Diplomati shqiptar Mal Berisha ka reaguar pas lajmit se kryeministri Edi Rama planifikon t’i mundësojë bektashinjve të Shqipërisë një territor të tyre sovran në Tiranë.
Advertisements
Ai ka sjellë në vëmendje kujtimet e vitit 1993 nga libri i tij, teksa rrëfen se ka qenë i pranishëm në takimin e krerëve të besimeve fetare të Shqipërisë në Stamboll.
Advertisements
Berisha thotë se në atë kohë, ishte kryepeshkopi Anastas Janullatos ai që hodhi idenë që Shqipëria të njihej si vend me katër fe, duke shtuar atë bektashiane, çka u kundërshtua në moment nga krerët e besimeve të tjera, duke përfshirë edhe Baba Reshat Bardhin.
Komenti i ish-ambasadorit Mal Berisha:
Advertisements
NJË FARË EGJRE ANTI-KOMBËTARE E MBJELLUR NË STAMBOLL NË VITIN 1993 DUKET SE NA MBIU TANI, NË VITIN 2024.
SHTETI I “BEKTASHINJËVE” BRENDA SHQIPËRISË?!
Të dashur miq!
Tek po dëgjoj dhe po lexoj idenë e një shteti shqiptar bektashian, brenda territorit të Shtetit Shqiptar, vendosa t’i kthehem një ngjarje që ka pikërisht këtë subjekt, dëshmitar i së cilës u bëra në vjeshtën e vitit 1993, në Hotel Marmara, në Stamboll.
Ja ngjarja e plotë siç e kam përjetuar dhe botuar në librin tim “Amabasador i pushtetit të butë” në faqen 73.
TAKIMI I FEVE MONOTEISTE NË STAMBOLL, VJESHTË, 1993
Në vjeshtën e vitit 1993 në Stamboll u organizua një takim i krerëve të feve monoteiste. Aty do të merrnin pjesë drejtuesit e feve abrahamike, që nga Kreu i Rabinatit të Izraelit, pastaj Bartolomeu I, Kreu i Kishës Ortodokse të Stambollit, Kryemyftiu i Turqisë, ndërsa nga Selia e Shenjtë kishte ardhur Sekretari i Përgjithshëm i Vatikanit. Nga Shqipëria merrnin pjesë personalitetet kryesore të këtyre feve:
PJESMARRËSIT NGA SHQIPËRIA:
I pari ishte Hafiz Sabri Koçi, Kryemyftiu i Shqipërisë. Pastaj vinte Imzot Rrok Mirdita, kreu i fesë Katolike shqiptare dhe Anastasios Janullatos, kreu i Kishës Ortodokse shqiptare. Bashkë me ta kishte ardhur edhe kreu i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Dede Reshat Bardhi.
TAKIMI I BESMITARËVE
Takimin e përshkoi një frymë e zymtë e natyrës fetare me shumë qetësi dhe përunjësi. Krerët e feve të vendeve të ndryshme takoheshin me njëri-tjetrin, sidomos brenda feve të veta, por edhe në ndërveprim. Fetë e shqiptarëve ishin si të plagosura pas një periudhe të gjatë që kishin kaluar në ateizëm, në shtetin e parë dhe të vetëm në botë, që ishte shpallur i tillë. Hafiz Sabri Koçi, 72-vjeçar, vinte nga jeta e tij e gjatë prej 23 vitesh në burgim për shkak të besimit fetar. Ai ishte teolog, martir i fesë, burrë shumë i ditur, i shtruar, i kulturuar, shumë i urtë dhe i përunjur. Dede Reshat Bardhi po ashtu kishte kaluar një kalvar vuajtjesh për shkak të besimit dhe e kishte ushtruar fenë tërësisht në mënyrë të fshehtë, por pa e lënë asnjëherë, pavarësisht nga rrjedhojat që pësonte. Imzot Rrok Mirdita ishte drejtuesi i Dioqezës së Durrësit dhe Tiranës, i konsakruar nga Papa Gjon Pavli II. Ai e kishte filluar shërbimin ndaj Kishës Katolike në moshën 25-vjeçare. Shumë vite ai i kishte kaluar duke shërbyer në Kishën Katolike në Bronx në Neë York. Ai është nismëtari i ndërtimit të Katedrales së Shën Palit në Tiranë. Sipas idesë së tij, ajo ka tri kënde, të cilat simbolizojnë bashkëjetesën midis tri feve në Shqipëri, fesë islame, ortodokse dhe katolike.
