Alarm në Greqi, “spiuni rus” kapet duke fotografuar bazën e NATO-s

Në një rast që konsiderohet jashtëzakonisht serioz dhe ka ngritur alarmin e kuq në shërbimet e inteligjencës dhe sigurisë së Greqisë, mediat helene raportojnë se është arrestuar një 59-vjeçar gjeorgjian që ishte i rekrutuar nga mafia dhe Rusia si spiun.

Advertisements

Burri që hiqej si piktor kishte vepruar për muaj të tërë në Greqi, kryesisht në zonën e Aleksandropolis. Ai ka lindur në Gjeorgji dhe jetonte në Aleksandropolis. 59-vjeçari u vu në pranga nga shërbimet greke të sigurisë nën akuzën e spiunazhit.

Advertisements

Ai u zbulua pas hetimeve disa mujore, ndërsa fotografonte dhe filmonte bazat ushtarake dhe pajisjet e ushtrisë greke, duke vepruar në emër të një personi tjetër, të cilit ia dërgonte materialet përmes një aplikacioni të koduar.

Sipas informacioneve të deritanishme, 59-vjeçari u arrestua në flagrancë ndërsa po fotografonte transportin e pajisjeve të NATO-s. Siç pretendoi ai gjatë marrjes në pyetje, atij i ishte afruar një person nga Evropa Lindore, i cili është aktiv në trafikun e drogës, armëve dhe është gjithashtu i përfshirë në vrasje dhe prej tij, ai ishte rekrutuar për t’i shërbyer Inteligjencës së Rusisë.

Personi që e rekrutoi gjeorgjianin i kërkoi atij t’i dërgonte foto, video dhe informacione rreth pajisjeve ushtarake. “Rekrutuesi” thuhet se i premtoi para, por 59-vjeçari pretendon se i ka thënë se do të bënte gjithçka që mundte “për Nënën Rusi”, pasi kishte shërbyer në ushtrinë sovjetike.

“Po e bëj për vendin tim”, ka rrëfyer ai, ndërsa hetuesit po monitorojnë çdo telefonatë dhe komunikimet e tij.

Burime nga Shërbimi Informativ Kombëtar grek thanë për Protothema se 59-vjeçari kishte filmuar dhe fotografuar zona të ndjeshme ushtarake në kufi dhe në portin e Aleksandropolis për disa muaj me radhë.

59-vjeçari akuzohet se ia ka dërguar materialin vizual një personi që ndodhet në Lituani, e që mban pasaportë greke, por ka lindur gjithashtu në një vend të ish-Bashkimit Sovjetik. I njëjti burim i ka thënë Protothema-s se edhe personi i dytë është arrestuar në Lituani nga shërbimet përkatëse atje.

Kujtohet se që nga shkurti i vitit 2022, në Aleksandropolis është transportuar material ushtarak, i cili në shumë raste përfundon në Ukrainë.

Hetuesit grek tani po përpiqen të hartëzojnë plotësisht aktivitetet e tij në mënyrë që të përcaktojnë se çfarë ka fotografuar dhe kur, por rasti konsiderohet jashtëzakonisht serioz duke pasur parasysh praninë e forcave amerikane dhe të NATO-s në rajon./a2 cnn