E rëndë në Itali/ Shkëputen kabllot e teleferikut në Monte Faito, humbin jetën 3 persona

Një aksident i rëndë ka tronditur Italinë pasditen e së enjtes, ku tre persona humbën jetën dhe një tjetër u plagos rëndë, si pasojë e shkëputjes së kabllove që mbanin një nga kabinat e teleferikut Monte Faito, në rajonin e Campanias.

Advertisements

Shoferi i kabinës ende rezulton i zhdukur, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë në kushte të vështira.

Advertisements

Ngjarja ndodhi pak para se kabina të mbërrinte në stacionin përfundimtar në majën e malit, duke u rrëzuar nga një lartësi e konsiderueshme.

Teleferiku lidh qytetin bregdetar Castellammare di Stabia me malin Faito, një destinacion shumë i vizituar nga turistët për pamjet spektakolare që ofron mbi Gjirin e Napolit.

Fatmirësisht, kabina tjetër, që ndodhej më poshtë, mbeti pezull pranë stacionit të nisjes, me 16 persona në bord, shumica turistë të huaj. Të gjithë janë shpëtuar në mënyrë të sigurt nga ekipet e emergjencës, përmes një operacioni të kujdesshëm.

Sipas të dhënave paraprake, kablloja tërheqëse është këputur, duke rënë mbi linjën hekurudhore Circumvesuviana që kalon poshtë teleferikut. Si pasojë, qarkullimi i trenave është pezulluar, ndërsa janë vënë në përdorim autobusë zëvendësues për transportin e udhëtarëve.

Ndërkohë, një kabinë tjetër, në pjesën e sipërme të linjës, është ende e bllokuar në ajër. Brenda saj mendohet se ndodhen katër pasagjerë dhe një operator, por nuk ka kontakt radio me ta për shkak të mjegullës së dendur, e cila pengon edhe shikueshmërinë nga ekipet e shpëtimit.

Të gjitha strukturat shtetërore janë angazhuar në vendin e ngjarjes, përfshirë policinë, zjarrfikësit, emergjencat mjekësore dhe vullnetarët e mbrojtjes civile. Ngjarjen po e ndjek nga afër edhe Prefekti i Napolit si dhe Presidenti i Rajonit Campania, Vincenzo De Luca.

Teleferiku i Monte Faitos kishte rifilluar funksionimin më 10 prill, pas një periudhe mbylljeje sezonale. Vetëm gjatë këtij viti, linja ishte përdorur nga mbi 113 mijë vizitorë.

Pas përfundimit të operacioneve të shpëtimit, Prokuroria e Torre Annunziata do të hapë një hetim për të zbardhur shkaqet e aksidentit, si dhe për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me neglizhencë njerëzore apo gabim teknik.