Kush është ‘Mondi’?/ Krimineli shqiptar që drejtonte bandën nga burgu dhe korruptonte zyrtarët grekë

Edmond Përbashaj, i njohur me nofkën ‘Mondi’ dhe i konsideruar si një ndër figurat më të rrezikshme të botës së krimit shqiptar në Greqi, vijon të mbajë gjallë aktivitetin e tij kriminal edhe nga brenda burgut.

Advertisements

Një kontroll i papritur në qelinë e tij në burgun e Nafplios ka zbuluar një telefon celular, një router portativ dhe një shufër metalike, duke treguar edhe një herë se ai nuk është ndalur për asnjë moment në drejtimin e rrjetit të tij.

Advertisements

Zyrtarë të lartë të policisë greke, të cilët nuk e fshehin frustrimin me situatën, kanë deklaruar për mediat se “edhe në izolim, Mondi gjen mënyra për të pasur celularë, drogë dhe kontakte me botën e jashtme”.

Ai njihet si një nga ‘bosët’ më të fortë të mafias shqiptare në Greqi, me një rrjet të përhapur të bashkëpunëtorëve, kryesisht shqiptarë, të shpërndarë në të gjithë territorin.

Sipas informacioneve nga autoritetet greke, Përbashaj ka krijuar një sistem të sofistikuar brenda burgjeve përmes bashkëpunimeve me zyrtarë të korruptuar, përfshirë edhe zëvendësdrejtorin e një prej burgjeve ku ka qëndruar më herët.

Me ndihmën e tyre, ai ka futur kontrabandë drogë, ka organizuar trafikun dhe ka pastruar paratë përmes mensës së burgut, duke krijuar një ‘dyqan të vërtetë kriminal’ brenda mureve të institucionit penal.

Laboratorët mjeko-ligjorë grekë janë duke analizuar celularin dhe pajisjet e sekuestruara në kërkim të provave që mund të lidhin Mondin me krimet e fundit të ndodhura në vend, përfshirë vrasjen e një shtetasi shqiptar në Thrakomedones disa muaj më parë, shpërthime me bombë, si dhe trafik droge.

Përbashaj ka kaluar nëpër shumicën e burgjeve të Greqisë dhe në çdo rast ka arritur të ruajë kontrollin mbi rrjetin e tij të jashtëm, duke përdorur ndikim, frikë dhe korrupsion.

Aktualisht, ndaj tij është hapur një çështje e re penale, që pritet të shkojë në gjykim në muajt e ardhshëm.

Autoritetet greke po përballen me sfida serioze për të thyer ndikimin e tij brenda sistemit penitenciar dhe jashtë tij, ndërsa çështja e Edmond Përbashajt po shihet si një test i vërtetë për integritetin e institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë në vend.