Skandal në futbollin e të rinjve/ Trajneri kërcënon rëndë gjyqtaren: Duhet të përfundosh si Ilaria Sula

Një incident i rëndë ka ndodhur në Itali gjatë një ndeshjeje futbolli për moshat nën 17 vjeç mes ekipeve Sporting Terni dhe Sangemini Sport, ku trajneri i skuadrës vendase dyshohet se ka kërcënuar gjyqtaren e takimit.

Advertisements

Sipas raportimeve nga mediat italiane, incidenti ndodhi gjatë pushimit mes pjesës së parë dhe të dytë, kur trajneri i Sporting Terni hyri në dhomat e zhveshjes dhe iu drejtua gjyqtares me tone agresive, duke i thënë: “Duhet të përfundoni si Ilaria Sula. Duhet të ishe vrarë kur ishe i vogël. Në momente të tilla duhet të nxirret thika.”

Advertisements

Menjëherë pas ngjarjes, Liga Kombëtare e Amatorëve në Itali reagoi me një vendim të prerë, duke përjashtuar trajnerin nga çdo aktivitet sportiv për një periudhë prej tre vite e gjysmë. Incidenti ndodhi vetëm pak javë pas vrasjes së Ilaria Sulës, 23-vjeçares me origjinë shqiptare, e cila u ekzekutua më 26 mars nga i dashuri i saj, Mark Antony Samson, shtetas me prejardhje filipinase. Autori e futi trupin e viktimës në një valixhe dhe e hodhi në një zonë pyjore pranë Romës, ku u gjet pas disa ditësh kërkimesh. Samson u arrestua menjëherë dhe aktualisht ndodhet në paraburgim. Deklaratat e trajnerit janë dënuar ashpër nga opinioni publik dhe autoritetet sportive në Itali, ndërsa ngjarja ka rihapur debatin mbi gjuhën e urrejtjes dhe dhunën ndaj grave në shoqëri.