Ministria e Shëndetësisë në RMV publikon shifrat e të plagosurve nga zjarri në Koçan

Gjatë një deklarate për mediat në orët e mbrëmjes të së dielës, Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut informoi se që nga orët e para të mëngjesit, në Qendrën Klinike është ngritur Shtabi i Krizës, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Advertisements

“Ekipet e institucioneve shëndetësore janë angazhuara plotësisht për të ofruar kujdesin e nevojshëm mjekësor, ndërsa gjendja e të gjithë pacientëve po monitorohet me kujdes dhe po merren vendime konsiliare për hapat e mëtejshëm të trajtimit mjekësor.

Advertisements

Gjatë ditës së dielë, janë trajtuar mbi 140 pacientë, të cilët janë shpërndarë në institucionet shëndetësore në vend si më poshtë:

* Qendra Klinike – 20 pacientë

* Spitali i Përgjithshëm “8 Shtatori” – 20 pacientë

* Klinika Universitare “Shën Naumi i Ohrit” – 21 pacientë

* Spitali Klinik i Shtipit – 20 pacientë

* Spitali i Përgjithshëm i Koçanit – 7 pacientë

* Klinika e Toksikologjisë – 2 pacientë

Përveç kujdesit mjekësor në vend, një pjesë e pacientëve janë transferuar në spitale jashtë vendit, falë mbështetjes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me vendet partnere:

* Republika e Turqisë: 3 pacientë kanë mbërritur në Stamboll, ndërsa 6 të tjerë pritet të mbërrijnë në Ankara deri në mesnatë.

* Republika e Bullgarisë: 14 pacientë janë hospitalizuar.

* Republika e Greqisë: 4 pacientë janë trajtuar.

* Republika e Serbisë: 5 pacientë janë tashmë të hospitalizuar, ndërsa 12 pacientë të tjerë janë në rrugë për në Beograd me avion ushtarak.

* Republika e Kroacisë dhe Rumanisë: Pritet që gjatë ditës së nesërme të dërgohen nga 4 pacientë në secilin nga këto shtete.

* Republika e Sllovenisë, Hungarisë dhe Austrisë: Gjatë ditës së nesërme, këto vende pritet të dërgojnë avionë mjekësorë për transportin e pacientëve.

Të gjithë pacientët e transferuar jashtë vendit janë në gjendje stabile dhe nën kujdes të vazhdueshëm mjekësor.

Si mbështetje shtesë në përballimin e kësaj situate, në vend ka mbërritur një ekip mjekësor nga AUM Beograd, ndërsa priten edhe ekipe mjekësore nga Çekia, Izraeli dhe Belgjika, të cilat do të ndihmojnë në ofrimin e kujdesit të nevojshëm shëndetësor”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut.

Kujtojmë që nga shifrat paraprake të publikuara nga mediat në Maqedoninë e Veriut, nga tragjedia e rëndë kanë humbur jetën 59 të rinj.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të 16 marsit, ku flakët përfshinë klubin e natës “Koçani Puls” ku përveç viktima numërohen dhe mbi 150 të plagosur.

Në diskotekë ishin rreth 500 të rinj, duke ndjekur një performancë nga bendi maqedonas DNA, një grup i famshëm vendas ndërsa në mesin e viktimave janë edhe 4 anëtarë të këtij grupi.