Dumani 3 goditje Ramës, ja faktet që “hedhin në erë” premtimin e kryeministrit se PS është e vetmja garanci për …

Kur kryeministri Edi Rama tha se “Partia Socialiste është garancia e vetme për mbijetesën e SPAK”, shumë e panë si një deklaratë politike për të marrë meritat e reformës në drejtësi. Por raporti vjetor i SPAK për vitin 2024 e shemb këtë narrativë me fakte, jo me tone politike, jo me konferenca shtypi, por me statistika të pakundërshtueshme dhe analiza institucionale që godasin në vetë zemrën e asaj që qeveria ka ndërtuar si propagandë për drejtësinë. Altin Dumani nuk i përmend me emër aktorët politikë që i drejtohen SPAK-ut me sulme të hapura apo të nënkuptuara. Ai nuk shfaqet në studio televizive për të polemizuar. Por raporti i tij vjetor është më shumë se një përmbledhje pune, është një akt sfidues që i përgjigjet direkt sulmeve, presioneve dhe taktikave të sabotimit që vijnë nga vetë strukturat e pushtetit.

Advertisements

Goditja e parë: Miti i ‘arrestimeve politike’ bie poshtë me statistika

Advertisements

Kur u arrestua Erion Veliaj, krahu i djathtë politik i Edi Ramës në Tiranë, kryeministri nisi sulmet ndaj SPAK, duke folur për “masa të dyshimta sigurie”, për “standarde të dyfishta”, dhe duke ngritur dyshime se drejtësia po shpërqendrohej nga thelbi: lufta ndaj korrupsionit sistemik. Por raporti i SPAK i jep një shuplakë statistikore këtyre pretendimeve. Përmes një analize të ftohtë, Dumani vendos përballë akuzave politike një narrativë faktike: vetëm 5.1% e masave të sigurisë për korrupsion janë “arrest me burg”. Vetëm kaq. Dhe në total, nga 2,791 të paraburgosur në Shqipëri, vetëm 270 janë në hetim nga SPAK, më pak se 10%. Ky është një refuzim publik i tezës së Ramës për një drejtësi që po e humbet busullën. SPAK jo vetëm që nuk është kthyer në një mjet për shfaqje spektakolare me pranga, por në fakt është institucioni më i matur në vendosjen e masave ekstreme. Kjo është goditje ndaj përpjekjes për të stigmatizuar veprimet ndaj figurave të afërta me pushtetin.

Altin Dumani nuk e përmend Ramën me emër, por ai është i vetmi që e ka ngritur publikisht këtë shqetësim. Dhe tani, është vetë raporti që e përgënjeshtron. “Në lidhje me masat e sigurimit, SPAK ka aplikuar një politikë penale në përputhje me standardet ndërkombëtare. Kështu për llojin e kërkesave të masave të sigurimit rezulton se, numri i të paraburgosurve nga SPAK që ndodhen pranë Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale përbën vetëm 9,7% të totalit (nga 2,791 të paraburgosur në Shqipëri, 270 prej tyre janë nën hetim nga SPAK). Ndërkohë, numri i të burgosurve, që janë dënuar me vuajtje dënimi me burg nga hetimet e SPAK përbën vetëm 9,5 %të totalit (nga 1,722 të burgosur, 165 persona janë dënuar pas procedimeve të SPAK). Përsa i përket masave të sigurimit “arrest me burg”, kjo masë krahasuar me llojin e masave të tjera të sigurimit, për veprat penale të korrupsionit zë vetëm 5,1% të totalit të masave, ndërsa për krimin e organizuar, kjo masë sigurie zë 30,84% të totalit”, thuhet në raportin e SPAK.

Goditja e dytë

Një tjetër pasazh që duket teknik në lexim të parë, por që në fakt është një sinjal alarmi për një tjetër përpjekje për të minuar SPAK-un nga brenda. Në raportin e tij, Dumani ngre shqetësimin për mungesën e një përcaktimi të qartë ligjor për statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit. Kjo nuk është thjesht një mungesë teknike. Është një mjet i heshtur sabotimi. Kur nuk dihet se çfarë ndodh me një prokuror pas mbarimit të mandatit, atëherë ai vendoset automatikisht nën presion. Kur nuk ka garanci për të ardhmen e tij profesionale, cenohet integriteti dhe motivimi për të vijuar hetime të ndjeshme. Kush ka shumicën në Kuvend dhe mban në dorë ligjet? Kush ka pasur gjithë mundësitë ta zgjidhë këtë çështje që nga viti 2023 dhe nuk e ka bërë?

Përgjigjja është vetëm një: qeveria e Edi Ramës. Mungesa e vullnetit për ta zgjidhur këtë pengesë ligjore është një sabotim i heshtur, por efektiv. Dhe Dumani nuk e lë më në hije, e nxjerr në pah si një ndër problemet më serioze. “ Vijimi i mungesës së përcaktimit të qartë ligjor në lidhje me statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit të tyre. SPAK konstaton se, kjo problematikë nuk është adresuar ende dhe thekson se mos përcaktimi i qartë i këtij statusi mund të cenojë vijimësinë e ruajtjes së standardeve të larta profesionale të hetimit, të kërkuara nga publiku, Kuvendi, Këshilli i Ministrave dhe institucionet ndërkombëtare. Siç është nënvizuar edhe në raportin vjetor të SPAK për vitin 2023, nga mungesa e një statusi të qartë të prokurorëve të posaçëm do të cenohej gjithashtu dhe vazhdimësia e hetimeve të rëndësishme të kryera nga SPAK”, thuhet në raport.

Goditja e tretë: Presioni politik dhe mediatik

“Presioni i jashtëm ndaj SPAK nga krimi i organizuar, aktorë politikë dhe mediatik, i cili cenon pavarësinë e tij kushtetuese dhe efektivitetin në hetime”, thuhet ndër të tjera në raport. Janë fjalë të peshuara, të zgjedhura me kujdes, por që lënë një jehonë të fuqishme politike. Nuk është thjesht një vëzhgim. Është një thirrje alarmi nga një institucion që ndjen nën lëkurë tentativat për ta gjunjëzuar. Dhe kur përmenden “aktorët politikë”, në një klimë ku pushteti është i përqendruar praktikisht në një dorë, nuk është e vështirë të kuptohet se kujt i drejtohet kjo gjuhë e rafinuar. Altin Dumani nuk i vë emër presionit, por silueta e tij është e njohur për të gjithë: një kryeministër që komenton vendimet e drejtësisë sa herë godet një nga të vetët; një rrjet mediatik që lëshohet në sulme sa herë SPAK prek piramidën e qeverisjes lokale apo qendrore (rasti Veliaj); një parlament që në vend të miratojë ligje që forcojnë pavarësinë e drejtësisë, mbyll sytë përballë boshllëqeve që e lënë SPAK-un të pambrojtur. Dhe pikërisht këtu fillon të shembet narrativa qeveritare se PS është “garancia” për mbijetesën e SPAK.