Prej më shumë se një dekade, qytetarët shqiptarë janë ushqyer me premtimin e një shëndetësie falas, por realiteti ka qenë krejt ndryshe: vuajtje falas, shërbime të përçmuara dhe një sistem që sa vjen e zhbëhet. Me mbi 400 milionë euro të shpërdoruara në koncesione dhe PPP abuzive, shëndetësia publike është kthyer në një makth të përditshëm për pacientët dhe një fushë minash për profesionistët. Në vend të reformës së premtuar, sot qarkullojnë sinjale shqetësuese se spitali “Nënë Tereza” mund t’i dorëzohet privatit në mandatin e katërt të Edi Ramës. Marrëveshjet me spitalet e huaja, në vend që të japin shpresë, po ngjallin frikën se sistemit po i vjen fundi si i tillë publik.
Advertisements
Qytetarët do të paguajnë për çdo shërbim, përveç rastit kur shkojnë në gjendje urgjente, një prag i frikshëm për një vend që ka vuajtur gjatë mungesën e aksesit dhe cilësisë në kujdesin shëndetësor. Në vend të transparencës, shohim një tjetër maskë të vendosur mbi një mashtrim të vjetër. Në vend të ekselencës së premtuar, populli rrezikon të mbetet nën mëshirën e tregut dhe monopoleve. Por kur besimi në shtet kthehet në faturë për jetë, atëherë propaganda nuk shëron më. Kjo nuk është reformë, por është tradhti e heshtur ndaj një të drejte themelore: shëndetësisë për të gjithë. Rama përpiqet ta shesë këtë zhvillim si hap drejt modernizimit, por në thelb është vetëm një dorëzim i spitalit publik në duart e biznesit privat. Qytetarët nuk kanë nevojë për marrëveshje me spitalet më të mira të botës, nëse nuk kanë para për të hyrë në derën e spitalit të lagjes.
Advertisements
Ky është një përçmim i hapur ndaj dhimbjes së përditshme të mijëra njerëzve që presin me orë për një analizë apo një mjek specialist. Mjekët largohen, infermierët demoralizohen, pacientët paguajnë dhe qeveria flet për “eksperienca ndërkombëtare”. Megjithatë kjo panoramë tregon se po zhduket koncepti i shëndetësisë si shërbim publik dhe po zëvendësohet me logjikën e tregut: kush paguan, jeton. Pra Edi Rama nuk po bën reformë, po bën largimin përfundimtar të shtetit nga përgjegjësia më e madhe që ka, kujdesi për jetën e qytetarit. Kështu që nëse ky është transformimi i shumëpërfolur i sistemit, atëherë është koha që qytetarët të kuptojnë se po i dorëzohen privatit edhe jetët e tyre, jo vetëm taksat.
Konkretisht sinjalet se qytetarët do të paguajnë shërbimet dhe vetëm kur shkojnë urgjencë nuk do ta fusin dorën në xhep në spitalet publike, respektivisht në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë i ka dhënë vetë kryeministri Edi Rama. Ky i fundit teksa ishte i ftuar në një studio televizive këtë të enjte, zbuloi se ka një plan ambicioz për transformimin e sektorit të shëndetësisë në Shqipëri, me fokus të veçantë tek Onkologjiku dhe QSUT. Në bashkëpunim me institucione të njohura ndërkombëtare si SHIBA në Izrael dhe San Raffaele në Itali, synohet krijimi i qendrave të ekselencës në nivel rajonal dhe evropian. Inovacioni teknologjik, përfshirë laboratorët me inteligjencë artificiale, pritet të hapë horizonte të reja për mjekët shqiptarë. Deri në fund të dekadës, Rama premton një sistem shëndetësor që konkurron me më të mirët në Europë.
“Sa i takon sektorit të shëndetësisë në jemi futur me kokë për një transformim, sikundër është sektori i onkologjikut. Ne kemi përbë një marrëveshje me spitalin e tetë në botë SHIBA-s, të Izraelit , që ta bëjmë Onkologjikun një spital ekselent në botë. Po diskutojmë për hapjen e një laboratori rajonal të AI pjesë e instilacionit të laboratorëve të SHIBA-s, që do të na japë mundësi të përfitojmë nga puna e laboratorëve të tjerë të këtij instalacioni duke hapur një mundësi të re për mjekët që duan të sjellin inovacion dhe zgjidhje të reja përmes teknologjisë. Po ashtu kemi bërë marrëveshje me memorandumi mes QSUT dhe Universitetit të Mjekësisë në Tiranë me Qendrën Spitalore Universitare të ekselencës evropiane “San Raffaele” dhe universitetin “Vita- Salute San Raffaele”. QSUT do të kthehet në një qendër ekselence në rajon dhe Evropë.
Synimi është që deri në 2030, nga njëra anë QSUT të pësojë atë transformim që grupi i San Raffaeles ka sjellë në Poloni, duke u përfshirë drejtpërdrejt në të gjitha proceset, menaxhimin e qendrës, në organizimin e gjithë jetës përditshme të qendrës dhe duke bashkuar në kuptimin e vërtetë profesionistët e të dyja anëve, San Raffaeles dhe QSUT. E njëjta ambicie është edhe për universitetin. Kemi shembullin e Universitetit BOKU të Vjenës, që ka filluar procesin e shkrirjes me UBT, që në fund të kësaj dekade, të vijnë studentë nga e gjithë Evropa për të studiuar me të gjithë parametrat e Universitetit të Vjenës dhe për të marrë një diplomë të njëjtë. Qëllimi është i njëjti që Universiteti i Mjekësisë të merret e njëjta diplomë si të atij i San Raffaeles dhe Tirana të jetë degë e universitetit të San Raffaeles. Ky është objektivi i fundit të dekadës”, deklaroi Rama tek emisioni “Top Story” në “Top Channel”.Sot.com.al