“VETTING”
Advertisements
Në 4 mars 2016, dy partitë kryesore në vend, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, do të miratonin në Kuvendin e Shqipërisë, me 114 vota pro, aktet nënligjore për ligjin e dekriminalizimit, duke i hapur përfundimisht rrugën procesit të pastrimit të politikës dhe administratës publike nga personat me rekorde kriminale.
Advertisements
Ligji “Për Garantimin e Integritetit të Personave që Zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë Funksione Publike”, i njohur ndryshe si ligji i dekriminalizimit, u miratua më 17 dhjetor 2015 në Parlamentin e Shqipërisë, edhe falë presionit të ndërkombëtarëve. Ky ligj solli largimin nga Parlamenti të shumë deputetëve të Partisë Socialiste apo zyrtarëve të lartë, të cilët kishin qenë të dënuar më parë dhe kishin ndryshuar gjeneralitetet për t’i shpëtuar të shkuarës. Por asnjë njeri, sado i pasur të jetë, ai kurrë nuk mund të blejë të shkuarën e vet, një shprehje e huazuar nga vepra “Piktura e Dorian Greit” e shkrimtarit anglez, Oskar Uaild, e cila është një shembull që pasqyron pafuqinë e njeriut për të ndryshuar të shkuarën.
Një nga rastet që ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje dhe nuk ka marrë asnjëherë përgjigje për të shkuarën është rasti i zv.kryeministres Belinda Balluku. Në 3 nëntor 2021, gazetari i ndjerë, Kastriot Myftaraj, do të paraqitej në SPAK për të bërë një kallëzim penal për ministren Balluku, pasi sipas këtij të fundit, ajo kishte mashtruar për të dhënat e plotësuara te formulari i dekriminalizimit.
Në CV personale të zv.kryeministres të deklaruara te formulari i dekriminalizimit gjenden disa të dhëna, të cilat ngrenë pikëpyetje të rëndësishme për mënyrën se si dhe kur është realizuar shkollimi. Aq më tepër që ministrja Belinda Balluku asnjëherë nuk i ka përgënjeshtruar, jo vetëm deklaratat e Myftarit, por edhe të platformave të tjera mediatike.
FORMULARI I BALLUKUT
Në formularin e dekriminalizimit që Belinda Balluku ka dorëzuar pranë institucioneve shtetërore, në pyetjen 8 ku shkruhet në sa ka jetuar ndonjëherë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për më shumë se 1 muaj, ministrja deklaron se ka jetuar vetëm njëherë në Kardif të Anglisë për periudhën korrik-gusht 2011. “Zakonisht shkollat janë raste ku ti qëndron për studime në një vend të caktuar për një kohë të gjatë. Rasti në fjalë duhet parë me detaje, duhen parë momentet se kur ka studiuar dikush në një shtet të huaj dhe fakti se sa ka qenë qëndrimi i tij, që merret lehtësisht nga vendi ose nga shteti i cili identifikohet si shteti i cili ka kryer studimet personi deklarues”, – tha për “Vetting” avokati Redi Ramaj.
Në CV-në e zv.kryeministres Balluku shkruhet se në periudhën 1995-1999, ajo ka ndjekur studimet në Institutin Teknologjik të Athinës në vendin fqinj në Greqi, e diplomuar në Administrim Biznesi. Është e pakuptueshme se si Belinda Balluku ka ndjekur këtë shkollë për 4 vite rresht duke mos qenë në Greqi për më shumë se një muaj, madje një rast më flagrant janë studimet në Universitetin e Harvardit. Nga viti 2019 deri në vitin 2021, zv.kryeministrja Balluku ka deklaruar se është diplomuar për Zhvillimet Ekonomike në Universitetin e Harvardit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
HESHTJA E SPAK
Por ajo që e bën më të rëndë situatën është edhe rezervimi i Prokurorisë së Posaçme për sa u përket fazës së hetimeve për zv.kryeministren, e cila është duke zhvilluar disa hetime paralele ndaj Belinda Ballukut për tunelin e Llogarasë, për bazën detare të Portit të Sarandës. Në kthim-përgjigje për “Vetting”, SPAK deklaroi se nuk ka asnjë informacion për të ndarë me publikun përsa i përket faktit nëse ka apo jo hetime ndaj Ballukut dhe në çfarë faze janë.
