Amerikanët dhe britanikët kërkojnë qeveri teknike në Shqipëri, IDU del me rezolutë pas vizitës së Bashës në…

Pas vizitës së Lulzim Bashës në Uashington (SHBA), kërkesa për një qeveri teknike në Shqipëri në kuadër të organizimit dhe monitorimit të zgjedhjeve parlamentare të cilat do të mbahen në 11 maj të vitit 2025, duket se ka marrë një mbështetje ndërkombëtare të fortë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, duke nënvizuar një moment kyç në politikën shqiptare. Kjo lëvizje vjen si pasojë e shqetësimeve të thella për stabilitetin e vendit, të nxitura nga akuzat për korrupsion dhe manipulim të procesit politik, të cilat kanë shqetësuar partnerët ndërkombëtarë. Në një rezolutë të miratuar nga Forumi Ndërkombëtar i Demokratëve të Qendrës (IDU), kërkohet që Shqipëria të kalojë në një qeverisje të përkohshme teknike, e cila të mundësojë një përmirësim të procesit zgjedhor dhe një reformë të thellë institucionale, pa ndërhyrjen e politikës tradicionale.

Advertisements

Dokumenti, i cili është një pasqyrë e shqetësimeve të SHBA-ve dhe Britanisë, ka theksuar se një qeveri teknike do të sigurojë një periudhë stabilizimi dhe do të krijojë mundësinë për një të ardhme më të sigurt dhe më të ndershme për Shqipërinë. Pra duket se do të kemi një përsëritje të skenarit të vitit 2017, ku para zgjedhjeve parlamentare, u krijua qeveri teknik që erdhi pas marrëveshjes Rama-Basha. Kështu nëse palët do të reflektojnë kërkesat e Unionit Internacional Demokratik (IDU), Shqipëria pritet të përballet me një moment të rëndësishëm, ku ndryshimet institucionale mund të bëhen një imperativ për të rifituar besimin e popullit dhe të partnerëve ndërkombëtarë.

Advertisements

Detajet

Konkretisht Unioni Internacional Demokratik (IDU) i përbërë nga 84 organizata nga 65 shtete të botës, ka miratuar me votë unanime rezolutën që kërkon reforma të rëndësishme për forcimin e demokracisë në Shqipëri. Anëtarët kryesorë të IDU-së janë partia Republikane amerikane dhe Konservatorët britanikë. IDU kërkon ruajtjen e sundimit të ligjit dhe integritetit institucional si gurë themeli të një shoqërie demokratike, si dhe një sistem gjyqësor të paanshëm, të lirë nga ndërhyrjet politike. Po ashtu, theksohet nevoja për intensifikimin e luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, duke siguruar që këto veprime të jenë të paanshme dhe të mos synojnë opozitën. IDU kërkon zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke siguruar pavarësinë e administratës publike nga partia në pushtet dhe mbështet krijimin e një qeverie kujdestare, të modeluar sipas shembullit të Maqedonisë së Veriut, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Kërkesat e IDU-së:

1. Ruajtja e sundimit të ligjit dhe integritetit institucional si gurë themeli të një shoqërie demokratike;

2. Një sistem gjyqësor i paanshëm, i lirë nga ndërhyrjet politike;

3. Intensifikimi i luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, duke siguruar që veprimet të mbeten të paanshme dhe të mos synojnë opozitën;

4. Zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke garantuar pavarësinë e administratës publike nga partia në pushtet;

5. Krijimi i një qeverie kujdestare, e modeluar sipas Maqedonisë së Veriut, për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

6. IDU rikonfirmon mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, zgjedhjet e lira dhe rolin kritik të opozitës në rivendosjen e demokracisë. IDU do të monitorojë nga afër zhvillimet dhe do të mbështesë aspiratat demokratike dhe evropiane të Shqipërisë.

Reagon Basha

Ndërkohë kujtojmë se kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, gjatë takimit në Forumin e Unionit Ndërkombëtar të Demokracisë në Ëashington, theksoi rëndësinë e partneritetit me SHBA-në, PPE-në dhe Britaninë e Madhe për të adresuar sfidat e sigurisë, luftimin e korrupsionit dhe lidhjet e politikanëve me krimin. Basha gjithashtu zhvilloi takime me figura të larta ndërkombëtare, përfshirë drejtues të PPE-së dhe kongresmenë amerikanë, duke nënvizuar nevojën për angazhim të përbashkët në mbështetje të demokracisë, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.

“Në Forumin e Unionit Ndërkombëtar të Demokracisë në Ëashington, patëm mundësinë të dëgjojmë vizionin e administratës së ardhshme të SHBA-së, PPE-së dhe Britanisë së Madhe, mbi kërcënimet globale ndaj demokracisë dhe lirisë, si edhe nevojën e angazhimit të përbashkët për parandalimin, paqen dhe stabilitetin. Gjatë këtij forumi, zhvillova biseda dhe takime të veçanta me drejtues të ndryshëm, duke përfshirë kreun e grupit parlamentar të PPE-së dhe presidentin e këtij grupi, kryetaren e re të konservatorëve britanikë, Kemi Badenoch, kongresmenë, eurodeputetë dhe drejtues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare. Shqipëria ka nevojë jetike për miqtë dhe partnerët e saj, për të adresuar sfidat e sigurisë, për të luftuar korrupsionin dhe lidhjet e politikanëve me krimin, për të zhvilluar ekonominë dhe për të konsoliduar demokracinë”, shkroi Basha dje në rrjetet sociale.