Plas skandali në Gjadër, mediat italiane ngrejnë alarmin dhe zbulojnë se janë “zhdukur” 15 emigrantë

Mediat italiane kanë ngritur dyshime mbi emigrantët në kampin e Gjadrit, i cili po luan rolin e një CPR-je, pra akomodimin e atyre që iu janë refuzuar kërkesat për azil dhe do të rikthehen në vendin e origjinës. Në kamp u strehuan 41 nga emigrantët e paligjshëm që i ishte refuzuar azili dhe do të riktheshin në vendet e tyre të origjinës. Pak ditë pas sjelljes në Shqipëri, njëri prej tyre u transferua sërish në Itali dhe më pas u rikthye në vendin e tij.

Advertisements

Sipas mediave italiane bëhej fjalë për një bangladeshas. Por La Stampa, referuar një denoncimi të Partisë Demokratike të Italisë, shkruan se në kamp janë 25 emigrantë, çka do të thotë se mungojnë 15, nga numri total që u sollën 41, bashkë me bangladeshasin e rikthyer në vendin e tij. Nuk dihet nëse 15 emigrantët janë rikthyer në Itali në pritje të riatdhesimit apo janë në dhoma izolimi për shkak të revoltës që para dy javëve që këta të fundit bënë në kampin e Gjadrit. Ndërkohë, një tjetër problem me emigrantët e ardhur nga Italia dhe që ka hapur një diskurs më vete është fakti nëse një i tillë kërkon azil kur ndodhet në Gjadër, pasi procedura rinis nga e para, teksa emigranti duhet të rikthehet menjëherë në Itali.

Advertisements

Reagojnë mediat gjermane

Ndërkohë edhe mediat gjermane kanë reaguar më herët për emigrantët në Gjadër. “Qeveria e djathtë italiane po përpiqet sërish të mbushë kampet e saj të dëbimit në Shqipëri. Në vend të refugjatëve me varka, Roma tani ka dërguar edhe emigrantë kriminelë”, kështu e nis artikullin e saj gazeta gjermane “Der Standard”. Duke shtuar më tej se emigrantët të cilët prekën tokën shqiptare nuk ishin në dijeni se do të depërtoheshin nga Italia në Shqipëri. Sipas kësaj gazete, emigrantët u arrestuan papritur dhe u transferuan në portin e Brindisit e më pas me anije u sollën në Shëngjin dhe në Gjadër. “Shumica e emigrantëve nuk e kishin idenë se çfarë po ndodhte me ta. Ata u zgjuan në qeli natën mes së enjtes dhe të premtes. U vunë në pranga dhe u transportuan me autobus për në qytetin portual të Brindisit në jug të Italisë. Vetëm në port ndoshta e kuptuan se tani do të dërgoheshin në kampet italiane të dëbimit në Shqipëri. Dhe ishte pikërisht kjo ajo që ndodhi.

Ata u dërguan me anijen e marinës “Libra” në portin e Shëngjinit dhe prej andej në kampin e dëbimit të Gjadrit, rreth 20 kilometra më larg. Sipas mediave italiane, të dëbuarit e transferuar në Shqipëri nga autoritetet italiane ishin emigrantë nga Maroku, Tunizia, Algjeria, Nigeria, Egjipti, Pakistani, Bangladeshi, Gjeorgjia dhe Moldavia. Para se të transferoheshin në Shqipëri, 40 emigrantët u ishin internuar në kampe të ndryshme deportimi në të gjithë Italinë. Disa prej tyre kishin kryer më parë edhe vepra penale. 5 ishin dënuar për vepra seksuale, 1 për vrasje në tentativë dhe disa të tjerë për vjedhje, vepra të tjera kundër pronës dhe rezistencë ndaj autoritetit shtetëror”, shkruhet në këtë artikull, duke theksuar më tej se ky transferim është pjesë e marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë për ngritjen e kampeve të dëbimit jashtë territorit italian, që kanë kushtuar rreth një miliardë euro.