Një tentativë e rrezikshme për arratisje u parandalua nga autoritetet greke në burgun famëkeq të Koridhalos, ku dyshohet se ishin përfshirë anëtarë të mafias turke.
Advertisements
Informacione të besueshme mbërritën tek Seksioni për Luftën kundër Shantazheve, sipas të cilave, në Seksionin “ST” të burgut fshihej një armë zjarri që do të përdorej për arratisje të organizuar, përfshirë dhe marrjen peng të oficerëve të burgut.
Advertisements
Pas sigurimit të këtij informacioni është kryer operacioni për gjetjen e armës dhe parandalimin e arratisjes së planifikuar. Operacioni u zhvillua në orët e para të mëngjesit të së shtunës, më 5 prill 2025, nga policia greke në bashkëpunim me njësi të posaçme të Drejtorisë për Luftën kundër Krimit të Organizuar.
Gjatë kontrollit, në një hapësirë të përbashkët brenda qelisë, u gjetën të fshehura brenda një pajisjeje elektrike një pistoletë e tipit “Glock” dhe një karikator me 15 fishekë.
Përveç armës, autoritetet gjetën edhe një sasi të vogël qetësuesi (0.8 gramë), një pako cigaresh që e përmbante, një telefon celular me kartë SIM, karikues dhe kufje.
Në kuadër të hetimeve, u arrestuan 20 të burgosur për shkelje të ligjeve mbi armët, narkotikët dhe rendin publik. Ndaj tyre rëndojnë akuza të ndryshme për përfshirje në planifikimin e arratisjes dhe nxitje për kryerjen e veprave penale.
Arma e sekuestruar do të dërgohet për ekspertizë kriminalistike, ndërsa dosja penale do t’i kalojë autoriteteve përkatëse për procedim të mëtejshëm. Policia greke vazhdon hetimet për të zbuluar nëse pas këtij plani qëndron një rrjet më i gjerë kriminal ndërkombëtar.