Nga një përpjekje e organizuar për ta përdorur “Ishullin e Sazanit” si trampolinë për të hyrë në rrethin e ngushtë të presidentit të SHBA Donald Trump, kryeministri Edi Rama ka përfunduar në një dështim të heshtur, por të qartë, duke hyrë në të njëjtën listë të zezë me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
Advertisements
Këta dy liderë të Ballkanit, dikur të favorizuar nga diplomatët perëndimorë, janë sot të përjashtuar, të izoluar dhe të refuzuar nga qarqet e larta republikane në SHBA.
Advertisements
Aleksandër Vuçiç, më 3 maj, u kthye në Beograd me një damkë turpi mbi supe, pasi u përjashtua nga një aktivitet i Partisë Republikane në Florida, ku kishte tentuar të hynte me emër të rremë, për të siguruar një foto me Donald Trump në këmbim të një donacioni të dyshimtë prej 1 milion dollarësh.
Por SHBA nuk është më fusha ku të tillë manovra kalojnë pa pasoja dhe e njëjta filozofi tani vlen edhe për Edi Ramën.
Detajet
Vetëm një vit më parë, Rama shpallte me bujë në media se Sazani do të bëhej “Ishulli i Trump-it”, duke njoftuar publikisht një marrëveshje për zhvillimin e ishullit me kompaninë e Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump. Ky projekt u paraqit si një aleancë strategjike me familjen Trump, me synimin e qartë për të krijuar një kanal komunikimi me administratën republikane, në një kohë kur kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë po bëhej gjithnjë e më i mundshëm. Por gjërat morën drejtim tjetër. Në Konferencën e Sigurisë në Mynih në shkurt të 2025, Rama mori një shuplakë të ftohtë nga vetë Susie Ëiles, gruaja që kontrollon hyrjet dhe daljet në kampin Trump dhe që konsiderohet strategia më e fuqishme brenda fushatës presidenciale të 2024-ës. Ajo e përjashtoi Ramën nga një darkë elitare, ku ishin të pranishëm J.D. Vance dhe Marco Rubio, duke e lënë jashtë tavolinës së fuqisë dhe duke i dhënë një sinjal të qartë: ai nuk është i mirëpritur pasi është një “kukull e Sorosit”.
Ndryshimi i qëndrimit të Ramës
Pas kësaj goditjeje, Rama ndryshoi narrativën. Artur Meçollari, ish-nënkomandanti i flotës detare shqiptare dhe një nga njohësit më të mirë të zhvillimeve gjeopolitike, ka pohuar se kryeministri shqiptar ka ndryshuar qëndrim dhe ka deklaruar ditët e fundit publikisht se “Ishulli i Sazanit nuk ka lidhje me presidentin Trump”. Ky ndryshim fjalori vjen si një tërheqje taktike për të mbuluar dështimin, një tentativë për të fshirë shpejt çdo gjurmë të një plani që jo vetëm që nuk funksionoi, por që e bëri Ramën të dukej i dëshpëruar për vëmendje ndërkombëtare. Burime të afërta me qarqet diplomatike nuk përjashtojnë mundësinë që vetë njerëz të afërt me Donald Trump, t’i kenë kërkuar Ramës që të distancohet publikisht nga identifikimi i projektit të Sazanit me emrin presidentit amerikan.
Për Ramën, Sazani ishte ajo që në gjuhën e Arkimedit quhet “leva”, mjeti që do ta ngrinte politikisht dhe do ta afronte me të djathtën amerikane. Një projekt që synonte të krijonte përshtypjen e një aleance me familjen Trump, në një moment kur Soros dhe strukturat liberale ndërkombëtare ishin duke u larguar nga mbështetja për Ramën. Ai kërkonte të krijonte një kanal të ri, përmes Jared Kushner, Donald Trump Jr., dhe madje edhe Richard Grenell, ish-emisari i Trumpit për Ballkanin. Por shpresat e Ramës u shuan njësoj si ato të Vuçiçit. Ata nuk janë më aleatë të mirëpritur në kampin e Trumpit, për shkak të lidhjeve të tyre të vjetra dhe të thella me George Soros, një figurë që konsiderohet “armik” nga republikanët konservatorë. Dhe pavarësisht përpjekjeve të dëshpëruara për të ndërtuar ura të reja përmes investimesh, darkash dhe kontakteve të dyshimta, realiteti është i qartë: dyert janë mbyllur. Kjo histori është një mësim i fortë për politikanët ballkanikë që mendojnë se mund të blejnë aksesin në Shtëpinë e Bardhë me projekte luksi, mashtrime protokollare apo manovra PR. Asnjë “ishull Trumpi”, asnjë dhëndër presidenti dhe asnjë donacion nuk e zëvendëson kredibilitetin dhe integritetin politik.