“Isha tapë kur vrava Elvis Deden”- Atentati mafioz, Nuredin Dumani tregon si Henrik Hoxha i rrëfeu krimin! Killeri me pagesë: E ekzekutuan pasi hëngri drekë! Ja kush qëndron pas ngjarjes

Ishin orët e pasdrekes së 5 qershorit të vitit 2012, kur në rrugën dytësore që lidh Shkëmbin e Kavajës me Durrësin, do të ekzekutohej një i ri.

Advertisements

Policia aso kohe doli me versionin se atentati mafioz kishte motiv prishjen e pazareve në trafikun e drogës duke e etiketuar viktimën si një baron droge. Viktima u tha se ishte Elvis Dede, një 35-vjeçar nga Durrësi, ndërkohë që vrasësit e dogjën makinën me të cilën kryen atentatin.

Advertisements

Pas këmbënguljes së mediave, policia pak më vonë dha edhe një version tjetër që hetimet ishin përqendruar edhe në pistën e vrasjes për shkak të një vajze, por shumë shpejt vrasja e tij do të mbyllej në pluhurin e prokurorisë së Durrësit, si dhjetëra ekzekutime të tjera. Nëna e Elvisit iu shkoi në shtëpi vrasësve, i shkoi policisë dhe prokurorisë dhe denoncoi me emër personat që ishte e bindur që i kishin vrarë të birin, por pas një viti, vrasësit e djalit, i morën jetën edhe nënës. Sërish policia dhe prokuroria heshtën dhe arkivuan një prej akteve më të rënda të ndodhura në vendin tonë.

Por, fiks 10 vjet më vonë, do të ishte autori i krimit që do të hidhte dritë mbi vrasjen e Elvis Dedes, teksa tentonte të përfitonte statusin e të penduarit në Prokurorinë e Posaçme. Henrik Hoxhaj, një emër krejtësisht i panjohur, do të listonte me dhjetëra krime, të vetat e të një duzinë vrasësish me pagesë që operonin nën hundën e policisë e shpesh edhe me dijeninë e saj. Por ndërsa Henrik Hoxha dëshmoi për vrasjen e djalit, është killeri tjetër, Nuredin Dumani, që i tregon Prokurorisë, edhe ky në tentativë për të fituar status, vrasjen e nënës së Elvisit, Fatmira Dede.

Që nga përpjekjet e nënës për të dëshmuar për autorët e vrasjes së të birit, e deri ditën që dëshmoi Nuredin Dumani, ishte i qartë motivi: Nëse Elvisi u vra për pronësinë e karburantit, nëna e tij, u vra se nuk ua lëshonte derën policisë dhe prokurorisë duke kërkuar arrestimin e vrasësve. Por vrasësit, gjithnjë sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit kishin lidhje me policë dhe njerëz të pushtetit. Vrasjet e nënë e bir mbeten pa autor deri ditën që ata e pranuan vetë në këmbim të marrjes së statusit “dëshmitar” i drejtësisë.

DJE

Në Gjykatën e Posaçme, vrasësit me pagesë vijojnë të përballen me dëshminë e Nuredin Dumanit, njërit prej autorëve të vrasjes së Fatmira Dedes në vitin 2013. Dumani i është rikthyer sërish vrasjes së Elvis Dedes dhe bisedat që ka pasur me autorët e sulmit me armë pasditen e 5 qershorit të 2012-s. Ai i tha Gjykatës dje se i kishte treguar Festim Qoli për vrasjen e Elvisit, madje që në atë pritë kishte qenë bashkë me një djalë me emrin Henrik Hoxha, për të cilin Dumani thotë që e ka njohur shumë vonë, njohje që e ktheu Henrikun në një nga personat më të afërt të Nuredin Dumanit në krimet e rënda të kryera kryesisht në Elbasan dhe Durrës.

Dumani dje iu përgjigj pyetjeve të avokatit mbrojtës të Hoxhës, ku ka shpjeguar se kur e ka pyetur Henrik Hoxhën për vrasjen e Elvis Dedes ai i ka thanë se kishte qenë i pirë tapë në momentin që e ka qëlluar. Po ashtu ai i tha gjykatës që me Henrik Hoxhën në atë vrasje ka marrë pjesë edhe Festim Qoli, ose Festa, personi që dyshohet që ka organizuar edhe vrasjen e nënës së Elvisit një vit më pas. Por Dumani në dëshminë e tij dje tregoi se Festim Qolin e kishte shumë mik, i njihte vëllanë dhe kushëririn, hynte e dilte në shtëpinë e tij dhe se në lokalin e Festës vinin shumë njerëz të policisë.

Dumani u ndal edhe te bashkëpunimi me viktimën e tij, Dorian Shkoza për vrasjen e Fatmirës, ku Shkoza është përdorur si informator. Ndërsa për të pandehurin tjetër të grupit kriminal që gjendet në qeli, Asllan Plaku, Dumani tha se e kishte paguar 50 mijë euro dhe i kishte dhënë edhe një motor për bashkëpunimin në vrasjen e mikut të tij, Dorian Shkoza, vrasje e ndodhur në vitin 2020, teksa i gjithë vendi ishte në pandemi, killerat lëviznin të armatosur duke vrarë këdo që kishin në shënjestër.

DËSHMIA E FESTIM QOLIT

Në dosjen e prokurorisë së Durrësit për vrasjen e Elvis Dedes është gjetur një dëshmi e Festim Qolit dhënë dy vjet pas vrasjes së Elvisit dhe një vit pas vrasjes së nënës së tij. Në të thuhet se “Shtetasi Festim deklaron se shoqërohej me Elvisin çdo ditë, dhe një ditë para vrasjes, me datë 4.6.2012, kishin qenë bashkë duke pirë në një lokal në plazhit Durrës deri rreth orës 01:00. Sipas Festimit, Elvisi, i ishte dukur i shqetësuar, por nuk i kishte treguar shkakun se përse ishte në atë gjendje.

Shtetasi Festim deklaron se Elvisi jetonte në një apartament ngjitur me lokalin “Pampas”, Shkëmbi i Kavajës, Durrës. Shtetasi Festim Qoli ka deklaruar se pas kësaj vrasje kishte qëndruar për një kohë i fshehur pasi kishte dëgjuar se të afërm të Elvisit kishin vajtur me armë në pikën e karburantit duke e kërkuar Festimin për t’u hakmarrë në lidhje me vrasjen e Elvisit. Shtetasi Festim Qoli deklaron se nuk ishte ai autor i vrasjes së shtetasit Elvis Dede”!

/Gazeta Panorama