Sipas avokatit Ramaj, në momentin që falsifikohet formulari i deklarimit ose formulari i dekriminalizimit siç njihet ndryshe, ka penalitete që fillojnë hetimet për falsifikimin e formularit.
Por, teksa ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj u vendos në kërkim ndërkombëtar pasi i dolën njohjet me biznesmenët e inceneratorëve, për zv.kryeministren shtohen vetëm dosjet dhe heshtja e SPAK. Duket sikur ministrja Balluku ka një hije, e cila e bën të paprekshme atë dhe bashkëpunëtorët e saj më të afërt në ministri dhe zv.kryeministri. Në vazhdimësi të evidentimit të konflikteve të interesit dhe abuzimet me fondet publike, që ka përfshirë bashkëpunëtorët e Ballukut, “Vetting” do të zbulojë afera të tjera që lidhen me zyrën e Ministrisë së Infrastrukturës, me drejtoreshat e Ballukut, familjarët e të cilëve marrin tenderat dhe koncesione nga vet zv.ministrat e Ballukut. Këta të fundit janë të lidhur me biznesmenë që kanë kompani në offshoret e Maltës dhe për herë të parë do hedhim dritë mbi errësirën që lidhen me tenderat e shitblerjes në sektorin e energjisë.
DREJTORESHAT E BESUARA TË BALLUKUT
Lidhjet e drejtorëve të zv.kryeministres Balluku me biznesmenët më të fuqishëm në vend nuk janë një rastësi. Drejtoreshat në Ministrinë e Infrastrukturës, Erjola Muka dhe Irena Malolli rezultojnë të lidhura indirekt me biznesmenin Besnik Leskaj, që ka kontratë koncesioni me Ministrinë e Infrastrukturës dhe mund të përfitojë nga vendimet apo mund të monitorohet nga njësi të varura nga këto të fundit. Prej gati 3 vitesh Erjola Muka është drejtoreshë e Përgjithshme e Politikave dhe Zhvillimit të Infrastrukturës dhe Territorit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe më përpara ka punuar administratore e kompanisë publike “Albpetrol” sha, po në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës. Ndërkohë bashkëshorti i saj, Redion Biba, rezulton administrator i kompanisë “ABKONS” shpk në pronësi të kompanisë “Blessed Investment” e biznesmenit Besnik Leskaj dhe Redjan Bashës. Nga ana tjetër, prej shumë vitesh Irena Malolli është drejtoreshë e Politikave dhe Strategjive të Zhvillimit të Telekomunikacionit dhe Postave në Ministrinë e Infrastrukturës dhe rezulton bashkëshortja e Sokol Malollit. Ky i fundit ka qenë i punësuar pranë kompanisë “ABKONS” shpk dhe si drejtor pranë kompanisë “IKONS”, edhe kjo në pronësi të Besnik Leskaj si aksioner kryesor dhe 25% të aksioneve në zotërim të Josif Gjanit. Por, Erjola Muka dhe Irena Malolli janë anëtare të shoqërisë publike “Hekurudha Shqiptare sha” si përfaqësuese të Ministrisë, ndërkohë që familjarët e tyre janë drejtues te kompanitë “ABKONS” dhe “IKONS” të biznesmenit Leskaj që ka aksione te koncesioni i hekurudhës. Ajo që ngre dyshime për konflikte interesi me detyrën është kontrata koncesionare e fituar nga vëllezërit Leskaj dhe “ALB-STAR” për rehabilitimin, operimin dhe transferimin e rrjetit të transportit hekurudhor në linjat FierBallsh dhe Fier-Vlorë. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar një raport, ku zbulohet se kompania koncesionare ka shkelur kushtet e kontratës. Realizimi i kontratës ka ngelur mbrapa me afatet dhe kjo ka sjellë probleme, ku evidentohet se Ministria e Infrastrukturës që drejtohet nga Balluku nuk ka ngritur grupin e Njësisë së Zbatimit të Projektit. Sipas avokatit Arben Llangozi, konflikt interesi nuk është vetëm momenti i fitimit të një prokurimi publik, por është edhe kur të gjithë zbatimin e një kontrate, e cila në rastin konkret, siç e ka konstatuar edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit është një kontratë e cila nuk është zbatuar plotësisht. Kjo kontratë, ashtu si edhe kontratat për dy parqet fotovoltaike të vëllezërve Leskaj, që po ndërtohen në zonën e Semanit në Fier, janë firmosur dhe monitorohen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Sipas auditit nga KLSH-ja, në Ministrinë e Infrastrukturës të tria këto kontrata kanë pasur probleme me zbatimin dhe dokumentet, duke ngritur dyshime për favorizim nga institucioni që drejtohet nga Belinda Balluku. Në mars 2023, fondi “Green for Grovvth” (GGF), i cili mbështetet nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bashkimi Europian dhe Banka Gjermane e Frankfurit, KFW, miratoi një hua prej 28 milionë eurosh për ndërtimin dhe funksionimin e termocentralit diellor “SPV Blue 1” në Fier, duke financuar 75% të projektit. Në qershor 2023, Enti Rregullator miratoi kalimin e pasurive të paluajtshme të kompanisë “SPV Blue 1” në favor të fondit “Green for Grovvth”.
