“Fshihesha në xhami”- Dëshmia e Daut Lazes, si ndryshoi pamje t’i shpëtonte policisë

Daut Hysen Laze, 49 vjeç, i shpallur në kërkim pas arratisjes nga Institucioni i Posaçëm Mjekësor në IEVP Lezhë, është arrestuar mbrëmjen e djeshme nga forcat e Komisariatit nr. 6 në Tiranë. Burime zyrtare bëjnë me dije se Laze ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje se për gjithë kohën e qëndrimit në arrati ka lëvizur brenda territorit të Tiranës, kryesisht në zonat e Freskut, Kombinatit dhe Astirit.

Advertisements

Sipas dëshmisë së tij, ai është strehuar në disa xhami të kryeqytetit, duke përfituar nga atmosfera e muajit të Ramazanit, ku, siç tha ai, është ndihmuar nga besimtarë të ndryshëm të fesë islame për të shmangur kapjen nga autoritetet

Advertisements

Pas arrestimit, Laze është dërguar menjëherë në Drejtorinë e Qarkut të Lezhës, ku pritet të merret në pyetje nga Shërbimi i Kontrollit të Burgjeve, lidhur me mënyrën e arratisë dhe personat që mund ta kenë ndihmuar.

Policia ka bërë të ditur se, për gati dy javë, forcat e rendit kishin vënë në vëzhgim banesën e tij në zonën e Astirit, bazuar në informacione operative që sugjeronin kthimin e mundshëm të tij në shtëpi. Pikërisht aty është bërë dhe kapja e tij.

Laze ishte shpallur në kërkim më 4 shkurt 2025, kur është konstatuar mungesa e tij gjatë ndërrimit të turneve dhe kryerjes së apelit në Institucionin e Posaçëm Mjekësor në burgun e Lezhës. Ai kishte arritur të largohej pa u diktuar nga ambientet e institucionit, ku po qëndronte me vendim të Gjykatës së Tiranës për masën “mjekim i detyruar në një institucion mjekësor”, si pasojë e dënimit për veprën penale “Dhuna në familje”, për të cilën ishte arrestuar më 16 nëntor 2021.

Gjatë qëndrimit në arrati, 49-vjeçari dyshohet se kishte ndryshuar pamje fizike për të shmangur identifikimin dhe arrestimin nga policia.

Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse Laze ka pasur bashkëpunëtorë dhe nëse ka pasur ndihmë të organizuar në largimin e tij nga spitali i burgut.