Një incident është shënuar në seancën parlamentare të kësaj të enjte në lozhat e Kuvendit, ku një nga gardianët ka urdhëruar gazetarët që të dalin jashtë sallës, duke penguar kështu punën profesionale dhe ushtrimin e detyrës së tyre.
Advertisements
Reagim të menjëhershëm ka patur edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, ku sipas tyre episode të tilla janë të përsëritura, duke shtuar më tej se sjellja dhe gjuha e përdorur nga efektivi i gardës ndaj gazetarëve është tërësisht e papranueshme.
Advertisements
Deklarata e plotë nga AGSH:
Sjellja e Gardës së Republikës në Kuvendin e Shqipërisë po shënon një përkeqësim shqetësues dhe serioz.
Sot kolegët tanë u përballën sërish me arrogancën e efektivëve dhe me pengesa artificiale nga lozha e seancës plenare.
Sjellja dhe gjuha e përdorur nga efektivi i gardës ndaj gazetarëve është tërësisht e papranueshme.
AGSH e cilëson këtë një revansh të rrezikshëm që pengon gazetarët të shikojnë/dëgjojnë/filmojnë në të vetmen hapërsirë Kuvendore që ju lejohet.
Ne i kërkojmë Gardës së Republikës të bëjë një hap pas dhe të ristrukturojë ekipin që punon në Kuvend.
Këto episode janë të përsëritura dhe shqetësimet tona të vazhdueshme kanë rënë në vesh të shurdhët.
Ne nuk mund ta tolerojmë këtë situatë, ku reporterët dhe kameramanët sfidohen në çdo seancë dhe përballimi i tekave të gardistëve kthehet në punën kryesore të ditës.
Është koha që Kuvendi i Shqipërisë, bashkë me ne, të hartojë një set të qartë e transpatent rregullash, që të tilla situata të mos përsëriten më.