KOMPANITË E VËLLEZËRVE LESKAJ
Në Seman, kompanitë e vëllezërve Leskaj kanë përfituar sipërfaqe të mëdha toke për zhvillimin e këtyre projekteve, por Besnik Leskaj rezulton bashkëshorti i Ledia Totaj, e cila deri në nëntor 2023 për gati 7 vite ka qenë zyrtare e lartë si drejtuese e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit. Përfitimi i lejeve për parqet fotovoltaike apo edhe për zona të caktuara ka ngritur pikëpyetje për favorizime pasi ka qenë vet Kontrolli i Lartë i Shtetit, që ka konstatuar probleme me kontratat për parqet fotovoltaike. Nga ana tjetër, duke qenë se Besnik Leskaj është person i lidhur me Ledia Totajn, automatikisht është subjekt i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. Nga informacionet e siguruara nga “Vetting”, Leskaj ka deklaruar vetëm në vitin 2017 themelimin e degës së kompanisë “IKONS GLOBAL LIMITED” në Angli, por në vazhdim nuk ka deklaruar të ardhurat dhe shpenzimet me këtë kompani apo lëvizjen e aksioneve. Por Besnik Leskaj është aksioner te kompania në Angli nëpërmjet një dege të kësaj kompanie që e ka themeluar në 2018 në “offshor”-et e Maltës, e cila është një parajsë fiskale për biznesmenët që duan të fshehin pasuritë e tyre. Edhe në këtë rast, kjo kompani e cila zotëron aksione te kompania në Angli nuk është deklaruar në ILDKPKI nga Leskaj. Nga dokumentet zyrtare, kjo kompani guaskë është në pronësi të një kompanie tjetër malteze “Blessed Investment Limited”, e cila ka si pronar fundor kompaninë shqiptare “Blessed Investment” shpk. Kjo kompani është aksionere drejtpërdrejt te kompanitë e parqeve fotovoltaike, te kompania “IKONS” dhe “ABKONS” shpk, ku kjo e fundit ka marrë fonde nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Në mars 2021 “IKONS” shpk së bashku me kompaninë italiane “BGP Management Consulting” spa do të përfitonte tenderin me vlerë 1 milion euro ose 107 milionë lekë për “Implementimi i aplikimeve dhe funksioneve ERP në KESH sh.a – moduli i menaxhimit financiar dhe moduli i menaxhimit të burimeve njerëzore” nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare Tiranë. Edhe kjo garë do të shënohej me flamur të kuq, pasi do të shkualifikoheshin të gjithë konkurrentët, duke u shpallur konsorciumi i kompanive italo-shqiptare fitues. Për tenderin pati ankesa, të cilët u refuzuan nga administratori Besjan Kadiu.
Skandali, si Belinda Balluku vulos e firmos koncesione për njerëzit e vartësve
Prej disa vitesh, kompanitë publike në sektorin e energjisë kanë qenë në qendër të skandaleve për abuzimet me fondet publike, duke qenë se sektori i energjisë është shumë i vështirë të kuptohet nga publiku, pasi janë çështje teknike. Sipas inxhinierit elektrik, Azmer Duleviç, një pjesë e mirë e qytetarëve në zonat rurale kryesisht, mund të jenë pa energji elektrike. “Nuk ka investime sot e 30 e ca vite dhe normalisht nëse nuk ka investime, këtu ata që e vuajnë dhe patjetër e paguajnë dyfish janë qytetarët”, – tha për “Vetting” inxhinieri Duleviç.
