Rusia paralajmëron NATO-n në rast përshkallëzimi luftarak, kreu i spiunazhit rus: Polonia dhe shtetet baltike do ta pësojnë të parat

Rusia dhe Bjellorusia janë të gatshme të veprojnë në mënyrë parandaluese ndaj rritjes së përshkallëzimit ushtarak nga vendet evropiane mbi Ukrainën, tha të martën kreu i shërbimit të spiunazhit të jashtëm të Rusisë, sipas mediave shtetërore.

Advertisements

“Ne ndjejmë dhe shohim se vendet evropiane, veçanërisht Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania, po rrisin nivelin e përshkallëzimit rreth konfliktit të Ukrainës. Prandaj, ne duhet të veprojmë me parandalim. Ne jemi gati për këtë”, u citua të thoshte Sergei Naryshkin nga agjencitë ruse të lajmeve TASS dhe RIA.

Advertisements

Në rast të një sulmi ndaj Rusisë ose Bjellorusisë, Rusia do të hakmerret kundër NATO-s në tërësi, por Polonia dhe shtetet baltike do të vuajnë së pari, shtoi ai.

Këto vende duhet të kuptojnë se “në rast agresioni” të NATO-s “me siguri do të shkaktohet dëm në të gjithë bllokun e NATO-s, por në një masë më të madhe të parët që do të vuajnë do të jenë bartësit e ideve të tilla në qarqet politike të Polonisë dhe vendeve baltike”, tha Naryshkin.

Komentet e tij erdhën disa orë pasi ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se “nuk është e lehtë” të bihet dakord me SHBA-në për pjesët kryesore të një marrëveshjeje të mundshme paqeje me Ukrainën.

“Ne e dimë mirë se si duket një marrëveshje me përfitim të ndërsjellë, të cilën nuk e kemi refuzuar kurrë dhe se si duket një marrëveshje që mund të na çojë në një kurth tjetër”, tha ai për gazetën ruse Kommersant./Top Channel