Prej orës 05.00 të mëngjesit të sotëm, fusha e mbetjeve tek inceneratori i Elbasanit, është përfshirë nga flakët të cilat janë përhapur në një pjesë të madhe të saj.
Advertisements
Shtëllunga gjigande e tymit dhe era e keqe e shkaktuar nga djegia e mbeturinave, është përhapur në të gjithë lagjen periferike të qytetit të Elbasanit, duke u kthyer në një rrezik serioz për shëndetin e banorëve në zonën përreth, e cila është një zonë mjaft e populluar.
Advertisements
Vatra e zjarrit e shkaktuar në fushën e grumbullimit të plehrave pranë incineratorit të Elbasanit, është mjaft aktive prej disa orësh.
Për momentin nuk janë të qarta shkaqet e rënies së flakëve, por dyshimet janë për zjarrvënie edhe pse siguria në të gjithë zonën ku ndodhet inceneratori, është e shkallës së lartë.
Situata e krijuar nga shfaqja e një vatre zjarri në fushën e grumbullimit të mbetjeve tek inceneratori i Elbasanit, është cilësuar kritike për shkak të përmasave të mëdha të tij.
20 efektivë dhe 5 mjete të zjarrfikëses së Elbasanit po përpiqen të izolojnë vatrën, ndërsa në ndihmë janë nisur edhe zjarrfikëse të bashkisë Cërrik.
Ndërkohë, burime jo zyrtare bënë me dije se vatra të tilla zjarri do të ketë gjithmonë, pasi në thellësi të masivit gjigant të mbetjeve të grumbulluara në Landfillin e Elbasanit, ka sasi vajrash e lëndësh djegëse që përbëjnë rrezik në çdo kohë për shfaqje vatrash zjarri.