Strategu amerikan LaCivita: Në 11 maj nxirrni të papunë Edi Ramën, luftoni për familjet tuaja

Chris LaCivita, strategu amerikan që drejtoi fushatën e Partisë Demokratike dhe koalicionit “Aleanca Shqipëria Madhështore”, duke marrë fjalën në mitingun e mbylljes së fushatës së kësaj partie, i ka drejtuar dje një thirrje shqiptarëve që të mbështesin me votë në 11 maj numrin 1 në fletën e votimit. LaCivita i ka bërë thirrje qytetarëve që në 11 maj të lënë pa punë Edi Ramën, duke treguar se refuzojnë politikën e së shkuarës.

Advertisements

“Gjithnjë habitem sa e madhe është gjithë kjo turmë. Faleminderit Shqipëri, për mbështetjen tënde që ndan të ardhmen dhe shpresat e tua. Shqipëria sikurse e dëgjuam ndodhet në një udhëkryq. Jo vetëm për ëndrrat tuaja por dhe pozicionin në arenën ndërkombëtare. Shqipëria nuk mund të lejojë më një mandat të Edi Ramës. Korrupsioni, gjendja e vështirë ekonomike që ka shkatërruar familjet. Mungesa e një mundësie punësimi të qëndrueshme. Gjithçka përkufizon lumturinë tuaj, e ka marrë Edi Rama. Më 11 maj keni një shans që të tregoni se populli shqiptar e refuzon politikën e të kaluarës se ju nuk do të frikësoheni e nuk do të reshtni së luftuari për familjet tuaja. Kjo ndodh vetëm nëse shkoni të votoni, merrni me vete fqinjët, miqtë dhe lëreni pa punë Edi Ramën”, tha LaCivita. Ai nënvizoi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vëmendjen ndërkombëtare.

Advertisements

“Vij te ju si një amerikan që sheh një të ardhme të ndritur për një vend të madh dhe një popull të shkëlqyer. E gjithë bota po i sheh këto zgjedhje”, tha ai. LaCivita e mbylli fjalimin me një thirrje për pjesëmarrje masive në votime: “Votoni për të ardhmen tuaj. Ajo varet nga vota juaj. Faleminderit Shqipëri. Zoti e bekoftë Shqipërinë. Fitore, Fitore, Fitore!”