Arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duket se ishte paralajmëruar që një vit më parë. Kështu pretendon “Ora Neës”, e cila ka realizuar një investigim të thelluar mbi pazaret mes deputetes Klotilda Bushka dhe ish-kryetares së KLGJ, Naureida Llagami. Sipas këtij hetimi, lidhjet e ngushta mes Bushkës dhe çiftit Veliaj-Xoxa kanë zbuluar se ata kanë pasur ndikim të fuqishëm në sistemin e drejtësisë. Investigimi ka hedhur dritë mbi marrëveshjet dhe manipulimet që lidhen me emërimet në pozita të larta, veçanërisht në Gjykatën Kushtetuese. Bisedat e zbuluara, të cilat janë siguruar përmes aplikacionit “Signal”, tregojnë se Bushka ka gënjyer Llagamin për t’i siguruar postin, duke i bërë premtime të pambajtura. Disa prej këtyre bisedave kanë dalë në dritë muajt e fundit, ku Llagami, e zhgënjyer nga premtimet e Bushkës, ka shprehur dyshime se është mashtruar. Një detaj tjetër i rëndësishëm është se, siç është thënë nga burime të afërta me hetimet, arrestimi i Veliaj ka qenë një çështje kohe, një temë që ishte parashikuar dhe diskutuar mes grupeve të larta politike dhe atyre të drejtësisë që prej vitit të kaluar.
Advertisements
Pjesë nga investigimi i “Ora Neës”
Advertisements
Konkretisht javët e fundit “Ora Neës” ka sjellë në vëmendjen e publikut lidhjet e deputetes së Partisë Socialiste Klotilda Bushka, njëherësh dhe kryetare e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, me çiftin Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa, dhe veçanërisht me këtë të fundit. Madje Bushka është thirrur edhe nga SPAK-u për të dëshmuar mbi hetimet e çiftit Veliaj-Xoxa dhe rolin e saj, ku prokurorët e posaçëm kanë dyshime të forta se ajo ka ndikuar në këto hetime përmes intimidimit të dëshmitarëve dhe helmimit të provave. Publikisht Bushka nuk e ka mohuar lidhjen e fortë me Ajola Xoxën, por po ashtu ajo është shfaqur në takime private me përfaqësuesit më të lartë të sistemit të drejtësisë në vend, siç është dhe ish-kryetarja e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, Naureida Llagami, apo dhe kreun e ILD-së Artur Metani. Qëndrimi me të tillë persona në takime private në parim për shkak të ndarjes së pushtetit nuk mund të ndodhë, por mes Bushkës dhe Llagamit kemi parë që takimet janë zhvilluar herë në zyrën juridike të Ajola Xoxës, e herë në ambientet e restorantit tek “Shallvaret”, ku shfaqeshin duke ngrënë krudo, pirë verë dhe cigare puro madje. Por miqësia mes Bushkës dhe Llagamit duket se ka qenë një marrëdhënie e mirëfilltë interesash të përmbledhura me lajtmotivin: “Më jep, të të jap”.
Dhe në këmbim të ndihmës që Bushka kërkonte mbi personat që kishin në duar shqyrtimin e dosjeve hetimore në Apelin e GJKKO-së, duket se premtonte emërimet dhe vijimin e karrierës në sistem. Në këtë kuptim Llagami e cila ishte në përfundim të mandatit në krye të KLGJ-së, duket se ka kërkuar postin e gjyqtares në Gjykatën Kushtetuese, emërim ky që bëhet përmes Kuvendit. Dhe i pari institucion që vihet në lëvizje është Komisioni Parlamentar i Ligjeve që drejtohet pikërisht nga Klotilda Bushka. Nisur nga këto interesa edhe miqësia mes tyre duket se ka zgjatur shumë pak, pasi vetë Llagami e ka kuptuar se premtimi i Bushkës ishte i gënjeshtërt. Një gjë e tillë dëshmohet edhe në disa biseda të siguruara nga media në fjalë që Llagami zhvillon përmes aplikacionit “Signal”, që janë dhe lehtësisht të verifikueshme nga strukturat hetimore.
Bisedat në fjalë i përkasin muajve nëntor e dhjetor 2023, si dhe janar të vitit 2024. Interesante është se në momentin kur dyshon se Bushka nuk po e ndihmon për t’u bërë anëtare e Gjykatës Kushtetuese, Llagami shprehet se Ilda (Klotilda Bushka) e ka gënjyer disa herë. Ndërkaq, një tjetër gjë po aq interesante është fakti se në gjirizet e drejtësisë dhe mazhorancës që para më shumë se një viti ishte vetëm çështje kohe burgosja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
BISEDA 23 nëntor 2023
Nereida Llagami: Unë i karikova të tërë! Veç Ramiu (Edi Rama) m’ka ngel! E lashë për në fund.
Klotilda Bushka: Do e karikojë ky! Kur të jetë në formë ai.
BISEDA 17 dhjetor 2023
Këtej më kanë dhënë “Ok”. Po me idenë se ka folur Ilda (Klotilda Bushka).
– Ehu. Pse mu. E kam pas ndjesinë, por s’kisha si ta provoja. Se s’doja me e hedh poshtë, prandaj ta kërkova ty.
BISEDA 10 janar 2024
Nereida Llagami: Më thotë që Lali (Erion Veliaj)…
– Filloi prapë…
Nereida Llagami: Nuk e ngrys këtë vit…
– T’i bojmë gati qelinë.
Nereida Llagami: I ka thënë…