Paga minimale u rrit në të gjitha vendet e Rajonit në 2025, në Shqipëri mbetet ende më e ulëta
Vendet e Rajonit kanë vijuar me rritje të fortë të pagave edhe pse produktiviteti i punës nuk po ecën më të njëjtin ritëm.
Advertisements
Bosnja dhe Hercegovina kishte diferencën më të madhe paga-produktivitet, ndërsa Serbia më të ulëtën, pasi rritja e pagave shoqërua me një rritje të ngjashme të produktivitetit prej 7 për qind, sipas një analize të fundit të Bankës Botërore në raportin e fundit ekonomik për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor
Advertisements
Që nga janari i vitit 2025, rritja më e madhe në rajon e pagës minimale u vu re në Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës (FBiH), ku paga minimale u rrit me 60 për qind në 892.3 euro.
Në Republikën Srpska, paga minimale arriti 1,023.5 euro nga rreth 687.4 euro që ishte më parë, pavarësisht nga niveli arsimor i punonjësve
Si pjesë e indeksimit të rregullt, pagat minimale në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut u rritën me përkatësisht 13.2 dhe 8.1 për qind për vitin 2025. Paga minimale më e lartë në rajon mbetet në Mal të Zi pas rritjes së vitit të kaluar, e cila gjithashtu i diferencon punonjësit bazuar në nivelin e tyre të arsimit.
Ndërkohë, paga minimale në Shqipëri mbeti e pandryshuar në rreth 404 euro, ndërsa paga minimale e Kosovës, me 350 euro me diferencë të larta nga rajoni.
Serbia regjistroi rritjen më të lartë mesatare të pagave reale në vitin 2024, me 9.1 për qind, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut, me 9.0 për qind. Shqipëria, dhe Bosnja dhe Hercegovina regjistruan një rritje mesatare të pagave reale prej rreth 8 për qind, ndërsa Mali i Zi pasoi me një rritje prej 6.9 për qind.
Rritja e pagave ishte të paktën dyfishi i rritjes së produktivitetit në shumicën e ekonomive të Rajonit.
Banka Botërore sugjeron se 6 vendet e Ballkanit Perëndimor mund të rrisin perspektivat e tyre duke përshpejtuar zbatimin e reformave strukturore. Vendet vazhdojnë të përballen me sfida të konsiderueshme, të tilla si pjesëmarrja e ulët në tregun e punës, nivelet e larta të informalitetit dhe rritja e ngadaltë e produktivitetit.
Këto çështje pengojnë progresin ekonomik dhe kufizojnë potencialin për zhvillim të qëndrueshëm.
Zhvillimit të sektorit privat vendas është thelbësore për gjenerimin e mundësive të punësimit dhe nxitjen e inovacionit, të cilat janë thelbësore për rritjen afatgjatë.
Pavarësisht progresit në uljen e papunësisë gjatë dekadës së fundit, rajoni ende përballet me sfida të rëndësishme strukturore. Në vitin 2024, papunësia ishte mesatarisht 10.1 për qind, me ndryshime të dukshme midis vendeve (duke filluar nga 8.6 për qind në Shqipëri dhe Serbi, në 12.6 për qind në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Punësimi i të rinjve mbetet një shqetësim kritik, me një shkallë mesatare papunësie prej 25 për qind, ndërsa pjesëmarrja e femrave në fuqinë punëtore është vetëm 45 për qind, krahasuar me 64.2 për qind për meshkujt. Inaktiviteti arrin mesatarisht 45.4 për qind të popullsisë në moshë pune.
Shkallët e larta të informalitetit dhe emigrimi i jashtë i punëtorëve të kualifikuar kufizojnë më tej perspektivat e rritjes.
Sakaq, rritja e rreziqeve nga moti, siç janë nxehtësia ekstreme, thatësira, përmbytjet dhe ndryshimi i modeleve të reshjeve zvogëlojnë më tej produktivitetin e punonjësve, rrisin rreziqet e shëndetit në punë, dëmtojnë asetet prodhuese dhe prishin sektorët kryesorë ekonomikë që varen nga kushtet e qëndrueshme të motit, siç janë bujqësia, ndërtimi dhe turizmi./Monitor