Administrata publike rriti rrogën mesatare të vendit! Sektorët me paga më të larta dhe ato më të ulëta

by editor

Referuar raportit të INSTAT, pagat më të ulta janë në bujqësi. Kurse pagat më të larta dhe mbi mesatare janë në fushën financiare dhe në atë të sigurimit.

Advertisements

Tirane- INSTAT thotë se paga mesatare bruto vitin e kaluar u rrit me 13.7% në fund të vitit 2023. Paga mesatare ishte 75.025 lekë nga 66.014 lekë që ishte në fund të vitit 2022.

Advertisements

Shkaku kryesor për këtë rritje të fortë të pagës mesatare është rritja e rrogave për sektorin publik.

“Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të katërt 2023 paga mesatare bruto për grup-aktivitetin e Administratës publike dhe mbrojtjes; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale, ka rritjen më të madhe prej 16,2 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit prej 4,5 %. Gjatë tremujorit të katërt 2023, grup-profesionet e “Menaxherëve, Ligjvënësve, Nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë” dhe “Specialistë me arsim të lartë (profesionistë)”, ofrojnë pagat mesatare mujore bruto më të larta, krahasuar me pagën mesatare në nivel kombëtar.”, thuhet në raport.

Ndërkohë paga mesatare mujore bruto në sektorin shtetëror në tremujorin e fundit të vitit të shkuar përllogaritet në 87.864 lekë, kurse në sektorin privat është shumë më ulët në vetëm 69.400.

Pabarazia në paga shtet-privat është thelluar në këtë periudhë, pasi në sektorin publik rrogat janë 18,464 lekë më të larta se në privat.

Kush paguhet më shumë?
Referuar raportit të INSTAT, pagat më të ulta janë në bujqësi, ku një punonjës merr mesatarisht në fund të muajit 49.140 lekë, ndjekur nga ndërtimi me 58.381 lekë paga mesatare bruto, më pas është tregtia, transporti akomodimi dhe shërbimi ushqimore me rroga 60.779 lekë dhe industria përpunuese, nxjerrëse apo furnizimi me energji elektrike, rrogat e të cilëve përllogariten mesatarisht 64.381 lekë.

Kurse pagat më të larta dhe mbi mesatare janë në fushën financiare dhe në atë të sigurimit. Rrogat e të punësuarve në këto aktivitete përllogariten në 148.597 lekë mesatarisht, ndjekur nga profesionistët e IT, që paguhen me 114.761 lekë apo administrata publike, mbrojtja e arsimi me 87.249 lekë. më tej është aktiviteti i pasurive të paluajtshme; aktivitete shkencore, profesionale dhe teknike; aktivitete të shërbimeve administrative dhe mbështetëse me pagë mujore bruto në 82.630 lekë, dhe më pas është fusha e argëtimit e çlodhjes me mesatarisht 76.410 mijë lekë në muaj.

You may also like