyllja e përkohshme ishte bërë pas një konsultimi me prindër dhe pas ngritjes së kapaciteteve teknike. “Vendimi për mbylljen e përkohshme të TikTok-ut është e para një vendim i marrë në konsultimin e gjerë me 65 mijë prindër e mësues dhe e dyta, është një vendim i marrë pasi u ngritën kapacitetet e nevojshme teknike”, tha ai. Rama pretendoi se ishin në konsultim me kompaninë që zotëron platformën dhe se do negocionin për të rritur masat e sigurisë për fëmijët, përfshi masa në gjuhën shqipe.

SHKAKU

Vendimi për mbylljen e rrjetit social, gjerësisht i përdorur nga të rinjtë, është konsideruar nga ekspertë të medias dhe të drejtave të njeriut si një masë ekstreme dhe jo proporcionale. Qeveria përdori vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani nga një bashkëmoshatar si argument për nisjen e fushatës për mbylljen e kësaj platforme.

Por platforma nuk përmendet në të dhënat publike të hetimit rreth vrasjes së adoleshentit. Është e paqartë nëse vendimi i qeverisë do të jetë efektiv. Kryeministri pati lajmëruar edhe më herët se do të mbyllte platformën, por kjo nuk u realizua.