Disa qytetarë kanë protestuar mëngjesin e kësaj të shtune në Kukës, për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë në rrugët e qytetit, duke kërkuar masa të menjëhershme për shmangien e aksidenteve.
Advertisements
Shkak për protestën janë bërë disa aksidente fatale, ndërsa së fundmi një 51-vjeçar humbi jetën pasi u godit nga një automjet në rrugën hyrëse të qytetit, që lidh Kukësin me segmentin Kukës-Morinë të Rrugës së Kombit.
Advertisements
Vendndodhja ku ndodhi aksidenti është një zonë me fluks të lartë të automjeteve dhe bizneseve, ku drejtuesit shpesh abuzojnë me shpejtësinë. Pas incidentit, dhjetëra protestues u mblodhën dhe për disa minuta bllokuan rrugën në shenjë sensibilizimi dhe paralajmërimi. Ata kërkuan masa për rritjen e sigurisë dhe paralajmëruan se do të intensifikojnë protestat nëse nuk ndërhyhet për përmirësimin e kushteve të sigurisë rrugore.
Protestuesit apeluan që shteti të ndërhyjë për të parandaluar aksidente të tjera, pasi situata është bërë shqetësuese. Siç u raportua, 51-vjeçari po udhëtonte me çiklomotor në mëngjesin e së premtes, kur u përplas nga automjeti. Për pasojë, ai humbi jetën, ndërsa policia arrestoi drejtuesin 20-vjeçar të automjetit.