Pallati është amortizuar dhe banorët ndihen të rrezikuar për jetën. Pallati parafabrikat me numrin 2 në lagjen “Ferëm Partizani” në qytetin e Kuçovës rrezikon shembjen. Banorët tregojnë se kolonat kanë pësuar çarje, muret janë plasaritur dhe tavanet kanë lëvizur duke krijuar harqe. 15 familjet e këtij pallati 5-katësh ndihen të rrezikuar çdo ditë, për shkak të dëmtimeve serioze që ka pësuar ky pallat i ndërtuar 45 vite më parë.
Advertisements
“Jemi të rrezikuar, jetojmë me frikën se mos pallati bie dhe na zë brenda. Sikur të mos mjaftonte kjo,tarraca e pallatit është amortizuar dhe i gjithë uji i shiut hyn brenda në banesa”, shprehen banorët. Banorët pohojnë se janë ankuar shpeshherë në bashki por nuk kanë marrë përgjigje. Ndërsa kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari, tha se nuk kishte dijeni për problematikën, megjithatë tashmë që e mësoi përmes medias, do të ngrejë një grup verifikimi për të parë qëndrueshmërinë e objektit. Ai lë pak shpresë për banorët kur thotë se “nëse kontaktohen probleme nuk është e thjeshtë për tu zgjidhur në një kohë të shkurtër”.
Advertisements