Ka kaluar një vit nga atentati mafioz ndaj Gëzim Sinomatit, djali i Sokol Sinomatit, i njohur ndryshe si “Buzderri”, por ngjarja mbetet ende pa autorë të identifikuar.
Policia e Vlorës dhe organet e hetimit nuk kanë arritur të zbardhin atentatin, ndonëse ngjarja tronditi qytetin më 7 janar 2024.
Atentati ndodhi rreth orës 22:00, kur Sinomati, teksa ndodhej në ballkonin e banesës së tij në katin e tretë, u qëllua me snajper nga një automjet që qëndronte i fshehur prapa një blloku betoni.
Plumbi i vetëm që u qëllua i mori jetën në vend. Fillimisht u ngritën dyshime për ngatërrim shënjestre, pasi objektiv mund të kishte qenë edhe xhaxhai i tij, Benard Sinomati.
Në atë kohë, ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Ermal Muça, premtoi zbardhjen e shpejtë të ngjarjes, por pas një viti situata mbetet e njëjtë. Autorët nuk janë identifikuar, dhe pistat e hetimit janë ende të hapura.
Atentati ndodhi pranë Poliklinikës së qytetit, ku një automjet tip BMW kishte qëndruar përballë banesës për afro 30 minuta, duke përfituar nga një shkëputje e energjisë elektrike për të realizuar ekzekutimin.
Ngjarja dyshohet të ketë ndezur një valë përplasjesh të dhunshme mes bandave rivale në Vlorë dhe Tiranë. Tre episode të tjera kriminale, që kanë ndodhur në fund të vitit 2024, lidhen me konfliktin mes këtyre grupeve.
Më 8 dhjetor, në lokalin “The Boss” në Lungomare, u vendos lëndë plasëse. Më 18 dhjetor, në zonën e Çoles, iu bë një atentat Kevit Hajrulla. Ndërkohë, në Tiranë, u vendos eksploziv me dron në shtëpinë me qira të Elenës Arza, ku qëndronte Benard Sinomati.
Hetuesit dyshojnë se këto ngjarje janë pjesë e një zinxhiri përplasjesh të dhunshme, ku ekzekutimi i Gëzim Sinomatit një vit më parë është konsideruar si nisja e konfliktit të armatosur mes grupeve rivale në Vlorë.
Hetimet për zbardhjen e ngjarjeve vazhdojnë