Kryepeshkopi Anastasios Janullatos, i lindur në vitin 1929, ishte Krypeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë dhe Kreu i Sinodit të Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Ai mbante edhe shumë tituj si anëtar i disa akademive. Emri i tij përmendej me shumë skepticizëm si uzurpator i fronit të kreut të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, që dikur e pati themeluar Fan Noli dhe e mbajti gjallë Visarion Xhuvani. Në atë takim u diskutuan shumë çështje që kishin të bënin me paqen fetare dhe mbarëvajtjen midis feve të ndryshme. Në këtë rast u hap një diskutim, i cili e vlen të jetë i shënuar në këtë rrëfim.
PROPOZIMI PËR FENË E KATËRT MONOTEISTE BEKTASHIANE SHQIPTARE I KRYEPESHKOPIT ANASTASIOS JANULLATOS
Krerët e feve shqiptare, edhe pse ato janë vetëm tri të tilla, na dilte se “ishin” katër. Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare tha se në Shqipëri ekzistojnë katër fé të ndryshme. Pas shumë diskutimesh duhej të nënshkruhej një rezolutë e përbashkët e feve monotesite. Sipas disa drejtuesve aty, shqiptarët duhej të nënshkruanin të katërt. Por në të vërtetë ne kishim tri fé, jo katër, pavarësisht se Dede Reshat Bardhi përfaqësonte një sekt liberal të islamit – pra bektashizmin. Dikujt i interesonte të shtohej një fé te shqiptarët. Kjo ishte një strategji që u binte për shtat atyre që përherë shqiptarët i kanë dashur të përçarë. Ky ishte rast i mirë për t’i konsideruar ata të ndarë në katër fé.
IMZOT RROK MIRDITA – PATRIOTI I PALËKUNDUR SHQIPTAR
Imzot Rrok Mirdita kërkoi pushim për një konsultim. Ai na mblodhi, Hafiz Sabriun, Dede Reshatin dhe neve të dy të Konsullatës, Orhan Zarshatin dhe mua. Ishte e vështirë situata, pasi kishim shumë merak se mos Dede Reshatit do t’i mbetej hatri, po të mos futej bektashizmi si fé më vete. Imzot Rrok Mirdita e shpjegoi shumë bukur dhe me një frymë të vërtetë kombëtare dhe patriotike. Pastaj Orhan Zarshati u ndal te historia e Kryegjyshatës dhe përse ajo, në vitin 1924, u zhvendos nga Stambolli në Shqipëri. Tek e fundit- tha ai, ndarja fetare midis shqiptarëve u shkon në favor armiqve të Shqipërisë. Dede Reshati menjëherë kërceu dhe tha:
BABA RESHAT BARDHI:
BEKTASHIZIMI NUK ËSHTË FE E VECANTË NË SHQIPËRI – UNË KURRË NUK PRANOJ TË BËHEM PJESË E NJË VEPRIMI, QË E DËMTON SADOPAK VENDIN TIM.
“Ju jeni njerëz të mençëm të atdheut tim. Ju e dini këtë punë më mirë se unë. Unë kurrë nuk pranoj të bëhem pjesë e një veprimi, që e dëmton sadopak vendin tim. Unë jam bektashi, jam besimtar i fesë islame, por para së gjithash jam shqiptar”.
Kështu u shmang përmendja në Rezolutën e Stambollit të Shqipërisë si vend me katër fé. Aty u shënua se Shqipëria ka tri fé monoteiste. “Dikush” ishte nismëtar i asaj teze antishqiptare në konferencë. Pas kësaj ai u largua kokëulur.
Shënim: Ajo farë e keqe egjre e asaj kohe duket se nuk ka qene rastësi. Të paktën le ta themi sepse për ta ndalur rrokullmën e kombit tonë duket se nuk do ta ndalim dot. Por të paktën të mos heshtim!
Mal Berisha
Tiranë, 23 Shtator 2024.