Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj doli sot para medias për të folur lidhur me arrestimin e disa drejtorëve të bashkisë të zhytur në afera të shëmtuara korrupsioni.
Advertisements
Veliaj tha se nuk ndjen dhe nuk mban përgjegjësi për ato që kanë bërë apo akuzohen vartësit e tij.
Advertisements
Ai tha se po ndjek linjën e kryeministrit për këtë qëndrim: “Po e nis nga vija e kuqe e Partisë Socialiste dhe e kryeministrit Rama: Çështjet që hap drejtësia e re, me këdoqoftë dhe kudoqoftë, në cilindo nivel të përgjegjësive ekzekutive dhe administrative, nuk janë për t’u komentuar në aspektin e tyre ligjor, por janë thjesht për t’ua besuar organeve të drejtësisë. Cilido individ që është përfshirë në këto çështje, duhet të përballet vetë me drejtësinë, i zhveshur nga çdo lloj mbrojtjeje tjetër, përveç mbrojtjes ligjore nga avokatët e vet.
Pra, unë s’kam asnjë koment për vërtetësinë e akuzave, për shkallën e përfshirjes ose jo të secilit në aktivitetin e paligjshëm për të cilin akuzohen, për fajësinë apo pafajësinë e tyre, që është ekskluzivisht tagër i gjykatës, nivelin e respektimit të së drejtës njerëzore e kushtetuese të prezumimit të pafajësisë në para-burgimin e tyre, e kështu me radhë.
Kjo vijë e kuqe ma bën të pamundur futjen në debat për faktet, me ata të cilët e shfrytëzojnë lirinë e fjalës në media për të bërë prokurorin, sigurimsin modern apo inkuizitorin mesjetar, duke më përfshirë edhe mua në të dënuarit pa gjyq, për sa ka ndodhur ose nuk ka ndodhur.
Duke folur megjithatë nëse ka përgjegjësi për këto zhvillime, Veliaj tha se ai ka punuar siç tha ai për të mirën e Tiranës me këta drejtorë.
Në këtë pikë ai foli me elozhe të shumta për drejtorët e dyshuar për korrupsion masiv.
“Po! Nuk ka asnjë diskutim, që unë kam punuar dhe bashkëpunuar me këta njerëz dhe për sa më takon, e kam vlerësuar punën e tyre në bazë të rezultateve, që flasin vetë në çdo cep të qytetit, për këdo që do t’iu referohet arritjeve reale në sektorët që ata kanë drejtuar, në kohën që kanë punuar në Bashkinë e Tiranës.
Mariglen Qato ka drejtuar IMT-në nga shtatori 2018 gjer në shtator 2023. Falë punës së tij dhe asaj skuadre është bërë i mundur Bulevardi i Ri, çlirimi i Unazës tek Astiri, lirimi i Liqenit nga zaptimet në gjysmën e tij, hapja e terreneve në Kombinat dhe 5 Maji për lagjet e reja pas tërmetit.
Teksa sot ecim në ato bulevarde, buzë Liqenit, apo përgjatë Unazës së Madhe, ne kuptojmë sa punë të dobishme ishin për qytetin, por edhe sa kundërshtarë politikë u ndërzyen ndaj IMT-së sepse kishin lidhur karrierën e tyre me bllokimin e këtyre kantiereve e sabotimin e Tiranës.
Redi Molla ka drejtuar UKT-në në vitet 2016-2020, ku e ktheu një ndërmarrje të falimentuar në të vetmin ujësjellës me bilanc pozitiv në vend, që sot financohet direkt nga bankat ndërkombëtare të zhvillimit dhe që e ktheu Tiranën e vogël nga 7 orë ujë në ditë, ku vaditej misri e thaheshin lagjet, në një qytet 25 herë më të madh në sipërfaqe, me 20 orë ujë mesatarisht, e në shumicën e zonave urbane me 24 orë ujë.
