Punëtori ra nga lartësia për shkak të punimeve në aeroportin e Vlorës, arrestohet administratori i firmës së ndërtimit

Policia e Vlorës ka vënë në pranga në flagrancë administratorin e një firme ndërtimi, 45-vjeçarin D. N., pas aksidentit tragjik që i mori jetën punëtorit Dorian Hasani, 38 vjeç, në ambientet e aeroportit në ndërtim në Akërni. Ngjarja ndodhi më 19 prill 2025, kur Hasani humbi jetën si pasojë e rrëzimit nga një lartësi gjatë punimeve.

Advertisements

Sipas policisë, D. N. akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, ndërsa nën hetim është vënë edhe përgjegjësi i punimeve, 41-vjeçari U. S., i cili dyshohet se ka shkelur detyrimet ligjore për sigurinë teknike në vendin e punës.

Advertisements

Prokuroria e Vlorës ka marrë materialet hetimore për të vijuar procedurat ligjore.

“Në vijim të veprimeve hetimore për ngjarjen e ndodhur më datë 19.04.2025, në ambientet e aeroportit në ndërtim, në Akërni, ku humbi jetën si pasojë e rrëzimit nga lartësia shtetasi D. H., 38 vjeç, punonjës i kompanisë së ndërtimit, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë për veprën penale ‘Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë’, shtetasin D. N., 45 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator i kompanisë së ndërtimit, si dhe nisën procedimin penal për shtetasin U. S., 41 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë përgjegjës i punimeve në të njëjtën kompani,” thuhet në njoftimin zyrtar.