Një ngjarje e rëndë tronditi mbrëmjen e së dielës kryeqytetin, ku 56-vjeçari Bujar Nasufi u ekzekutua me armë zjarri pranë banesës së tij në zonën e “Pallatit me Shigjeta”. Viktima u qëllua me gjashtë plumba nga një person i maskuar, i cili lëvizte me motor të zi dhe më pas u largua me shpejtësi drejt Selitës, duke humbur gjurmët.
Advertisements
Sipas hetimeve paraprake, Nasufi sapo kishte parkuar makinën pranë banesës, kur autori iu afrua dhe e qëlloi nga një distancë e afërt. Dy plumba e goditën në gjoks, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Në momentin e ngjarjes, bashkëshortja e tij ndodhej brenda automjetit, ndërsa mjeti i vëllait të viktimës ishte parkuar pranë, pasi dy familjet jetonin në të njëjtin pallat.
Advertisements
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë për të analizuar lëvizjet e autorit, i cili duket se e ka pritur viktimën afër banesës së tij. Në lidhje me ngjarjen, autoritetet po hetojnë mbi konfliktet e mundshme brenda rrethit familjar, pasi Nasufi nuk rezulton të ketë pasur precedentë penalë apo probleme të njohura.Bujar Nasufi, me origjinë nga Berati, jetonte prej vitesh në Tiranë dhe së bashku me vëllain e tij zotëronte një mobileri pranë zonës ku ndodhi atentati. Dyshohet se ai ishte nisur drejt banesës pasi kishte përfunduar punën në biznesin e tij.Policia dhe prokuroria po vijojnë hetimet, duke marrë në pyetje familjarët dhe dëshmitarët e ngjarjes. Aktualisht nuk është e qartë nëse autori ka vepruar i vetëm apo ka pasur ndihmës. Ndërkohë, grupi hetimor vazhdon përpjekjet për të zbuluar motivet dhe për të identifikuar autorin e këtij krimi.