Taulant Tusha ka drejtuar punët publike në Bashkinë e Tiranës gjer vitin e kaluar. Me një përkushtim të jashtëzakonshëm ka ndjekur 24/7 projekte që Tirana i priste prej një shekulli – nga Sheshi Skënderbej, tek Pazari i Ri, nga Bulevardi Zogu I, tek Unaza e Vogël, nga Kalaja e Tiranës në qendër, tek ajo e Petrelës në periferi, nga zgjatimi i Lanës, e gjer tek Lumi i Tiranës, që përmbyste gjithë njësitë 4, 8, 9 e 11, e gjer tek 101 kopshte e çerdhe të rinovuara, e 40 shkolla të reja, nga ‘Kosova’ e ‘Samiu’, gjer tek ‘Partizani’ e ‘Çajupi’, ku çdo ditë ulen e rriten 200 mijë fëmijë të kryeqytetit në kushte optimale.
Kjo ishte një pasqyrë e përmbledhur e punës së tyre në bashki dhe e punës sime me ta, përpara se hienat që s’kanë prekur punë me dorë, të skërmisin dhëmbët me jargë për gjahun e rradhës.
Tani ka një pyetje, sa brutale aq edhe banale, që ngrihet rëndom nga inkuizitorët mesjetarë, sigurimsat modernë dhe prokurorët mediatikë nëpër banaqe televizionesh, kurdo që SPAKU vepron ndaj një zyrtari të caktuar: Si ka mundësi të mos i dinte këto Edi Rama dhe si mund të ndodhi që, deri edhe zëvendësi i tij, një person që sot është në kërkim nga drejtësia, t’i bëjë këto pisllëqet e mëdha për të cilat akuzohet, pa bekimin e kryeministrit?
Më falni! Po pse, në cilën pjesë të funksionit të tij të përcaktuar me Kushtetutë dhe dispozita ligjore, kryeministri duhet të përgjojë zëvendësin e tij apo cilindo zyrtar tjetër, me të cilin e lidh puna, kur këta të fundit e ushtrojnë influencën e postit dhe i përdorin lidhjet e tyre me X-in ose Y-in, për të përfituar në mënyrë të paligjshme?!
Si mund të jetë kaq e padiskutueshme, që një kryeministër, apo në rastin tim, një kryetar bashkie, të jetë në dijeni të çdo gjëje që s’ka të bëjë fare me funksionin e tij të përcaktuar me ligj apo me objektivat e me një mijë e një problemet e përditshme të punës së tij?!
Ku jemi këtu? Në komunizëm? Kur shoku Enver i vinte mbrapa një parti të tërë e një armatë të tërë me spiunë, të gjithë zyrtarëve të shtetit, deri tek vrima e çelësit e shtëpisë së tyre, që sot u dashka të arrestohet e të burgoset nga gjykata politiko-mediatike, titullari i institucionit, sapo SPAK-u nxjerr fletët e arrestit për një apo disa zyrtarë të institucionit disa mijëra vetash që ai drejton?!
I ngre këto pyetje retorike sepse në asnjë vend normal demokratik, nuk ndodh kjo gjueti shtrigash. Në parlamente, ekrane, portale, madje as në rrjetet sociale të Francës, Italisë, Greqisë e me radhë, nuk i shikon këto turra drush për të djegur të gjallë Presidentë, kryeministra, kryetarë bashkish, kur drejtësia thjesht po bën punën e saj në luftën kundër korrupsionit dhe ku gjykatat, në fund, e ndajnë shapin nga shqeri, të fajshmit nga të pafajshmit!
Këta gjahtarët profesionistë të shtrigave, që kanë një mandat deputeti të partive me vulë të humbur apo një kravatë moderatori dhe analisti në kolltuqet e spektakleve politike televizive të çdo mbrëmjeje, po që s’kanë asnjë respekt për dinjitetin njerëzor, për punën, për faktet, duan që populli ta harrojë këtë të vërtetë të madhe”, tha në fjalën e tij të gjatë Veliaj.
Në fund ai tha se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen dhe se do të vazhdojë të mbajë postin e kryebashkiakut.