Një tjetër detaj është zbuluar nga zbardhja e vendimit të Apelit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për masën e sigurisë ndaj kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj. Në 13 mars, kur Veliaj priste lirinë nga qelia e paraburgimit të Durrësit, Apeli i GJKKO-së ka “ngritur” një tjetër hije dyshime për një vepër penale që deri më tani nuk i është atribuuar kryebashkiakut të vendosur në pranga. Sipas gjyqtarit Engert Pëllumbi, Veliaj, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa dhe miku i tij, biznesmeni Elman Abule kanë vepruar si një grup për përfitime materiale. Po sipas gjyqtarit, këto janë tipare që përputhen me veprën penale “grup i strukturuar kriminal”. Por duke qenë se kjo vepër penale ende nuk u është atribuuar të treve nga organi i akuzës (SPAK), Apeli i GJKKO-së ka vendosur që të mos e marrë ende në konsideratë këtë formë bashkëpunimi mes të treve.
Advertisements
*Grupi i strukturuar kriminal është formë e veçantë bashkëpunimi, në të cilin bëjnë pjesë tre ose më shumë persona, për kryerjen e një a më shumë veprave penale.
Advertisements
Akuzë e re për Veliaj? Apeli i GJKKO-SPAK-ut: Konsideroni grupin e
“Në këtë kontekst, gjykata vëren se bashkëpunimi i personave nën hetim Erion Veliaj, Ajola Xoxa dhe Elman Abule ka tiparet e një bashkëpunimi të posaçëm, atij të grupit të strukturuar kriminal, i normuar nga neni 28/4 i Kodit Penal, duke qenë se përmbushen kriteret e pluralitetit të personave (tre persona), kryerjes së veprimtarisë kriminale për qëllime përfitimi material (pastrimi i produkteve të veprës penale të korrupsionit) si dhe moskrijimit të grupit rastësisht (kryerja e veprimtarisë kriminale në mënyrë të përsëritur e për një kohë të gjatë), pavarësisht se një formë e tillë bashkëpunimi nuk i është atribuuar ende këtyre personave në hetim dhe, për rrjedhojë, nuk do të merret në konsideratë në këtë moment nga gjykata,”-shkruhet në vendimin e dhënë nga Apeli.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të marrë parasysh evidentimin që kanë bërë togat e zeza për të ngritur një vepër të re penale për kryebashkiakun e vendosur në pranga. Por vlen të theksohet se ky nuk do të ishte rasti i parë që akuza të reja ngrihen për të pandehurit gjatë kohës që dosja kalon në gjykim. Në rastin e inceneratorit të Tiranës, anëtari i Komisionit të Dhënies së Koncesionit për inceneratorin e Tiranës, Namik Simixhiu u rikthye në qeli me 2 vepra të reja penale. Ishte GJKKO, ajo që njoftoi se Simixhiu ishte i dyshuar për 3 akuza, “shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim të veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal, sipas 3 neneve të Kodit Penal, nenit 28, 248 dhe 334.
“Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal shtrëngues të “arrestit në burg” për të hetuarin z. N.S., caktuar me vendimin nr. 134, datë 07.12.2023, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim të veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal, sipas neneve 28, 248, 334 të Kodit Penal,“-shkruhej në vendim. Po ashtu, akuza të reja janë shtuar rrugës gjatë gjykimit në Apel edhe në rastin e Lefter Kokës, për të cilin kërkohet që t’i atribuohet edhe vepra penale e shpërdorimit të detyrës.
Akuzë e re është ngritur gjatë gjykimit edhe “5D”. Gjykata e Posaçme e Apelit, ndryshe nga SPAK-u, i konsideronte drejtorët bashkiakë si një grup të strukturuar kriminal, duke hedhur poshtë kualifikimin e veprës penale nga SPAK dhe Shkalla e Parë, si ‘bashkëpunim i thjeshtë’ mes Redi Mollës dhe Mariglen Qatos. Për Apelin, bashkëpunimi ka pasur tipare të tjera që përputhen edhe kësaj here me “grupin kriminal”.
“Lidhur me kualifikimin e veprës penale nga Prokuroria dhe nga Gjykata e Shkallës së Parë, të bashkëpunimit të thjeshtë si formë e bashkëpunimit që ka ekzistuar ndërmjet Redi Mollës dhe Mariglen Qatos, gjykata ndan qëndrim krejt tjetër dhe nuk mund të pajtohet në këto pjesë të kërkesave dhe vendimeve. Gjykata vlerëson se në rastin konkret ka dyshime të arsyeshme se bashkëpunimi ndërmjet subjekteve të proceduar penalisht dhe atyre eventualisht të paproceduar penalisht deri më tani, nuk ka qenë i thjesht por, duke kaluar kufijtë e këtij organizimi sporadik dhe episodik, ka qenë i mirëmenduar, i planifikuar, me një kohëzgjatje të qëndrueshme dhe i vijueshëm ndër vite, nën një mekanizëm pothuajse identik në çdo episode të kryerjes së veprave penale materiale të dyshuara dhe me një pluralitet subjektesh si bashkëpunëtorë, karakteristika këto të cilat të marra parasysh dhe të vlerësuara të gjitha së bashku, plotësojnë parashikimin/ përkufizimin e pikës 4 të nenit 28 të kodit penal,”-bënte me dije Apeli për rastin e “5D”.
Në një situatë të tillë janë gjendur edhe Ilir Beqaj, Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj, për të cilët gjyqtarja Flojera Davidhi pretendon se vepruan si grup kriminal me qëllim përvetësimin e fondeve. Gjatë seancës me dyer të mbyllura, gjyqtarja deklaroi akuza të reja për ish-ministrin e Shëndetësisë që zyrtarisht akuzohet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën në bashkëpunim dhe grup kriminal për dosjen e Sterilizimit. Edhe për Rrjepajn dhe Rrapajn, Gjykata kërkoi që edhe ata të konsiderohen pjesë e këtij grupi kriminal, por u “rekomandua” që të shtohet edhe vepra penale “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”. Në këtë rast, SPAK ka shtuar se është dakord me cilësimin e akuzave të reja, ndërsa pritet një rishqyrtim i çështjes në rastin e Veliajt dhe bashkëpunëtorëve të tij. Apeli i GJKKO-së i ka bërë rekomandimet e veta, tashmë mbetet që SPAK t’i marrë parasysh, ose t’i rrëzojë në bazë të provave që ka mundur të grumbullojë deri më tani.