Zhvillimet e fundit vitin e kaluar zbulojnë se lëvizjet e ministres Belinda Balluku, duke marrë Ceno Klosin si zv.ministër të Infrastrukturës mund të jetë një lëvizje për të shpëtuar sa më shumë nga anija që po mbytet. Konkretisht, Ceno Klosi ka qenë drejtor ekonomik i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ku Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkoi që ai të përjashtohej nga detyra për shkak të shkeljeve të rënda, por tashmë Ceno Klosi ishte graduar Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve dhe në mars 2024 u bë zv.ministër. Por teksa bilancet e OSHEE-së nuk publikoheshin prej disa vitesh, mbas ardhjes së tij u publikuan disa nga bilancet, të cilat mesa duken kanë marrë “dorën e fundit” nga ai që sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit nuk duhet të ishte më në këtë kompani publike. “Vetting” ka hedhur dritë mbi terrin informativ, ku administratori i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes ka marrë drejtpërdrejt nga Balluku kontratë koncesioni në konflikt interesi të mundshëm me detyrën. Konkretisht në 2 gusht 2022, Ministria e Infrastrukturës ka shpallur njoftimin për dhënien me koncesion/PPP të rëndësishëm. Disa muaj më pas, në shkurt 2023 do të shpalleshin fitues bashkimi i kompanive, ky dy prej firmave “Illyrian Consulting Engineers” shpk në pronësi të Olset Haxhiut dhe “I.D.K- Konstruksion” dhe shpk në pronësi të Barjam Dalipaj, me afat 35 vite.
Por Barjam Dalipaj është babai i Blendian Dalipaj, i cili prej 28 tetorit 2022 është administrator i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, institucion që është në pronësi të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, në varësi të drejtpërdrejt të zv.kryeministres Belinda Balluku. Sipas kushteve të kontratës, por edhe sipas ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesave, Dalipi nuk mund të fitonte këtë kontratë sepse është person i lidhur duke ngritur pikëpyetje se si Balluku e ka miratuar këtë ofertë nga grupi i kompanive fituese. Duke e ndjerë rrezikun, ministrja e Infrastrukturës ia ka deleguar firmosjen e kontratës zv.ministrit Ami Kozeli, i cili ia ka dhënë në konflikt interesi të mundshëm administratorit të institucionit që është në varësi të këtij të fundit. Por kontrata ka kaluar me Vendim të Këshillit të Ministrave dhe në fund të dhjetorit 2024, ministrja Balluku ka firmosur në cilësinë e zv.kryeministres, duke qenë në konflikt të mundshëm interesi me detyrën.
“Vetting”: Burri i drejtoreshës së Ballukut fiton tenderin e majmë
Më 15 korrik 2024, biznesmeni Nursen Metuli do të themelonte kompaninë “Ucrypt”, e cila ka si veprimtari dizenjimin dhe përshtatjen e sistemeve të Sigurisë kibernetike dhe sigurimi i “network” dhe “datacenter” nga sulmet kibernetike dhe çdo dëmtim i pronës digjitale.
Pas disa javësh, Metuli do t’i rishpërndante aksionet duke i kaluar 30% të aksioneve në emër të kompanisë së vet “AT-D – ALBANIAN TECHNOLOGY DISTRIBUTION” dhe 70% të tyre kompanisë “EURO TECHNOLOGY” me një vlerë simbolike prej 7 mijë lekësh ose 70 euro, duke ngritur dyshime për qëllimin e transaksionit. Sipas avokatit Arben Llangozi, kemi dyshime të cilat çojnë në disa vepra penale, si dyshimi është i pabarazisë në tendera që mund të jetë i diskutueshëm, por mund të kemi dhe dyshime për veprën penale të korrupsionit.
