Një aksident tragjik rrugor ndodhi në njërën prej autostradave më të ngarkuara në veri të Filipineve, ku një autobus u përplas me disa automjete, duke shkaktuar 10 viktima dhe mbi 30 të plagosur. Sipas autoriteteve, katër nga viktimat ishin fëmijë.
Advertisements
Shoferi i autobusit është arrestuar, pasi pranoi se kishte rënë në gjumë gjatë drejtimit, tha policia për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP). Faturino i autobusit gjithashtu është marrë në paraburgim.
Advertisements
Ngjarja ndodhi në autostradën Subic-Clark-Tarlac, që shërben për transportimin e përditshëm të punëtorëve mes Manilës dhe provincave përreth. Autobusi i aksidentuar ishte në pronësi të kompanisë Solid North Bus, të cilës Ministria e Transportit i ka pezulluar të gjitha operacionet pas aksidentit.
Sipas Kryqit të Kuq Filipinas, aksidenti përfshiu tre automjete të tjera dhe një kamion kontejnerësh. Organizata ka ofruar ushqim dhe ndihma për të plagosurit dhe për personat e shtruar në spital.
Policia ka deklaruar se shoferi mund të përballet me akuza për “drejtim të pamatur që shkakton vrasje të shumëfishta”. Megjithëse nuk është konfirmuar nëse droga ka qenë faktor në këtë aksident, çështja e përdorimit të substancave narkotike nga shoferët është bërë shqetësim në rritje muajt e fundit në Filipine. Në prill, 84 shoferë autobusësh rezultuan pozitivë për drogë, çka çoi në pezullimin e disa kompanive transporti publik.
Pas aksidentit të fundit, Sekretari i Transportit, Vince Dizon, pritet të zhvillojë një takim urgjent me përfaqësues nga gati 30 kompani autobusësh për të diskutuar masat parandaluese.
Kujtojmë se aksidentet fatale me autobusë janë të shpeshta në Filipine – në vitin 2023, 17 pasagjerë humbën jetën kur një autobus humbi frenat dhe ra në një përrua