Inspektorati Policor i Kosovës tha se aksidenti me fatalitet në Çubrel të Skenderajt, dyshohet se ndodhi për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes nga vetura e Policisë së Kosovës. Më 26 janar, në rrugën rajonale Mitrovicë – Pejë në fshatin Çubrel, vdiqën tre civilë, pasi një veturë e Policisë u aksidentua me një veturë civile.
Advertisements
IPK-ja tha se sipas hetimeve fillestare, automjeti policor nuk kishte përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe kishte kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile. Për shkak të kësaj, IPK tha se ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor i cili ka qenë drejtues i automjetit që u aksdeintua.
Advertisements
Si pasojë e këtij aksidenti kanë mbetur të lënduar katër zyrtarë policorë dhe një qytetar nga vetura civile, që sipas IPK-së kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Pas këtij aksidenti që ndodhi rreth orës 19:00 të së dielës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes në komunikacionin rrugor për të shmangur fatkeqësitë. Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se në aksident kanë humbur jetën anëtarë të familjes Gashi nga Peja.
“Kjo është një humbje e madhe për qytetin tonë dhe një moment pikëllimi të thellë për të gjithë ne”, tha ai.
Lidhur me aksidentin me fatalitet ka reaguar edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca. Ai ka thënë se është i tronditur nga kjo ngjarje dhe u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave.
“Të lënduarve të tjerë shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar në Facebook Konjufca.
Policia paraprakisht kishte njoftuar se në hetimet e kësaj ngjarjeje ishte përfshirë edhe IPK-ja./ REL