“Në pamje të parë, ky duket një transferim i zakonshëm, por djalli fshihet në detaje. Kompania ‘EURO TECHNOLOGY’ është themeluar në fillim të dhjetorit 2017 nga Elno Rrapaj, i cili në 13 shtator 2021 ia ka shitur kompaninë Egmont Ngjelës. Sipas informacioneve të siguruara nga “Vetting”, Egmont Ngjela është bashkëshorti i Kledia Ngjelës, ish-sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë dhe drejtoreshë e përgjithshme e Drejtorisë Rregullatore dhe Përputhshmërisë në Infrastrukturë dhe Energji prej disa vitesh në Ministrinë e Infrastrukturës nën varësi të Belinda Ballukut. Dyshimet e para lidhen edhe me nepotizmin, pasi Egmont Ngjela ka qenë jurist te kompania publike “AlbControl”, ndërkohë që nga korriku 2021 deri në fillim të vitit 2022, e shoqja Kledia Ngjela ka qenë anëtare e bordit të “Albcontrol”, periudhë në të cilën kompania “AT-D – ALBANIAN TECHNOLOGY DISTRIBUTION” ka përfituar disa tendera. Por ajo që është flagrante është fakti se zv.ministrat e Ballukut, Ceno Klosi dhe Ami Kozeli rezultojnë anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ku Ceno Klosi është kryetar i Këshillit prej korrikut 2024 dhe Ami Kozeli prej vitit 2023.
ARDHJA E CENO KLOSIT
Disa javë pas emërimit të Ceno Klosit si kryetar i Këshillit Mbikëqyrës dhe zv.ministëri Infrastrukturës dhe Energjisë, në 20 gusht të vitit 2024, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do të shpallte fituesin për tenderin “Shërbimi i GPS për mjetet motorike te OSSH sha” me vlerë 25 milionë lekë ose 25 mijë euro kompaninë “A-T-DALBANIAN TECHNOLOGY DISTRIBUTION” e Nursen Metulit, në një tender pa garë. Në garë do të merrte pjesë edhe kompania “Vodafone”, e cila do të shkualifikohej pasi nuk kishte paraqitur ofertë dhe asnjë dokument tjetër të kërkuar, duke u shpallur automatikisht fituese kompania e biznesmenit Metuli.
Sipas “Openprocurement.al”, ky tender do të shënohej me flamur të kuq sepse ka indicie për korrupsion dhe favorizim kompanie për përfitimin e fondeve publike. Por dyshimet nga “Openprocurement.al” nuk ishin thjesht dyshime sepse Metuli e ka fituar tenderin duke qenë ortak me burrin e drejtoreshës së përgjithshme në Ministrinë e Infrastrukturës Kledia Ngjela, Egmont Ngjela, i cili disa ditë para nëpërmjet kompanisë “”EURO TECHNOLOGY” rezulton bashkëpronar me kompaninë “A-T-D-ALBANIAN TECHNOLOGY DISTRIBUTION” të Metulit te kompania “Ucrypt”. Në këtë rast kemi dyshime të forta për korrupsion dhe favorizim pasi Ceno Klosi është drejtuesi i Kledia Ngjelas, ashtu si edhe Ami Kozeli dhe të dy këta janë respektivisht kryetar dhe anëtar të OSHEE-së, që i ka dhënë tenderin burrit të Drejtoreshës. Sipas ligjit nr.9367, datë 7.4.2005 “Për Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike”, ky rezulton person i lidhur dhe nuk mund të ushtrojë asnjë aktivitet që lidhet me fushën ku ka ndikim e shoqja. Madje, drejtoresha nuk mund të përfitojë fonde publike nga buxheti i shtetit. Sipas avokatit Arben Llangozi, në rastin konkret kemi konflikt të hapur interesi dhe duhet verifikuar mënyra sesi është fituar ky prokurim publik, mënyra sesi është zbatuar, nëse kemi shkelje ligjore apo jo.
“Në rastin konkret shkelja ligjore është evidente që kemi të bëjmë me një prokurim publik të dhënë në shkelje të hapur të ligjit për konfliktin e interesit”, – deklaroi avokati Llangozi. Por tenderi i OSHEE-së është thjesht një shembull flagrant për të treguar se si shkelet ligji, duke marrë fonde publike nga buxheti i qytetarëve. Në momentin që Egmont Ngjela do të bëhej ortak me Nursen Metuli, ky i fundit do të merrte disa tendera me vlerë të lartë nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit./Gazeta Panorama